Violeta Murati
Thirrja: Po kërkojmë një autor karriere për teatër, për dramaturgun Stefan Çapaliku vjen si një ditë e zakonshme, kur tepritë e teatrit kanë lënë gjithmonë jashtë autorin. Ja një revoltë që ndodh për herë të parë, “kundër” një teatri që ka shndërruar në pronarë aktorët dhe regjisorët. Për këtë arsye Çapaliku prej muajsh ka iniciuar “punishten dramatike”, një edicion që mbylli dje fazën e parë me përzgjedhjen e pesë sinopseve, pretendentëve të parë për Teatrin Eksperimental
Thirrja: Po kërkojmë një autor karriere për teatër, për dramaturgun Stefan Çapaliku vjen si një ditë e zakonshme, kur tepritë e teatrit kanë lënë gjithmonë jashtë autorin. Ja një revoltë që ndodh për herë të parë, “kundër” një teatri që ka shndërruar në pronarë aktorët dhe regjisorët, në “heronj” e emra të mëdhenj aktorë e regjisorë, jo pak nga këta nostalgjikë socrealistë. Autorët jo, ndonëse në paradoks Çapaliku kthehet për të kujtuar se historia gjithmonë ka më të njohur ata, nga Eskili, Shekspiri e me radhë. Kësaj arsye i bashkon dhe faktin se janë unikë në këtë organizim, pasi shkolla shqiptare nuk ofron teatër dramatik dhe në modesti të këtij vakuumi, Çapaliku prej muajsh ka iniciuar “punishten dramatike”, një edicion që mbylli dje faza e parë me përzgjedhjen e pesë sinopseve, pretendentëve të parë për “autor karriere”. Ata janë: Lisandri Kola, Olti Kadaifçiu, Rogerta Nikolla, Marsel Rupi dhe Elona Çuliqi. Nuk vijnë të gjithë nga e njëjta fushë, nuk ka qenë kriter përzgjedhje. Dramaturgu tregon se përgatitjet, angazhimet, përditshmëria e tyre sociale i përball me veprën si produkt i kohës dhe shqetësimeve të tyre, për njeriun e 2015. Në thelb këtë zbulim të koherencës dhe estetikën Çapaliku e sheh si një punë laboratori, pasi të zhvillohen sinopset deri në një vepër për t’u vënë në skenë. A do rezultojë si lëndë për teatrin kjo përzgjedhje? Çapaliku jep garancinë.
Mbi ç’kritere u përzgjodhën tekstet e paraqitura në “punishten dramatike”, a ka shenja prej tyre në qëllimin “e kërkimit të një autori”?
Ky është rasti specifik dhe i plotë që teatri po kërkon një autor. Teatri po kërkon të kultivojë autorin karrierës jo një person rastësor, që rastësisht ka shkruar një tekst dramatik dhe pastaj merret me diçka tjetër. Por, po hedhim farën për të ndërtuar këtë komunitet të munguar në teatrin shqiptar. Teatri shqiptar ka qenë gjithmonë një “pronë” për regjisorë e aktorë, nuk ka qenë kurrë një pronë edhe për autorë dramatik. Ndërkohë aktorët dramatikë janë ata që e kanë themeluar teatrin. Nëse pyet njerëz në rrugë për pesë emra autorësh dramatik ata mundem t’i përmendin prej Eskilit, Shekspirit e me radhë.
Po të flasim në mënyrë metaforike, për momentin, ne kemi një shportë me pesë vezë. Persona që vijnë nga backgraund-e krejt të ndryshme, nga letërsia, sociologjia, psikologjia e nga teatri natyrisht. Dhe të pesë sinopset kanë në esencë tema aktuale, premtojnë të gjithë të kenë një estetikë bashkëkohore, te pesë janë persona të shqetësuar për epokën në epokën në të cilën ne jetojnë. Mua më duket një fillim i mirë.
Si do procedohet
Ata do të fillojnë punishten, workshopin, ku unë do punoj me to në mënyrë individuale apo kolektive. Në fund të marsit do të kemi skeletet e teksteve dramatike. Për të qenë transparent, ne do të bëjmë leximin publik. Do ftojmë audiencën t’i votojë, dhe do marrim opinion e tyre, dhe njërin prej tyre do ta fusim menjëherë në produksion. Pra, në fund të sezonit teatror, do të kemi një produksion të teatrit eksperimental të lindur këtu, që ka derën hyrjes dhe daljes në të njëjtin vend. Me shpresën se tekstet e tjera do jenë mundësi për t’u zhvilluar repertorin shqiptar të teatrit eksperimental.
A mundet të përmbushë “punishtja e dramës” këtë vakum të shkollës?
Ky është rasti i një shkolle modeste, ndonjëherë këto qasje praktike janë më rentabël. Nuk është nevoja ndonjëherë të kesh asete të mëdha, por mundesh të fillosh edhe kështu. Hera e parë është, po e provojmë. Nuk ka njeri të na shajë, por edhe sikur është mirë sepse tërheq vëmendjen, pasi ne këtë duam; të mos kalojmë në heshtje.
