Artan Fuga
Përpara dy ditësh, policia e një shtetit evropian arrestoi dy policë, të cilët ishin ngatërruar me një rrjet trafiku droge. Me këtë rast, shefi kombëtar i policisë bëri një deklaratë në media, ku pasi dënoi edhe moralisht ish-vartësit e tij, tregoi forcën e policisë që drejton, duke theksuar se dy policët e marrë të pandehur u zbuluan dhe u vendosën në pranga prej kolegëve të tyre.
Kur dëgjon debatet që bëhen në Kuvendin e Shqipërisë për drogën, të lind pyetja se sa është e aftë shoqëria dhe administrata e vendit ta luftojë trafikun e drogës, dhe më tej, cili është raporti mes shoqërisë shqiptare në këto dy dekada dhe drogës, parë kjo nga pikëpamja sociologjike.
Nuk dëshirojmë aspak të paraqesim një këndvështrim ideologjik e moralist. Por, të nisemi nga rastet e këtyre dy viteve për ta parë dukurinë në shprehjet e veta konkrete.
Dihet se çfarë ndodhi me mbjelljen e bimëve narkotike në zonën e Lazaratit apo edhe në Veri të vendit. Nuk është rasti të analizojmë marrëdhëniet e krijuara midis politikës në të dy kahjet e kundërta të tyre, as mes politikës dhe dukurisë të mbjelljes të bimëve narkotike dhe trafikimin e tyre si produkte gjysmë të gatshëm ose pothuajse të gatshëm.
Problemi paraqitet në këtë rast si një dukuri prodhuesish të vegjël, bujqish, që tani quhen fermerë, të cilët në vend të mbillnin perime, fruta, zarzavate, drithëra, e kishin gjetur më të udhës të prodhonin bimë narkotike.
Në një farë mënyre, sado i papranueshëm të jetë ky fakt moralisht, politikisht, apo ligjërisht, në rrafshin ekonomik kemi të bëjmë me një praktikë ku në një zonë të tërë gjeografike, masa të gjera prodhuesish bujqësorë kërkojnë të përballojnë jetën duke u marrë me ekonominë e bimëve narkotike dhe përpunimin deri në një farë shkalle të produktit të gatshëm. Pra, kemi një përfshirje të shtresave të gjëra të popullsisë në ekonominë e drogës. Nuk mund të mohohet që rendimenti i këtij prodhimi ka qenë në rezultate financiare shumë herë më të larta sesa ai i produkteve të tjera që mund të qarkulloheshin pas prodhimit të tyre. Sigurisht që kjo u duk edhe në ritmin e përmirësimit të infrastrukturave të banimit dhe në nivelin e jetesës të popullsisë, që ndërmori këtë hap pa u penguar nga ajo se çfarë pasojash negative sjell droga nga konsumatorët e saj.
Gjithsesi kemi edhe një pretendim për jetën më të lartë sesa në pjesë të tjera të popullsisë. Ideja se mbjellja e bimëve narkotike bëhej për të përballuar varfërinë është shumë e diskutueshme sepse edhe në pjesë të tjera të vendit, popullsia rurale ka njohur probleme vështirësish ekonomike, por jo në mënyrë fatale ka hyrë në këto lloj formash prodhimi ekonomik. Mbetet për t’u njohur se përse pikërisht në disa vende të caktuara u konstatuan sipërfaqe të mbjella me bimë narkotike: Fakti se kemi të bëjmë me territore periferike të vendit, me zona gjeografike të mbrojtura, me popullsi me tradita mosbindjeje ndaj pushteteve të ndryshme, me popullsi me një shpirt më luftarak, apo edhe me zona ku ndjenja e padrejtësive që u janë bërë historikisht i çon popullsitë e tyre drejt një tejkalimi të normave ligjore, të cilat konsiderohen si fasada për të fshehur padrejtësitë.
Apo si në Jug dhe në Veri, atje ku u shfaq kjo dukuri, kemi një lloj komunitarizmi dhe shpirti bashkësie më të spikatur që në këtë rast u vendos në shërbim të një ekonomie kriminale?
