Mazniku: Kjo është pa dyshim reforma më e papolitizuar në këta 20 vjet dhe çdo tentativë për ta ndryshuar këtë është mjerane
Projektligji për arsimin e lartë është bërë shkak për përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa opozita kërkon rishikimin e draftit të ri për arsimin e lartë, duke mbështetur akademikët që e quajnë këtë draft cenim të autonomisë së universiteteve publike, Ministra e Arsimit nga ana tjetër thekson se ky është projektligji i parë që është hartuar jashtë interesave politike. Zëvendësministri i Arsimit, Arbian Mazniku, tha dje se ndryshe nga “pseudoreformat” e së shkuarës, kjo nuk është një reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet, nuk është reformë e të zgjedhurve të politikës për të shkëmbyer privilegje me të zgjedhurit e trupës akademike. Por këtë këndvështrim nuk e kanë demokratët, që theksojnë se drafti i ri i qeverisë që është ende në diskutim, duhet të rishikohet bazuar në kërkesat dhe propozimet e akademikëve. Sipas demokratëve, në projektligj është vënë re cenimi i Kartës së Bolonjës dhe Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, elemente që i kanë theksuar akademikët.
Qëndrimet e kundërta
Ndërsa Partia Demokratike, duke u bazuar tek argumentet e akademikëve të Universitetit të Tiranës, konstatojnë se projektligji për arsimin e lartë shkel autonominë financiare, akademike dhe institucionale, qeveria thekson se e vërteta është e kundërt. Kreu i departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në PD, Luçiano Boçi, shprehu dje mbështetjen për konstatimet e akademikëve, duke i quajtur të drejta. Akademikët e Universiteti publik kanë kundërshtuar projektligjin për arsimin e lartë, duke i kërkuar qeverisë që ta rishikojë edhe një herë. “Partia Demokratike përshëndet vendimin e Senatit Akademik të UT, i cili miratoi qëndrimet e strukturave të tij pranë fakulteteve, për të kundërshtuar projektligjin për arsimin e lartë”, – tha Boçi. “Ajo i konsideron dhe i gjen të drejta e reale shqetësimet dhe konstatimet e stafeve akademike të UT për shkeljet kushtetuese të autonomisë financiare, akademike e institucionale, për cenimin e parimeve themelore të Kartës së Bolonjës dhe Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, për synimin e hapur të kontrollit të plotë qeveritar ndaj universiteteve publike nëpërmjet bordit të administrimit dhe rrjetit të agjencive burokratike, për përjashtimin e studentëve nga procesi i vendimmarrjes. Partia Demokratike mbështet ndryshimet e kërkuara dhe angazhohet me instrumentet e saj ligjore që kërkesat e stafeve akademike të UT, për rishikim të projektligjit, në shërbim të kushtetutshmërisë, autonomisë e konkurrencës së drejtë, të gjejnë shprehjen e tyre konkrete”, – u shpreh kreu i departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.
Ministria
Zëvendësministri i Arsimit, Arbian Mazniku, reagoi duke sqaruar se projektligji për arsimin e lartë, i cili ka ngjallur debate mes qeverisë dhe opozitës, por edhe të senateve akademike, është jashtë interesave politike. Mazniku tha se kjo është reforma e parë 100% e papolitizuar dhe se çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë është mjerane. “Kjo është një reformë për studentin dhe për prindërit e tyre. Një reformë që synon t’i japë vlerë mundit, kohës dhe financave të familjeve dhe taksapaguesve, duke siguruar që institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë dije dhe cilësi”, – tha Mazniku. “Projektligji për arsimin e lartë që po diskutohet është produkt i një procesi unik gjatë gjithë historisë së arsimit të lartë, ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Draftligji është produkt i punës së një komisioni ekspertësh të pavarur, larg interesave politike, gjithëpërfshirës dhe profesional”, – tha zëvendësministri. Kjo është e para reformë që është hartuar në mënyrë të tillë që nuk lejon shkëmbimin e privilegjeve të politikës. “Ndryshe nga pseudoreformat e të shkuarës, kjo nuk është një reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet, nuk është reformë e të zgjedhurve të politikës për të shkëmbyer privilegje me të zgjedhurit e trupës akademike”, – vijoi Mazniku. “Kjo është pa dyshim reforma më e papolitizuar në këta 20 vjet dhe çdo tentativë për ta ndryshuar këtë është mjerane”, – tha ai. Ai siguroi institucionet e arsimit të lartë se çdo vërejte e tyre do të merret parasysh dhe do të shqyrtohet me seriozitet. “Ministria e Arsimit falënderon të gjitha institucionet e arsimit të lartë, që kanë përcjellë tek ne vërejtjet e tyre për projektligjin. I sigurojmë ata që çdo vërejtje do të shihet me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet që kemi dëgjuar çdo vërejtje gjatë gjithë këtij procesi”, – mbylli reagimin zëvendësministri i arsimit.
Ku konsiston reforma, ndryshimet
këtë reformë Mazniku e cilësoi si “kantier i autonomisë reale”. Kjo autonomi, sipas zëvendësministrit, shtrihet në fushën e financimit, organizimit të brendshëm, transparencës dhe llogaridhënie ndaj publikut. “Drafti sjell ndryshime rrënjësore të hapësirës së arsimit të lartë në vend, duke synuar rritjen e cilësisë dhe krijuar një balancë të re midis zgjerimit të autonomisë, mekanizmave të kontrollit të cilësisë dhe përmbushjes së përgjegjësi kushtetuese për të drejtën për arsim. Projektligji rrit ndjeshëm autonominë universitare në vend, duke deleguar kompetenca nga Ministria drejt vetë institucioneve, vendimmarrjet e rëndësishme, mbi kuotat dhe kriteret e pranimit të studentëve, mbi numrin dhe pagat e stafit akademik, mbi tarifat e studimit dhe buxhetet e universiteteve. Ky ligj është i pari kantier i autonomisë reale. Për ne autonomi nuk është vetëm e drejta për zgjedhur trupat akademikë. Autonomia në këtë ligj shtrihet në fushën e financimit dhe organizimit të brendshëm dhe ajo vjen natyrshëm së bashku me përgjegjshmërinë për transparencë, llogaridhënie ndaj publikut dhe sigurim të standardeve të cilësisë”, – theksoi Mazniku. Duke sqaruar draftin, zv.ministri tha se kjo është reforma që është hartuar më qëllimin e vetëm për të rritur cilësinë, konkurrencën dhe meritën e institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë. “Autonomia nuk është qëllim në vetvete, por një instrument për të siguruar cilësinë, konkurrencën, meritën dhe transparencën. Autonomia nuk nënkupton heqjen dorë nga transparenca dhe as nga përgjegjësia kushtetuese e qeverisë për të siguruar qytetarët për arsimin, cilësinë e tij, financimin dhe institucionet ofruese”, – tha Mazniku.