Ju thatë se tekstet pasqyrojnë shqetësimet e këtyre “autorëve”, që besojmë u përgjigjet një moshë…
Po janë një moshë që varion nga 25-35 vjeç..
Çfarë vjen nëpërmjet teksteve të tyre, në sjelljen ndaj këtij realiteti?
Këta janë sinopse si të tilla është herët të quhen tekste. Ato janë dy faqe të cilët kanë prezantuar një qasje të tyre. Çfarë janë temat nuk dua t’i bëj publike, sepse kompromentoj procesin..
Nuk po kërkojmë temat, por një realitet, pasi sinopset e mëparshme në këto tentativa kanë se fraktura në mendim, nuk kanë koherencën, vuajnë nga zhdërvjelltësia gjuhësore etj., etj… për këtë ju pyesim?
Ky është problem i procesit që do të ndërtojmë. Pika e tyre e nisjes është interesante: ata kanë në qendër njeriun e sotëm shqiptar të 2015: njeriu pa iniciativë, njeriu i frikësuar, njeriut me fyt të mbyllur, njeriut pa zë, i survejuar, i cili nuk arrin të shohë një perspektivë zhvillimi, që nuk arrin ta shohë veten as se çfarë do të ndodhë me të pas gjashtë muajsh…një njeri i cili është pre e një sistemi që nuk e ka ndërtuar vetë.
Këta si pretendentë për autorë teatri, ju i njihni nga afër, keni ndërtuar marrëdhënie?
Kjo është dita e parë. Njërin e njoh, sepse e kam pasur student, jo se kam njohje familjare, me një tjetër kam pirë kafe. Por njohja e vërtetë do të nisë tani.
Në fakt ju pyeta më lart, pasi ekziston rreziku mbi tekstin. Sa të besueshëm janë këto sinopse për t’u zhvilluar më pas, për të na sjellë përmes tyre një vështrim origjinal, çfarë është personale në shqetësimin e tyre? Çfarë vëzhgojnë ata?
Përveç sinopsit ata kanë një CV nga pas, që na dëshmon aktivitetin e tyre. Për shembull Olti Kadaifçiu është një djalë që ka studiuar për sociologji, ka studiuar edhe në Angli, ai është aktiv në rrjetet sociale për problematikat që kalon vendi, që e njeh jashtëzakonisht mirë për teatrin, ku ka një bllok që mban qëndrimet e veta për shfaqjet.
Ky është një rast, po të tjerët a kanë një angazhim në jetën e përditshme, social- kulturore?
Po, është Lisandri Kola, i cili ka doktoruar në letërsi, përveç poezisë ai ka dhënë një sprovë dramatike më parë. Është Rogerta Nikolla ka dhënë prova, ka shkruar një tekst vënë në skenë më parë nga studentët, bashkëmoshatarët e saj; Elona Çuliq, është poete shumë e mirë.
Nga vëzhgimet, prurjet, a ju ka rezultuar se janë në marrëdhënie pune, në profesionet e tyre apo kanë devijuar?
Shumica janë në punë. Por mendoj se të gjithë janë në profesionet e tyre. Janë njerëz me integritet të lartë, të plotë si persona. Lisandri punon në Bibliotekë, në Shkodër, Olti punon në fondi shqiptar i zhvillimit, në një OJQ për fëmijët ne rrezik etj.
Këto pyetje vijnë rreth angazhimit të tyre për shkak se çfarë është vënë re janë të pakënaqurit që i teprojnë realitetit dhe aplikojnë në teatër, kështu ndodhur edhe me regjisorët?
Shumë mirë të jesh i pakënaqur. Kur je i tillë është shenjë e lartë e emancipimit. Por shpresoj që të jenë të pakënaqur edhe për situatën estetike teatrore. Këtë unë do përpiqem ta shfrytëzoj për mirë.
Sa do të shkojë ky projekt me këto pesë sinopse të përzgjedhura?
Do të shkojë deri në fund të marsit si projekt, kur do të bëhet leximi i pesë teksteve siç e thamë më lart. Më pas do të vendosim se cili prej tyre do zhvillohet më tej. Ndoshta të gjithë mund t’i zhvillojmë, t’i bëjmë pjesë të sirtarit, repertorit të më vonshëm, të teatrit.
Këto besoj kanë nevojë për një buxhet, fond si do jetë zgjidhja?
Pyesni Kiçon, drejtorin e Teatrit.
Londo: Teatri s’është epruvetë, ne jemi teatri!
A do të zhvendoset Teatri Eksperimental ashtu si ai Kombëtar nga godina, Kiço Londo u përgjigj në mënyrë evazive ose nuk dha përgjigje se do hiqej prej andej.
Megjithëse në ditën e djeshme kërkonte më shumë vëmendje për “Punishten dramatike”. “Ne jemi mirë këtu, ku jemi. U kemi premtuar një shkollë teatri. Për herë të parë pas 70 vitesh nga Teatri Profesional po nisim një shkollë dramatike, që nuk është e lehtë. Eksperimenti në Teatër nuk do të thotë epruveta, por ndërtimin e një marrëdhënie. Teatri s’është godina, ne jemi Teatri”.