Nga të dhënat, del se nuk ka fakte të tregojnë se bimët narkotike ktheheshin në produkte drogash për t’u përdorur lokalisht. Kjo do të thoshte se popullsia ka pasur një kontroll etik dhe familjar mbi rininë e këtyre zonave dhe se prodhimi i bimëve narkotike nuk është konsideruar si vlerë për të kaluar jetën, si mënyrë jetese, apo si një kërkesë e një shpirti që ka nevojë për suporte narkotike për të përballuar jetën dhe dramën e saj ekzistenciale. Kemi të bëjmë pra me një mendësi prodhimi drogash, por jo konsumimi të tyre, ndonëse nuk përjashtohet aspak që edhe në shoqërinë shqiptare flitet dhe faktohet se ka përdorues drogash. Në një farë mënyre, kemi në këto zona njëfarë shkëputje midis prodhimit të bimëve narkotike dhe përpunimit deri në një farë mase të tyre, që konsiderohet pragmatikisht si aktivitet fitimprurës ekonomikisht, dhe përdorimit të drogave si një fakt jo fort i pranishëm (mesa duket), çka bën që produkti drejtohet për te të Tjerët, te të Huajt, përderisa konsiderohet se gjithkush në këtë botë bën sipas lirisë së tij. Besoj se pa këtë mentalitet, ku përgjegjësia i lihet Tjetrit se çfarë ai bën me jetën e tij, nuk mund të kishim zona mbjelljesh masive lëndësh narkotike në vend. Në mënyrë shumë specifike bashkohet kështu një solidaritet i brendshëm komunitar me një lloj individualizmi kur bëhet fjalë në marrëdhëniet me njerëzit dhe Botën përtej komunitetit.
Mirëpo, pas përfundimit të aferës të mbjelljes të bimëve narkotike në disa zona rurale të vendit, këto muajt e fundit, javët dhe ditët e fundit, kanë dalë zbulimet e laboratorëve të përpunimit të lëndëve narkotike si në Elbasan, Vlorë a gjetiu. Këtu ndonëse jemi brenda të njëjtës ekonomi të kriminalizuar nga ligji, situata në planin social paraqitet disi ndryshe. Përpunimi i drogave nis e merr pamjen e një dukurie urbane dhe të grupeve që pavarësisht gjerësisë së tyre nuk kanë masivizimin e individëve të dhënë pas mbjelljes të bimëve narkotike si në rastin e mëparshëm. Sigurisht në rastin e ndërtimit të laboratorëve të përpunimit të drogave përgjegjësia për pasojat e përpunimit të saj është më e drejtpërdrejt. Jemi më afër produktit përfundimtar. Në një farë mënyre cinizmi dhe mentaliteti i i një individualizmi pragmatist të tejskajshëm është shumë herë më tepër i pranishëm sesa në rastin e popullsive rurale të përfshirë në ekonominë planetare të drogës. Aq më tepër kemi të bëjmë me grupe shumë më të ngushta individësh.
Ndryshim i rëndësishëm duket edhe fakti se në zonat urbane nuk kemi të bëjmë më me prodhues të vegjël që kërkojnë të përballojnë varfërinë, ose të plotësojnë në rrugë informale nëpërmjet të ardhurave të nxjerra nga një ekonomi ligjërisht e kriminalizuar mangësitë e krijuara nga shoqëria në rrafshin social, ekonomik ose kulturor. Për të ndërtuar laboratorë, blerë pajisje, ruajtur fshehtësinë e ndërmarrjes, krijimin e rrjeteve të transportit, punësimin e specialistëve të huaj etj., kërkohet një sasi mjetesh monetare të investuara dhe një infrastrukturë e tërë komunikative, makinash, mjetesh telefonike, mundësish për kalimin e kufijve etj.
Është tashmë një aktivitet individësh shtresash të pasura që jetojnë shumë herë më mirë dhe me të ardhura shumë herë më të larta sesa pjesa e popullsisë me të ardhura mesatare ose të larta të fituara në rrugë ligjore.
