Shtegu i rëndë

0
139

Hermann Hesse

Alphonse Mucha spirit-of-spring-1894Përbri hapjes së errët të shkëmbit, në të hyrë të grykës, rrija i nguruar dhe ktheva kokën prapa. Dielli ndriste atë botë të këndshme të blertë, e mbi livadhe, lulëzimi ngjyrë kafe i barit valëzohej dhe drithërinte. Ishte e këndshme të ishe aty në ngrohtësinë dhe qetësinë aq të dashur, aty ku shpirti jehonte thekshëm dhe gëzueshëm sikur grerëza në erandë të rëndë dhe dritë të fortë; ndoshta isha i marrë që desha ta lija këtë dhe t’i ngjitesha malit.
Udhërrëfyesi im më fshiku lehtë në sup. Largova sytë nga peizazhi i dashur, si njeriu që detyrohet të largohet nga banja e ngrohtë. Tani shihja grykën që shtrihej në errësirën pa diell, një përrua i errët përvidhej nga një e çarë, bari i zverdhur rritej në tufa të vogla brigjeve, në shtratin e tij dukeshin gurët që ishin rrokullisur, gurët e të gjitha ngjyrave, të zbardhur, pa jetë, si eshtrat e krijesave që kanë vdekur shumë kohë më parë.
“Do të pushojmë”, i thashë udhërrëfyesit tim.
Ai buzëqeshi lehtë, pastaj u ulëm. Bënte freskët dhe prej grykës pa diell vinte si përrua i errët një frymë e ftohtë e shkëmbit.
Është e prapë, e prapë të shkohet kësaj udhe! Është e prapë të detyrohesh të kalosh nëpër këtë hyrje të zymtë shkëmbore, të ecësh nëpër këtë përrua të ftohtë, të ngjitesh në errësirë e kësaj gryke të llomitur!
“Shtegu duket i tmerrshëm”, thashë me përtesë.
Sikur të ngrihej nga hiri, në mua u ndez një shpresë e fuqishme, e pabesueshme dhe e paarsyeshme, një shpresë që mbase mund të kthehemi prapa, se udhërrëfyesi im mund t’i lejojë vetes të bindet se ne mund të kursehemi nga e gjithë kjo. Po, pse jo, me të vërtetë. A nuk ishte një mijë herë më i bukur vendi që lamë pas? A nuk rridhte atje jeta më begatshëm, më ngrohtë e më magjepsëse? Dhe, a nuk isha unë një qenie njerëzore, fëmijërore, një krijesë jetëshkurtër, me të drejtën e një copëze lumturi, një këndi të këndshëm nën diell, një pamjeje të qiellit të kaltër dhe të luleve?
Jo, unë doja të rrija aty ku isha. Nuk kisha dëshirë ta krijoja heroin a dëshmorin! Do të kënaqesha gjithë jetën time po të më lejohej të qëndroja në luginë dhe në diell.
Tashmë kisha nisur të mërdhija; nuk ishte e mundur të qëndroja këtu më gjatë.
“Po nerth”, më tha udhërrëfyesi. “Do të ishte më mirë të ecim tutje”.
Sa e tha këtë, ai u ngrit dhe në çast u zgjat me tërë gjatësinë e vet duke më shikuar i buzëqeshur; nuk kishte as përbuzje as simpati në buzëqeshjen e tij, as ashpërsi, as bashkëndjesi. Nuk kishte asgjë përveç kuptimit, asgjë përveç dijenisë. Ajo buzëqeshje thoshte: “Të njoh. E di që ke frikë dhe e di si ndjehesh. Në asnjë mënyrë nuk kam harruar kryelartësinë tënde të djeshme e të pardjeshme. Secila nga lëvizjet qyqare prej lepuri në të cilat tash po sharron shpirti yt, secili prej shikimeve joshëse në shkëlqimin e dashur të diellit atje jashtë, është shumë i njohur dhe i afërt për mua para se ta shfaqësh atë”.
