“Rama bllokon financimin, duke rrezikuar jetën e banorëve”. Bozdo: Thirrje Prokurorisë të përshpejtojë vendimin për kallëzimin penal ndaj ministrit të Financave
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, inspektoi dje gjendjen përgjatë lumit të Tiranës, i cili, për shkak të reshjeve, ka rritur nivelin e prurjeve dhe ka dalë nga shtrati. Por, për herë të parë, nuk janë shënuar përmbytje dhe kjo, si pasojë e ndërhyrjes së bërë nga Bashkia e Tiranës në zbatim të projektit për rehabilitimin e lumit. Kostoja e punimeve të kryera deri tani është përballuar nga firma, pasi me urdhër politik ministri i Financave ka bllokuar pagesat që behën nga Fondi i Abu Dabit për këtë projekt, por edhe për projektin e bulevardit. Ndërprerja e punës për shkak të pamundësisë financiare për të vazhduar me zbatimin e projektit si pasojë e bllokimit dhe vijimi i reshjeve të shiut rrezikon të përmbysë dhjetëra shtëpi përgjatë brigjeve të lumit, ndërsa nga ana tjetër ka lënë pa punë rreth 2 mijë persona. “Konstatojmë me shumë kënaqësi që për shkak të punimeve të kryera, që në fakt janë vetëm gjysma e punimeve, për herë të parë këtë vit ne nuk do të kemi përmbytje të qindra e qindra shtëpive, siç ka ndodhur zakonisht kur lumi i Tiranës dilte nga shtrati. Theksoj faktin për herë të parë këtë vit, sepse kjo është në sajë të projektit dhe punës së bërë nga Bashkia e Tiranës bashkë me firmën përkatëse, e cila deri më sot ka investuar 7 milionë euro nga paratë e veta për të ngritur argjinaturat, për të bërë me bordura mbrojtjen e parë, pastaj mbrojtjen e dytë, për të shmangur një katastrofë njerëzore. Nëse nuk do të ishin këto punime, ne sot (dje) do të flisnim për qindra, në mos mijëra, shtëpi të përmbytura e ndoshta dhe jetë në rrezik”, – tha Bozdo.
Bllokimi
“Për fat të keq, puna e kompanisë dhe ky projekt i Bashkisë së Tiranës, ashtu si edhe projekti i bulevardit është lënë përgjysmë. Kjo, sepse ministri i Financave, zoti Cani, me urdhrin politik që ka marrë për të bllokuar Bashkinë e Tiranës në çdo mënyrë, ende nuk ka depozituar firmat pranë Fondit Abu Dabi, në mënyrë që të bëhet shlyerja dhe pagesa e punimeve. Firma përkatëse këtu, por edhe ajo kompani që punon tek bulevardi i Tiranës, kanë lënë punën e tyre përgjysmë, duke lënë pa punë 2 mijë punëtorë ose ndryshe 2 mijë familje shqiptare”, – deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, i ka bërë sërish thirrje Kryeministrit Edi Rama të zhbllokojë punimet në investimet strategjike të Bashkisë së Tiranës, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës se qytetarëve dhe në sigurinë e jetës së tyre dhe nga ana tjetër i ka bërë thirrje Prokurorinë të përshpejtojë shqyrtimin e kallëzimit penal që Bashkia i ka bërë ministrit të Financave Shkëlqim Cani për bllokimin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. “I bëj thirrje Prokurorisë që të përshpejtojë dhe të marrë një vendim të rëndësishëm për sa i përket kallëzimit penal për shpërdorim detyre që Bashkia e Tiranës ka bërë për zotin Cani dhe për sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Ligji duhet të vendoset në vend dhe zyrtarët që abuzojnë me pozicionin e tyre për të bllokuar projekte, në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Tiranës, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre sipas ligjit”, – u shpreh zoti Bozdo.