Por, nuk besoj se edhe në Elbasan e në Vlorë, a gjetiu, kemi përdorues kaq masivë lëndësh narkotike, qoftë edhe për shkak të çmimit të lartë në një popullsi tê varfër, qoftë sepse nuk kemi të bëjmë me një ekonomi endogjene, por me porosi të ardhura nga jashtë sikurse tregon sasia e madhe e drogave të kapura nga policitë e vendeve kufitare, çka nuk lejon që lokalisht të përdoret spontanisht një pjesë e mallit që prodhohet aty. Aq më tepër që duke qenë qendra prodhimi, kthimi i tyre edhe në qendra shpërndarjeje do të mundësonte një zbulueshmëri më të lehtë të tyre nga ana e forcave të rendit.
Gjithsesi po të niseshim nga cikli i jetës i një produkti droge: Bimë narkotike, përpunim drogash, produkte drogash të qarkulluara në vend për konsum, dhe parà e fituar nga droga, deri tani, duket se elementi i tretë, konsumi i drogave, ndonëse i pranishëm, nuk është aq i përhapur sa të tjerët. Për dhjetëra arsye.
Por, nga ana tjetër kur sheh qindrat e makinave luksoze në Shqipëri, kur sheh vilat e pafundme të ngritura jashtë çdo mundësie ekonomike, kur sheh çmimin e hoteleve dhe restoranteve luksoze, kur sheh sasinë e tregtisë për objekte luksi, çmimet e shumë produkteve, veshjet e mjaft individëve, duhet të jesh naiv që të mos pyesësh: nga vjen kjo sasi monetare në treg në një shoqëri që ka një bazë ekonomike shumë të dobët?
Duhet të jesh naiv që të mos supozosh se ka një sasi shumë të konsiderueshme parash që vijnë nga ekonomi informale me rendiment jashtëzakonisht të lartë, pra që nuk mund të mos kenë edhe identikitin e ekonomisë të drogës.
Nuk është se të gjithë ata që jetojnë përtej të gjitha mundësive të besueshme të të ardhurave i marrin të hollat nga pjesëmarrja e tyre në ekonominë e drogës. Do të ishte shumë e thjeshtëzuar dhe lehtësisht e kundërshtueshme kjo hipotezë. Por paraja që hyn nga droga transformohet duke u konvertuar në parà korrupsioni, ose edhe duke u investuar e paradoksalisht duke financuar degë të tjera të ekonomisë private. Këtu vijmë te specifikat e ekonomisë të drogës në realitetin sociologjik shqiptar.
Ka disa që kur diskutojnë për drogat e trajtojnë dëmin e tyre në planin mjekësor, vetëm në pasojat që sillen për shëndetin mendor dhe fizik të përdoruesve të tyre, pra më tepër të rinisë. Kjo është shumë pak. Përpara sesa të preki shëndetin mendor, droga dhe paratë e saj dëmtojnë demokracinë sepse kanë fuqi korruptuese shumë të fuqishme për nëpunësin, ruajtësin e rendit shoqëror, përfaqësuesin e së drejtës, mjekun, pedagogun, për këdo që në vend t’i qëndrojë stoik dhe i palëkundur detyrës së tij, shitet dhe blihet nga paraja e madhe në qarkullim që mbahet nga rrethe të caktuara shqiptarësh. Nuk përjashtohen edhe individë shumë të pasur që paranë e madhe mund të mos e kenë nga ekonomia e drogës, por nga transformimi i mjeteve financiare të dala prej këndej në parà të ardhur si shpërblim korruptiv në shkëmbim të shërbimeve apo privilegjeve që kanë në dorë t’u shesin të tjerëve.
Nëse kjo hipotezë është e saktë, atëherë mund të kemi edhe individë edhe agjenci publike dhe private që i lejojnë vetes të flasin kundër ekonomisë të drogës, ta ngrenë zërin e tyre të moralshëm kundër parasë prej droge, pa u privuar vetë ata nga të ardhura, parà, ose privilegje, që në origjinën e tyre të parë dalin pikërisht nga ekonomia e drogës.
Mbase jam egoist dhe gjykoj si individualist, por mua personalisht, subjektivisht nuk më bën aq shumë përshtypje pasoja e drogës mbi individin, vetë e ka fajin, por shkatërrimi që ekonomia e drogës i bën demokracisë, shtetit ligjor, barazisë të shtetasve para ligjit duke e shpërndarë pabarazisht pasurinë, duke krijuar burime financiare për disa me një parà të lehtë që është e vështirë ta përballosh nëse nuk ke vendosur të jetosh i varfër.