Me këtë buzëqeshje më shikoi udhërrëfyesi im dhe u nis i pari drejt humnerës së errët para nesh, e unë e urreja dhe e doja siç e do dhe e urren i ndëshkuari sëpatën mbi qafë. Mbi të gjitha, e kisha mëri dijen e tij, zotësinë e prijësit dhe qetësinë e tij, mungesën e dashur të dobësisë, dhe urreja çdo gjë tek unë pajtohej me të, që i jepte të drejtë, që dëshironte të ishte si ai, të shkonte pas hapave të tij.
Kishte kaluar një copë rrugë, i kishte rënë trup përroit duke shkelur mbi gurë dhe ishte mu në pikën ku do të zhdukej nga shikimi pas kthesës së parë.
“Ndal!”, e thirra unë, i mbushur me frikë sa njëkohësisht fillova të besoj: nëse kjo ishte ëndërr, në këtë çast tmerri im do ta shprishte dhe unë do të zgjohesha. “Stop!” thirra. “Unë nuk mund ta bëj këtë, nuk ende jam gati”.
Udhërrëfyesi ndaloi dhe më shikoi nga ana tjetër, pa turp, me kuptimin e tij të tmerrshëm, me dijen dhe parandjenjën e padurueshme se kishte kuptuar çdo gjë më herët.
“Mos ke dëshirë të kthehemi?” pyeti ai, dhe nuk e kishte përfunduar fjalën e fundit kur e mora vesh, plot mllef, se do të thosha jo, se duhej të thosha jo. Dhe, njëkohësisht, në mua, çdo gjë, aq gjatë e njohur, e dashur dhe e besuar, bërtiste me dëshpërim: “Thuaj po, thuaj po!” dhe gjithë bota e vendlindja ishin lidhur si një gjyle prangash në këmbe.
Doja të bërtisja po, edhe pse e dija shumë mirë se nuk mund ta bëja këtë.
Atëherë, me dorë të zgjatur, udhërrëfyesi im shënjoi prapa, nga lugina, dhe unë u ktheva edhe njëherë nga ato vise të dashura. Ajo që shihja tani ishte më e dhembshmja nga ç’kishte mundur të ndodhte: I shihja luginat dhe fushat e mia të dashura që dukeshin të zbehta dhe pa shkëlqim në diellin e zbardhur e të dobësuar, ngjyrat përziheshin, falso e të ashpra, hijet kishin një të zezë të ndryshkur dhe pa magji dhe zemrës i ishin shkurtuar të gjitha, ishin humbur sharmi e aroma – gjithçka këmbëngulte me erën dhe shijonte deri në turbullimin marramendësisht të ëmbël. Oh, e njihja mirë gjithë këtë, sa e kisha frikë dhe e urreja këtë truk të tmerrshëm të udhërrëfyesit, këtë degradim të gjithçkaje që ishte e dashur dhe e këndshme për mua, që ia shtrydhte shpirtin dhe lëngun, duke i falsifikuar erërat dhe duke i helmuar fshehurazi ngjyrat! Oh, e njihja këtë; çka ishte deri dje verë, sot ishte uthull. Dhe uthulla nuk do të kthehet kurrë më në verë. Kurrë më.
Isha i qetë dhe i pikëlluar ndërsa shkoja pas udhërrëfyesit. Ai tash kishte të drejtë, si gjithmonë. E mira e së mirës ishte që së paku e shihja, e jo, si ndodh zakonisht, në momentet e vendimmarrjes, të zhdukej papritur dhe të më lente vetëm me zërin e huaj në mua, në të cilin në ato çaste ai e shndërronte veten.
Unë isha i qetë por zemra më thërriste fuqishëm: “Vetëm rri, unë do të vij pas!”
