Vendimi / Mashtrimi me TVSH, dënohen 9 vite e 4 muaj burg katër të pandehur

0
199

largea_prokuroria-e-pergjithshme1411914360

Alma Çuka

Ulet në minimum dënimi. Ngritën 11 kompani kineze fantazmë. I morën shtetit rreth 5 milionë euro në një ditë. Një pjesë e personave përgjegjës gjykohet në proces të veçuar

 

Gjykata e Tiranës i jep fund procesit gjyqësor kundër pesë të pandehurve ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, akuzuar për mashtrim me vlerën e TVSH-së, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 520 milionë lekësh të reja. Pas një procesi, i cili zgjati rreth një vit, gjyqtarja Klorinda Çela deklaroi fajtorë katër nga pesë të pandehur. Bëhet fjalë për një skemë rimbursimi me TVSH, ku përmes zyrtarëve të tatimeve në bashkëpunim krijoheshin kompani fantazma kineze, të cilat regjistroheshin në QKR, më pas mbyllnin aktivitetin brenda tre ose katër ditëve. Duke parë vendimin e Gjykatës kuptohet lehtë se kërkesa e organit të akuzës për masën e dënimit ka qenë shumë më e madhe. Kështu, bëhet me dije se i pandehuri Lauren Vata, ish-përgjegjës i sektorit të Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, deklarohet fajtor dhe dënohet me 18 muaj burgim, Prokuroria kishte kërkuar 9 vite burg. I hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për një periudhë 2-vjeçare. I pandehuri Edmond Osmani, inspektor pranë këtij institucioni, deklarohet fajtor dhe dënohet me 2 vite e 8 muaj burgim, nuk duhet të ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. 9 vite burgim kishte kërkuar për këtë të pandehur edhe Prokuroria e Tiranës për tri vepra penale, atë të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Gramos Milushi një tjetër i pandehur edhe ky me detyrën e inspektorit të tatimeve në Tiranë, deklarohet fajtor për shpërdorim detyre dhe dënohet me 6 muaj burgim dhe pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij reduktohet në katër muaj burgim. Gjykata i heq të drejtën e ushtrimit të profesionit në administratën publike për tri vite. Prokuroria kishte kërkuar për këtë të pandehur dënimin me tetë vite burg. Ndërkohë Kujtim Metalia me detyrën inspektor, deklarohet i pafajshëm për të gjitha veprat penale dhe Gjykata urdhëron lirimin e tij nga çdo pengesë ligjore. Për këtë të pandehur Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 7 vite burg. Gjergji Tupe, drejtues i një biznesi privat, është dënuar nga gjykata me 7 vite burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar më 4 vite e 8 muaj burg. Të gjitha shpenzimet gjyqësore sipas vendimit të Gjykatë si ngarkohen të pandehurve. Gjykata ka marr parasysh kërkesën e prokurorisë për të dënuar me 7 vite burg vetëm të pandehurin Gjergji Tupe.

 

Argumentet

Të pandehurit janë përgjegjës lidhur me procedurat e rimbursimit të TVSH-së, gjatë zbatimit të së cilës janë konstatuar veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 11 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin, duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disa ditore. Të 11 shoqëritë e shitura janë blerë nga dy shtetasit shqiptarë, Mirjan Beneja, i cili është shpallur në kërkim dhe ndaj tij hetimet vazhdojnë dhe Gjergji Tupe. Këta të dy sipas të dhënave kanë qenë të afërt dhe gjithë veprimtarinë e kanë nisur duke shfrytëzuar njohjet. Shoqëritë menjëherë sapo kanë marrë rimbursimin në vlera të mëdha kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR-së. Si rezultat i këtyre veprimeve është shkaktuar një dëm rreth 520 milionë lekë të reja dhe në këtë veprimtari kriminale ka rezultuar të jenë përfshirë, edhe punonjës të administratës tatimore rajonale Tiranë si dhe dy ortakët e vetëm të shoqërive që kanë përfituar edhe rimbursimin e TVSH-së. Për këtë ngjarje u vu në pranga edhe ish-drejtoresha e Tatimeve Afërdita Hysi, e cila nuk është hetuar me të njëjtin grup dhe Tahir Kuka. Të dy këta persona janë duke u hetuar në mungesë. Sipas prokurorisë, biznesmenët Tupe dhe Mineja, me anë të falsifikimit të dokumenteve më datë 3 korrik 2013 kanë blerë 11 kompanitë e shtetasve kinezë, që ishin larguar nga Shqipëria në vitin 2006. Pas marrjes se parave ata i kanë regjistruar subjektet pranë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe kanë kërkuar likuidimin e tyre.

 