Por, shpesh herë i varfëri quhet dhe dënohet edhe si i paaftë, ai dhe fëmijët e tij. Paraja e lehtë në qarkullim prish sistemin e vlerave sociale, kulturore, morale të gjithë shoqërisë.
Në këtë mënyrë ekonomia e drogës ka fuqi të pazakontë, ajo mund nga njëra anë edhe të gjenerojë pasuri të kundërligjshme, por edhe të subvencionojë në ligjërimin politik, mediatik, shkollor, një qëndrim kritik ndaj ekonomisë të drogës. Këtu koka kap bishtin dhe bishti kap kokën duke u riprodhuar pafundësisht.
Droga përpara sesa të kapi trurin e individit kap trurin dhe mekanizmin publik të drejtimit dhe menaxhimit të shoqërisë. Presioni i parasë së madhe dhe të lehtë bie mbi gjyqtarin, mësuesin, mjekun, policin, politikanin, gjithkënd, ata më të mirët e durojnë stoikisht dhe mbeten të varfër, por të ndershëm, kurse ata që bien preh e presionit, bëhen edhe të pasur dhe të fuqishëm. Çfarë e pengon pastaj një nëpunës publik a intelektual të pasur të subvencionojë që media ta mbështesë, të botojë libra, të krijojë kushte që të lulëzojë e ngrihet mbi të tjerët.
Deri këtu jemi në një hipotezë modelesh sociologjike. Por, nuk është vetëm teorike.
Nga ana tjetër, paraja nuk ka vlerë nën jastëk. Çfarë e do atë parà me të cilën ke siguruar që ti, fëmijët e tu, nipërit dhe nipërit e nipërve, Sicili prej tyre në pesë shekuj të hajë nga njëqind byreqe në ditë? Me një fjalë paraja e drogës shpërndahet edhe duke shpërblyer punë të ndershme, pa e ditur, sepse punon bojaxhiu, muratori, furrtari, taksisti, etj. Seç ka një kompromis të heshtur të qytetarit kolektiv me ekonominë e drogës, sepse mendon që në këto kohëra krizash vendi ka nevojë për parà që të futet ngado. Përndryshe nuk ka sesi që të shpjegohet pasiviteti i shoqërisë ndaj ekonomisë të drogës.
Po të shihen burimet e financimit të shumë bizneseve nuk e di se çfarë do të dali…
Me lajmet nga Spanja ku ushtaraku shqiptar humbi jetën e vendosur në shërbim të ekonomisë të drogës, kemi sociologjikisht një të dhënë për një hap tjetër. Të punësuarit nga ekonomia e drogës. Dhe jo thjesht bujq që mbjellin bimë narkotike, jo thjesht menaxherë rrjetesh laboratorësh droge, por nëpunës, specialistë, ekspertë që dalin në tregun ndërkombëtar të punës. Ekonomia formale shqiptare është krejt lokale, e shumta krahinore, kurse ekonomia e saj informale, sikurse është ajo e drogës, ka kohë që është bërë planetare. A nuk e dëshmojnë këtë sasitë drogës të kapura me origjinë nga Shqipëria, si vend prodhimi, tanimë, e dikur vetëm transiti???
Lufta për ta mbyllur ekonominë e drogës në Shqipëri ka kuptim. Por, pas saj vjen pyetja, ku do të gjenden të gjitha ato mjete financiare që vijnë në qarkullim me atë burim? Pa një ristrukturim të ekonomisë që ajo të funksionojë me burime etike dhe ligjore, çka ende nuk është rasti, bllokimi i ekonomisë të drogës, çka legjitimisht është kërkesë qytetare, do të shoqërohet paradoksalisht me eliminimin e një paraje që sjell në mënyrë kontradiktore, edhe shprishje të vlerave, edhe pabarazi ekonomike, edhe korrupsion, edhe mosfunksionim të marrëdhënieve mes votuesit, politikës dhe administratës, por edhe ca thërrime për të mbajtur frymën qytetari i thjeshtë, i cili nuk e di se nga vjen burimi i të ardhurave që ndonjëherë përbëjnë edhe shpërblimin e tij.