Guralecët e përroit ishin shumë të rrëshqitshëm; ish e lodhshme dhe marramendëse të ecje kështu, hap pas hapi, gurëve të vegjël të lagur që rrëqitnin dhe fundoseshin nën këmbë. Në të njëjtën kohë shtegu i përroit filloi të thepisej dhe muret e shkëmbinjve të errët nisën t’i afroheshin njëri tjetrit, fryheshin dhe secili prej skajeve shfaqte një tentim keqdashës për t’u shembur pas shpine, për të na ndarë përjetë nga bota. Mbi shkëmbinjtë e verdhë të mbuluar me myshk rridhte një litar uji. S’kishte qiell mbi ne, as re, as kaltërsi.
Eca e eca, duke i shkuar pas udhërrëfyesit dhe shpesh duke mbyllur sytë nga frika dhe pështirja. Atëherë aty ish një lule e errët që rritej bri shtegut, një e zezë e kadifesë së pikëllueshme. Ishte shumë e bukur dhe më dukej shumë e afërt, por udhërrëfyesi im ecte edhe më shpejtë dhe unë e ndieja se po të qëndroja një çast, nëse i kushtoja më tepër se një shikim atij syri të pikëlluar kadife, dëshpërimi dhe vrenjtësimi im pa shpresë do të bëheshin gjithëkaplues dhe të padurueshëm, kurse shpirti im do të mbetej i burgosur përjetë në atë vend të pandjesisë dhe çmendurisë qesëndisëse.
Zvarritesha i lagur e i ndytë dhe, derisa muret e shkëmbinjve i afroheshin njëri-tjetrit mbi ne, udhërrëfyesi filloi të këndonte këngën e vjetër të ngushëllimit. Me zërin e tij të pastër rinor ai këndonte pas çdo hapi: “Do t’ia dal, do t’ia dal, do t’ia dal!” E dija mirë se dontë të më jepte zemër dhe të më nxitonte, të ma kthente mendjen nga rruga e gjatë dhe nga kjo rrugë e pashpresë e ferrit. E dija se më priste t’i bashkëngjitesha këngës së tij. Por unë e kundërshtova këtë, nuk do t’ia dhuroja atë ndjenjë të fitores. A kisha unë disponim për të kënduar? A nuk isha një krijesë njerëzore, një djalë i thjeshtë, i gjorë, i cili duke mos e dëgjuar zemrën e tij, ishte nxitur në një situatë dhe veprim, të cilin Zoti nuk e kishte pritur kurrë nga ai? A nuk ishin secila prej lule-mos-më-harro-ve apo lulëkuqeve të lejuara të rrinë aty ku ishin rritur, skaj përroit, të lulëzonin e të vyshkeshin sipas zakonit?
“Do t’ia dal, do t’ia dal, do t’ia dal!” s’pushonte të këndonte udhërrëfyesi. Oh, sikur të isha në gjendje të kthehesha mbrapa! Por me ndihmën e shkathtë të udhërrëfyesit, kishte kohë që kisha kapërcyer muret dhe humnerat, përtej të cilave nuk kishte më kthim. Lotët më digjnin në grykë, por nuk guxoja të qaja. Dhe kështu shpërfillshëm e zëshëm iu bashkova këngës së udhërrëfyesit, me ritëm e tonalitet, por jo me fjalë; dhe ndryshe nga ai, këndova me ngulm: “Duhet, duhet, duhet!” Por, nuk ishte punë e lehtë të ngjitesh përpjetë e të këndosh njëkohësisht, shpejt u mbusha frymë dhe u detyrova ta mbyll gojën duke gulçuar. Por ai vazhdoi të këndojë palodhshëm “Do t’ia dal, do t’ia dal, do t’ia dal!”, dhe me kohë, megjithatë, bëri që t’i bashkohem këngës me fjalët e tij. Tani ngjitja ishte më e lehtë dhe nuk ndihesha i detyruar, bile doja të vazhdoj, kurse sa për lodhjen, nuk mbeti asnjë gjurmë e saj.
