Hetimet/ Komisioni i Etikës shtyn vendimet, shkaku, volumi i dosjeve për trukimet e ndeshjeve

0
137

Dosjet voluminoze kanë bërë që Komisioni i Etikës të shtyjë vendimet për javën e 19-të

teuta flamurtariKomisioni i Etikës sërish nuk mori një vendim lidhur me ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, pasi për shkak të dosjeve voluminoze për ndeshjen Teuta-Flamurtari, shtyu gjithçka për në mbledhjen e datës 4 shkurt. I mbledhur për të marrë në pyetje dëshmitarë mbi sfidën e Vlorës, por edhe takimet Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani, Komisioni i Etikës dëgjoi dëshmitë e gjyqtarit të sfidës Kridens Meta, presidentit të Flamurtarit Sinan Idrizi dhe drejtorit teknik të klubit vlonjat Ardi Behari, të cilët u pyetën dhe dhanë shpjegimet e tyre në lidhje me minutat e fundit të takimit me Teutën, në javën e 19-të të Superiores. Pas atij takimi, ishte klubi i Flamurtarit që denoncoi sjelljen e skuadrës së Teutës në fushë ashtu si dhe tifozeria e saj, me presidentin e kuqezinjve që madje bëri thirrje se do të tërhiqej nga kampionati, në rast se nuk niste një hetim nga FSHF, por edhe qeveria shqiptare. Pasi dëgjoi dëshmitë e tyre, Komisioni i Etikës vendosi të mblidhej përsëri të mërkurën e 4 shkurtit, në orën 14:00, për shkak se materialet që do të shqyrtohen janë mjaft voluminoze dhe kërkojnë më tepër kohë në dispozicion. Ditën e mërkurë, Etika do të thërrasë për të dëshmuar edhe persona të tjerë për takimet Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani. Rrëmuja e madhe e ditëve të fundit mbi trukimet solli edhe ngritjen e institucionit që do të merret hetimin e ngjarjeve të ndodhura në ndeshjet e fundjavës në Superligë. Komisioni i Etikës pranë FSHF-së ka vendosur të thërrasë dëshmitarë për të hetuar në lidhje me dyshimet për trukime të disa prej ndeshjeve të javës së 19-të të Kategorisë Superiore, më konkretisht, Flamurtari-Teuta, Laçi-Partizani, por edhe Vllaznia-Kukësi. Anëtarët e organizmit të krijuar enkas për të luftuar dukurinë e trukimit janë takuar në mjediset e Federatës në një mbledhje që u programua menjëherë pas fundjavës dhe akuzave për tolerim në disa prej ndeshjeve në fjalë. Si hap të parë, kanë ndërmarrë vëzhgimin e pamjeve filmike të këtyre takimeve si dhe janë njohur me raportet e zyrtarëve të ndeshjeve përkatëse. Pas diskutimeve të rastit, Komisioni i Etikës ka vendosur që si hap të mëtejshëm të thërrasë para tij për të dëshmuar të gjithë anëtarët e klubeve që janë përfshirë në këtë çështje që mendohet se mund të japin dëshmi të vlefshme në lidhje me hetimin. Paralelisht me hetimin në drejtësinë sportive, njëra nga ndeshjet në fjalë, e pikërisht ajo mes Flamurtarit dhe Teutës, po hetohet edhe në drejtësinë penale, me Prokurorinë e Vlorës që njoftoi se ka nisur hetimet kryesisht për takimin që u luajt të shtunën e kaluar. Për sa i përket Komisionit të Etikës, ky organ në të kaluarën ka dhënë disa vendime në lidhje me akuzat për paracaktim të rezultatit apo garës në futbollin shqiptar. Në shkurt të vitit 2013, Komisioni i Etikës ndëshkoi me nga 1 500 000 lekë klubet e Bylisit dhe të Kastriotit, duke gjykuar se kishin trukuar ndeshje, konkretisht Kastrioti u dënua për ndeshjen e fituar në Kupë 4-2 ndaj Shkumbinit, ndërsa Bylisi mori dënimin, pasi u gjykua se kishte hapur qëllimisht portën në disfatën 3-0 të pësuar nga Flamurtari. Një vit më parë, në 2012, Komisioni i Etikës vendosi që të mos akordoheshin çmimet “Këpuca e Artë” e Kategorisë Superiore edhe asaj të Parë, duke gjykuar se gara për titullin e kryegolashënuesit në këto kompeticione ishte kompromentuar. Gjithçka vjen jo vetëm pas pamjeve të drejtpërdrejta të këtyre dy takimeve, por edhe pas akuzave që erdhën nga drejtuesit e Flamurtarit për tolerim nga ana e skuadrës mike në minutat e fundit.

