Majori / PD kërkon interpelancë me Kodhelin në Parlament: Duhet transparencë dhe llogaridhënie

0
125

af273384-f4c7-4dff-ab8d-9302ef6a3e55-0--640x340

Demokratët kërkojnë çuarjen e çështjes në Prokurori: Rasti duhet të zbardhet plotësisht

Partia Demokratike, të enjten që vjen, do të kërkojë interpelancë me ministren e  Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për rastin e përfshirjes së një majori shqiptar në trafikun e drogës. Sipas PD-së, ky rast nuk mund të trajtohet si një çështje personale e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë përkatëse, ajo e Mbrojtjes. Partia Demokratike do të kërkojë që qeveria të bëjë transparencë lidhur me aktivitetin e Forcave të Armatosura, pasi, sipas demokratëve, këto janë raste që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. “Si ka mundësi që Shërbimi Informativ i Ushtrisë apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të Flotës sonë Ajrore?”, – pyet PD-ja duke theksuar se për rastin e rrëzimit të avionit që drejtohej nga majori Sokol Feka, Prokuroria duhet të nisë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e enjte.

 

Rasti i majorit

Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi, sipas demokratëve, që tregon se ku ka përfunduar integriteti i Forcave tona të Armatosura. Në një deklaratë, deputetja Albina Deda bëri të ditur se Partia Demokratike do të kërkojë interpelancë parlamentare me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafik droge, ndërsa kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet. “Partia Demokratike i kërkon ministres së Mbrojtjes të bëjë transparencë mbi rastin e majorit të Forcave të Armatosura të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Kjo është një çështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli si punë e tyre personale. Kur një major, nga më të besuarit, siç pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten. Ne do të kërkojmë në Parlament interpelancë me zonjën Kodheli, por ftojmë Prokurorinë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes”, – tha deputetja demokrate. Sipas PD-së, të dhënat tregojnë se majori ka hyrë dhe ka dalë gjashtë herë nga vendi gjatë vitit të fundit deri para pak ditësh kur ndodhi ngjarja në Spanjë e për këto lëvizje Shërbimi Informativ i Ushtrisë nuk ka asnjë informacion. “Si ka mundësi që Shërbimi Informativ i Ushtrisë apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës sonë ajrore? Si mund të rekrutohet majori i besuar nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës? A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes se ku shkojnë oficerët dhe me çfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim? A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste?”, – shtroi pyetjet deputetja.

 

Standardet e FA-së

Partia Demokratike theksoi faktin se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, çfarë nënkupton se ka një vëmendje të shtuar ndaj Forcave tona të Armatosura. Por, sipas deputetes demokrate, kjo nuk është reflektuar pozitivisht, por ka rënie të integritetit të Forcave tona të Armatosura. “Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë bërë shumë reforma e përpjekje për arritjen e standardeve në këtë sektor në shumë vite. Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndërrimi i vendit në Kolumbi të Evropës. Pak kohë më parë, u zbulua se infrastruktura e mbrojtjes ishte përdorur për trafik droge. Në fillim Edi Rama dhe Ilir Meta u tallën dhe i quajtën avionët e narkotrafikut mushkonja, por më pas të dhënat treguan përdorimin kriminal të Gjadrit dhe pikave të tjera dhe qeveria u detyrua nga presioni publik e qytetar të mbyllë aerodromet. Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i Forcave tona të Armatosura”, – tha deputetja Deda.  Në këtë kontekst, PD theksoi se duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin, si dhe është e nevojshme llogaridhënia. Partia Demokratike do të vërë në lëvizje çdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge”, – bëri të ditur deputetja e PD-së.

 

 

Skandal

Ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, sekser i “Bechtel” për autostradën

 

Prestigjiozja “Foreing Policy” ka kryer një investigim të plotë për ndërtimin e rrugës Vermicë-Merdarë, e cilësuar si vazhdimi i Rrugës së Kombit në Kosovë nga kompania amerikane “Bechtel”, duke hedhur akuza të rënda për përfshirjen në një aferë korruptive të ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell. “Foreing Policy” shkroi se Christopher Dell ka bërë sekserin, duke ndihmuar kompaninë amerikane për të fituar tenderin që u ka kushtuar taksapaguesve të një vendi të varfër si Kosova 1.3 miliardë dollarë për një autostradë 77 kilometra të gjatë. “Autostrada është përfunduar në vitin 2013 me një gjatësi rreth 77 kilometra dhe kostoja e saj ka shkuar rreth 1.3 miliardë dollar, sipas një shifre zyrtare të publikuar nga qeveria e Kosovës. Ai ishte projekti më i kushtueshëm në historinë moderne të Kosovës. Por, sot autostrada përdoret vetëm në 1/3 e kapacitetit të saj”, – shkruan “Foreign Policy”. Revista shkruan se Christopher Dell ka mbështetur publikisht projektin e autostradës, edhe pse institucionet ndërkombëtare kishin ngritur mjaft pikëpyetje mbi vlerën e rrugës, kontrata për të cilin është nënshkruar në prill 2010.

Ish-ambasadori amerikan la Prishtinën në 2012 dhe mori një tjetër pozicion diplomatik, para se të dilte në pension në tetor 2013. Një muaj më pas, “Bechtel” e punësoi atë si një përfaqësues të tij në Mozambik. “Foreign Policy” thekson se firma amerikane i kishte bërë një ofertë pune në korrik 2012 ambasadorit, një muaj para se ai u largua nga Kosova, në mes të ndërtimit të autostradës.

 

 

Shkurt

PD:Qytetarët dhunohen, të afërmit me Kryeministrin, ndërtime pa leje në mes të Tiranës

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po vepron me standarde të dyfishta sa u përket ndërtimeve pa leje. Ndërsa qytetarët futen në burg dhe u prishet ndërtesa, nëse ajo është pa leje, deputetë e ministra mund të ndërtojnë edhe afër detit, edhe në mes të Tiranës. Kështu tha deputeti Gert Bogdani nga selia blu. “Shqipëria sot, është një Shqipëri ku futet në burg qytetari dhe lejohet të shkelë ligjin sipas qejfit pushtetari. Arroganca e këtij pushteti ka arritur në atë pikë sa qytetarët dhunohen, u shkatërrohet prona dhe futen në burg deri për një fjalë goje, ndërkohë që miqtë e Kryeministrit e deri ministrat e tij e shkelin ligjin pa pikën e përgjegjësisë. Ndërkohë që qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë u prishen shtëpitë dhe bizneset e ndërtuara me djersën e tyre, vetë Kryeministri e nisi ditën e parë të punës duke ndërtuar pa leje, miqtë e tij ndërtojnë në mes të Parkut të Liqenit, deputeti buzë detit, ndërsa ministri i tij ndërton pa leje në mes të Tiranës”, – akuzoi deputeti.