Atëherë, shkrepi një dritë brenda meje, dhe sa më shumë zgjerohej, aq më shumë shkëmbi i butë zmbrapsej, bëhej më i thatë, më dashamirës, shpesh e ndihmonte këmbën që rrëshqiste, dhe, mbi të gjitha, gjithnjë e më shumë hapeshin qiejt e kaltër, si përrua e vogël e kaltër midis brigjeve shkëmbore, dhe, sakaq, si liqe i vogël që zgjatej e zgjerohej.
U përpoqa ta shpërfaq vullnetin tim më fuqishëm e më thekshëm, derisa liqeni qiellor vazhdoi të hapej e shtegu të bëhej më i kalueshëm, por, herë-herë nxitoja, i lirë, ngushticave të gjata, duke mbajtur lehtë hapin me udhërrëfyesin tim. Atëherë, papritur, pashë majën, fare pranë, sipër nesh, të thepisur e vezulluese në ajrin e ndritur prej diellit.
Jo larg, më poshtë majës, ne dolëm zvarrë nga një plasë, dielli ua mësyu syve të magjepsur, dhe kur i hapa prapë, gjunjët u shkundën nga tmerri, sepse e pashë veten tek qëndroja i lirë dhe pa mbështetje në kreshtën e rrëpinjtë; përreth kishte hapësira të pafund dhe thellësi të kaltra tmerruese, vetëm maja e thepisur qëndronte mbi ne, e ngushtë si shkallë. Por dielli dhe qielli ishin prapë aty, dhe kështu ne kapërcyem këtë zonë të fundit të tmerrshme, hap pas hapi, me buzë të ndrydhura e vetulla të lidhura. Dhe ndaluam mbi maje, si figura pa rëndësi mbi shkëmbin e nxehur në diell, në një ajër të ashpër e therës.
Ishte një mal i çuditshëm dhe një majë e çuditshme! E arritëm duke u ngjitur mureve shkëmbore krejtësisht të zhveshura, dhe mbi atë maje, nga guri, rritej një pemë, një pemë e forte, e lakuar, me degë të forta, që rrinte jashtëzakonisht çuditshëm dhe e vetmuar, e rëndë dhe e paepur në shkëmb, me të kaltrën e lehtë ndërmjet degëve. Dhe në maje të kësaj peme, rrinte një zog i zi që këndonte me zë të ashpër. Ëndrra të qeta të një syri gjumë përmbi botë, dielli rrezatonte, shkëmbi vezullonte, pema ngrihej krenare, zogu këndonte me zë të rëndë. Kënga e tij e vrazhdë thoshte: “Amshim, amshim!” Zogu i zi këndonte dhe syri i tij bosh e i ashpër ishte ngulur mbi ne si një kristal i zi. Ishte vështirë t’i qëndroje atij shikimi, vështirë ishte ta dëgjoje këngën e tij, dhe, mbi të gjitha, ishte e frikshme vetmia dhe zbrazëtia e atij vendi, zgjerimi i qiejve të zhveshur. Të vdisje ishte lumturi e pabesueshme, të rrije aty, dhimbje e paemër. Diçka duhej të ndodhte tash, menjëherë; ndryshe, ne dhe bota do të ngurtësoheshim nga lemeria. Ndjeva se ajo përhapej në ajër drejt nesh, e nxehtë dhe ndrydhëse si fryma para stuhisë. E ndjeva tek drithëronte në trupin dhe shpirtin tim si zjarrmi.
– Përnjëherit zogu u përpëlit në degë dhe u krodh kryeshyt në zbrazëti.
Me një kërcim, udhërrëfyesi im u zhyt në kaltërsi, ra drejt qiejve të shndritshëm, iku fluturimthi.
Tani vala e fatit kishte arritur kulmin, copë-copë ma bëri zemrën dhe fashiti në heshtje.
Dhe tashmë po bija, u zhyta, kërceva, fluturova; i mbështjellë në një vorbull të ftohtë, shpërtheva, i lumtur dhe me dridhje e dhembje ekstaze, poshtë në pafundësi deri te gjiri i nënës sime.

Përktheu nga anglishtja: Rozafa Basha