Hetimet

Hetimet ndaj 7 zyrtarëve të Tatimeve Tiranë dhe dy biznesmenëve që kishin ngritur një skemë mashtrimi me kompani fantazmë nisën pas kallëzimit penal që dërgoi në Prokurori Ministria e Financës. Sipas një auditi të kryer nga ky institucion rezultoi se 11 kompani, në pronësi të shtetasve Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe ishin rimbursuar për TVSH-në në shumën e 515 milionë 455 mijë e 275 lekë të reja. Dy biznesmenët me prokura të falsifikuara kishin mundur të blinin 11 kompani kineze, të cilat pasi i kishin regjistruar në emrin e tyre kanë kërkuar likuidimin, duke “futur në lojë” zyrtarët e Tatimeve, që sipas prokurorisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Gjatë hetimeve ka rezultuar se të pandehurit nuk kanë respektuar kriteret ligjore dhe në kundërshtim me ligjin kanë propozuar dhe miratuar rimbursimin e TVSH-së, pasi dy pronarët e kompanive kishin kërkuar likuidimin dhe kërkonin t’u rimbursoheshin mallrat e mbetura stok. Por sipas prokurorisë, aktiviteti i këtyre kompanive ka qenë tërësisht fiktiv dhe i regjistruar vetëm në letra, pasi në asnjë rast nuk është vërejtur aktivitet real i tyre. Hetimet e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës tregojnë se 33-vjeçari Mirjan Beneja, i cili është shpallu rtnë kërkim dhe hetohet më vete dhe bashkëpunëtori i tij, Gjergji Tupe kanë mundur të sigurojnë disa prokura të falsifikuara nga disa shtetas kinezë, të cilët i autorizonin ata të kryenin çdo veprim të mundshëm me kompanitë. Bizneset, kryesisht me emra kinezë ishin regjistruar në Shqipëri përgjatë vitit 2004 dhe pronarët e tyre ishin shtetas kinezë, që autorizonin dy shqiptarët tashmë të shpallur në kërkim për kryerjen e veprimeve të nevojshme për llogari të kompanive. Përgjatë vitit 2007, shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe sigurojnë prokurat që sipas prokurorisë janë të falsifikuara dhe nisin një operacion shit-blerjesh kompanish mes tyre. Nga 11 kompanitë me veprimtari fiktive rezulton se 6 prej tyre janë blerë nga shtetasi Mirjan Beneja dhe pesë nga shtetasi Gjergji Tupe. Të gjitha kontratat e shitjes së kompanive janë realizuar pranë një notereje në qytetin e Korçës, ku dy personat paraqiteshin herë si shitës e herë si blerës të kompanive. Veprimet kontraktore janë kryer përgjatë muajit korrik 2013 dhe pas nënshkrimit të kontratave, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe janë bërë pronarë të ligjshëm të 11 kompanive, të cilat janë regjistruar në QKR.

 

Likuidimi

Prokuroria thotë se kontrollet e inspektorëve të tatimeve janë kryer për periudhën 1 korrik 2008 – 31 korrik 2013, kohë për të cilën është bërë edhe rimbursimi i TVSH-së në vlerën e rreth 5 milion eurove. Por pavarësisht se është konstatuar se përgjatë kësaj periudhe, kompanitë nuk kanë pasur asnjë aktivitet, inspektorët e Tatimeve e kanë miratuar rimbursimin e TVSH-së, edhe pse pjesa e aktivitetit i përkiste periudhës përpara vitit 2008. Ky fakt është pranuar nga inspektorët, të cilët kanë bërë miratimin e TVSH-së së mbartur përpara vitit 2008, edhe pse për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë lloj dokumentacioni që mund t’i nënshtrohej kontrollit. Prokurorët shprehen se pavarësisht se është konstatuar se nuk mund të ushtrohej kontroll dhe nuk ka qenë e mundur kryerja e detyrave për kontrollin e TVSH-së, për shkak se kjo TVSH ishte e mbartur përpara vitit 2008 dhe nuk ka pasur asnjë lloj dokumentacioni për një kontroll të tillë, nga ana e inspektorëve është bërë miratimi i TVSH-së në shumën që është kërkuar nga ana e përfaqësuesve të subjekteve dhe këto raporte kontrolli kanë kaluar për miratim.

 

Funksionimi i skemës      

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Shpërdorimit te detyrës”, “Vjedhjes” me pasoja të rënda dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 të Kodit Penal. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se një shtetas shqiptar, nëpërmjet disa prokurave të falsifikuara ka realizuar shitjen në Shqipëri të disa kompanive, të regjistruara nga shtetas të huaj. Nga këto, 6 kompani i ka blerë vetë dhe 5 të tjera, si i autorizuar nga kompanitë e huaja, ia ka shitur shtetasit tjetër. Këto kompani, pas blerjes, këta dy shtetas i kanë regjistruar në QKR. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, pra dy shtetasit e pandehur, kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likuidimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë e sipërpërmendura në vlera të mëdha, kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës qershor – tetor 2013. Bazuar në kërkesën për ç’regjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likuidimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekë të reja. Nga verifikimet, krijohen dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes” dhe “Korrupsionit pasiv” nga ana e inspektorëve tatimorë që kanë kryer kontrollin për rimbursimin e TVSH-së në këto kompani, përgjegjësi i sektorit të kontrollit, drejtori i kontrollit, dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

 

Të pandehurit

Lauren Vata, i vitlindjes 1981, ish-përgjegjës i sektorit të Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dënuar me 18 muaj burg nga 9 që kërkoi akuza

Edmond Osmani, i vitlindjes 1979, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Dënuar 2 vite e 8 muaj burg nga 9 kërkuar nga akuza

Gramos Milushi, i vitlindjes 1984, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Dënohet 6 muaj burg nga 8 vite që kishte kërkuar akuza

Kujtim Metaliaj, i vitlindjes 1960, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Deklarohet i pafajshëm. Prokuroria kishte kërkuar 7 vite burg

Gjergji Tupe, i vitlindjes 1959, me aktivitet në sektorin privat. Dënohet 7 vite, po kaq kërkoi dhe akuza, me gjykim të shkurtuar 4 vite e 8 muaj

 

Emrat e kompanive fantazmë

Sheng-Da Ana

Tai-Ping-Yong

Tirana HQ Import Eksport

Be-Ni-Sa

Asterix

Ventura

Nam Kwong

Tong Da Horizonti

Lumturia

F & M Import Eksport

Hong De – 41.890.000 lekë

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency