Stafi akademik i Universitetit të Tiranës paralajmëron grevë, nëse projektligji i arsimit të lartë nuk do të ndryshojë. Në mënyrë unanime ata e kanë kundërshtuar draftin, pasi ai cenon lirinë akademike, rrit pushtetin e shtetit mbi universitetin e nga ana tjetër në formën e prezantuar deri tani, projektligji favorizon universitetet private. “Nëse vazhdon përpjekja për të cenuar liritë akademike dhe autonominë universitare, ne do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet demokratike që kemi në dispozicion, që na lejon Kushtetuta. Deri në grevë. Nuk e kemi profesion aktivitetin politik, pjesa më e madhe shumë më pak se unë, por ne do presim draftin, nuk shpresojmë, sepse mënyra si funksionon Ministria, të ofron një kompromis dhe pastaj ndryshon gjithçka”, – tha Mark Marku, pedagog. “Me keqardhje them që aty më shumë ligji sikur është bërë për arsimin universitar jopublik. Natyrisht, unë nuk jam kundër arsimit jopublik, por gjërat duhen ndarë qartë. Arsimi universitar publik është detyrim kombëtar”, – u shpreh Zyhdi Dervishi. “Problemi më i madh i arsimit është mungesa e cilësisë, atëherë japim zgjidhje për cilësinë. Aty nuk japin zgjidhje, po krijohen më shumë probleme se këto që kemi. Pushteti ka 25 vjet që nuk financon, atëherë e vetmja gjë që tenton, është kontrolli. Kanë të drejtë të kontrollojnë, ndërkohë që ende nuk e marrin parasysh që elitat shqiptare janë elita të krijuara vetë”, – u shpreh Dhurata Shehri. Pedagogët e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës e kanë cilësuar draftin si antiligjor. Ai fut në universitete organe të cilat cenojnë dhe menaxhojnë veprimtarinë e universiteteve pa marrë parasysh stafet akademike, por edhe vetë studentët. Pedagogët kanë kërkuar transparencë dhe takim për të diskutuar me ministren e Arsimit për draftin, ndërsa janë shprehur se nëse vërejtjet e tyre nuk merren parasysh, do t’i bëjnë kërkesë Kryetarit të Kuvendit që të konsiderojë se kushtet kushtetuese që duhet për të përcjellë një draft janë shkelur që në zanafillë.