Edgar Çani transferohet te Lids Junajtid

Lids Junajtid mposht konkurrencën e Barit për kartonin e Edgar Çanit. Sulmuesi shqiptar ka vendosur ta vijojë karrierën në Angli në Championship, në klubin që drejtohet nga italiani Masimo Çelino. Edhe pse fillimisht u fol për një transferim nga Katania në formën e huazimit, klubi anglez ka derdhur 600 mijë euro në arkat e sicilianëve për blerjen përfundimtare të sulmuesit kuqezi, që prej më shumë se dy sezonesh e ka humbur shkëlqimin si dhe vendin në kombëtare. Fillimisht Katania i vuri një çmim prej 700 mijë eurosh kartonit të Çanit, shifër kjo që u konsiderua e lartë nga drejtuesit e Lidsit. Gjithsesi, marrëveshja u arrit për 100 euro më pak, me shtatlartin shqiptar që u nis menjëherë drejt Anglisë. Aktualisht Lids Junajtid renditet në vendin e 19-të në Championship në kuotën e 32 pikëve, vetëm 5 pikë larg zonës së ftohtë. Objektivi i skuadrës së Çelinos për këtë sezon është mbijetesa, ndërsa një sezon më pas ngjitja në Premier League përkrah klubeve më me emër në Angli.

Kuadrado zyrtarisht transferohet te Çelsi

Huan Kuadrado tashmë është lojtar i Çelsit. Futbollisti kolumbian ka braktisur Fiorentinën për të nënshkruar me klubin londinez. 26-vjeçari ka nënshkruar kontratë prej katër vjet e gjysmë me skuadrën e Hoze Murinjos. “Me kënaqësi ju njoftomë se kemi transferuar Juan Kuadradon nga Fiorentina”, – thuhet mes tjerash në njoftimin e “bluve”. “Ky është një klub i madh dhe sinqerisht është si një ëndërr bashkimi me familjen e Çelst dhe për faktin se e di që trajneri beson tek unë”, – është shprehur lojtari.

Juventusi rikthen Sturaron

Juventusi zyrtarisht e ka rikthyer në skuadër Stefano Sturaron, i cili ishte huazuar te Xhenoa për pjesën e parë të sezonit. Bardhezinjtë e kishin transferuar mesfushorin gjatë verës, para se ta dërgonin atë si huazim te Xhenoa. Megjithatë, kampionët e Serisë A e kanë rikthyer atë dhe ai tashmë ka marrë pjesë në stërvitjen e parë me skuadrën. “Nënshkrimi i verës për Juventusin, ylli i lëvizshëm dhe në ngritje Stefano Sturaro, rikthehet në Torino pas huazimit frytdhënës me ish-klubin e tij Xhenoa, me qëllim që të ofrojë mbulesë për mesfushën e torinezëve, edhe në sulm, edhe në aspekt mbrojtës”, – shkruhet në deklaratën e Juves.

Lampard: Nuk kam mosmarrëveshje me Murinjon

Frenk Lampard ka mohuar se ka ndonjë çarje në mes tij dhe menaxherit të Çelsit, Hoze Murinjo, rreth transferimit të tij kontrovers te Mançester Siti. “A është zemëruar Murinjo për largimin tim? Nuk e di, ju duhet ta pyesni atë”, – ka thënë Lampard. “Ky është futbolli dhe nuk kam folur me të aq shumë së fundmi. Nuk mendoj se ka hapësirë për hidhërim dhe, nëse ka, atëherë do të përballem me këtë. Dëgjoni, unë nuk dua të përpiqem të them se ka diçka. Kam marrë mesazh nga ai gjatë Krishtlindjeve, i kam shkruar sërish. Kemi folur në dhomën e zhveshjeve. Ne jemi njerëz të rritur. Ne bëjmë pjesë në klube të ndryshme. Hoze ishte te Çelsi, ai u largua në ekipe të tjera, por u kthye. Kushedi çfarë do të sjellë e ardhmja? Ai mund të largohet sërish”, – ka shtuar anglezi.