Atletiko shtyp Realin dhe shpallet mbret i Madridit

0
158

Jurges Veizaj

Atletiko feston fitorenSkuadra e Simeones ka shkatërruar 4-0 Realin e Kristiano Ronaldos, duke treguar se janë ata që mbretërojnë në kryeqytetin spanjoll

Në Madrid ka vetëm një mbret të momentit. Nuk bëhet fjalë për Kristiano Ronaldon apo skuadrën e tij. Atletiko e Madridit dje tregoi që janë ata zotët e qytetit. Reali mund të jetë kampion i Evropës dhe skuadra me sulmin më të mirë në kontinent, por derbi i kryeqytetit spanjoll është i tëri bardhekuq, si tribunat ku valëviteshin mbi 54 mijë flamuj në “Vicente Calderon”, ku skuadra e Simeones, jo thjesht mposhti 4-0 Realin, por i dha një leksion që do të mbahet mend gjatë. Reali paraqitej me shumë mungesa në prapavijë përballë “Los Colchoneros”, por mbante shpresat te rikthimi i Ronaldos që formonte tredhëmbëshin e famshëm me Benzemanë e Bejlin, ndërsa te bardhekuqtë Simeone hidhte nga minuta e parë në sulm Mandzukiçin dhe Grizmanin, sfida filloi me një telash për “El Cholon”, që iu desh të zëvendësonte Koken e dëmtuar me Saul Nigezin që në minutën e 10-të, por nuk kishte dëmtim që mund të ndalte furinë e Atletikos. “Los Colchoneros” në avantazh që në minutën e 14-të, krosim i Huan Fran me Mandzukiçin që mbron topin për të ftuar në qendër Tiago Mendezin që me goditjen e tij në kufijtë e zonës i shpoi duart Iker Kasijasit. Duket si një “deja vu” e përballjes së fazës së parë kur ishte sërish Tiago ai që ndëshkoi i pari Realin, ishte goli i tij i 4 ndaj “Los Blancos”, i pari që nuk e shënon me kokë. Makthi për Realin sapo kishte filluar, pasi pa marrë mirë veten skuadra e Ançelotit u ndëshkua sërish. Gol i denjë për kinotekën. Fantastik, Saul në një roveshatë me të majtën pas krosimit të Sikueras, që lë me gojë hapur edhe vetë Ançelotin. 2-0 për Atletikon në minutën e 18-të. Edhe pse në avantazhin e dy golave, Atletiko ruajti intensitetin duke u shfaqur sërish rrezikshëm në anët e Kasijasit, duke vënë në gjumë Realin që u shfaq i pafuqishëm për të krijuar dhe e mbylli pjesën e parë i asfaltuar 2-0 nga Atletiko, skenar që u përsërit edhe në pjesën e dytë. Grizman në minutën e 58-të vuri në provë sërish Kasijasin dhe dy minuta më vonë e çoi topin lart në roveshatë, por tentativa e tretë rezultoi e vërteta për francezin. Grizman shënoi golin e tij të parë ndaj Realit, duke i paraprirë Varane pas spondit të Saulit në krosimin e Turanit, ishte goli i “knock out”-it, por jo i fundit, pasi sfida vijoi të ishte një monolog bardhekuq me Mario Mandzukiçin që u vuri vulën poshtërimit të Realit në minutën e 89-të kur gozhdoi në rrjetë topin e krosuar nga Fernando Torres për golin e 4-0. Ishte kjo hakmarrja perfekte e Atletikos për atë finale të humbur në Lisbonë. Në fakt, Reali që pas “La Decima”-s nuk fiton më, pasi Atletiko që pasi humbi trofeun më të çmuar, i ka rrëmbyer Superkupën, e eliminoi nga Kupa e Mbretit dhe e mposhti në të dyja përballjet e La Liga-s, kjo e fundit ishte një dominim total nga fillimi në fund. Atletiko jo vetëm mbetet në lojë për titullin, por tregoi se kampionët janë ende skuadra për t’u mposhtur. Ndërsa duket se galaktikëve do t’u duhet që të formatojnë edhe një herë gjithçka që ka ndodhur në këto javët e fundit, për të mos lejuar më gabime, pasi kjo do të thotë që do të lëshojnë terren dhe Barcelona me Atletikon janë gati t’i rrëzojnë.


Ançeloti: Asnjë nga lojtarët e mi nuk luajti mirë

Karlo Ançeloti i ka akuzuar lojtarët e tij për qasje të keqe në humbjen turpëruese (4-0) nga Atletiko e Madridit, duke thënë se kampioni ishte më i mirë se “Los Blancos” në çdo aspekt. Të zgjedhurit e italianit ishin favoritë përkundër mungesave në formacion si Serxho Ramos, Marselo e Xhejms Rodrigez, mirëpo ata u poshtëruan në “Vicente Calderon”. “Atletiko meritoi të fitonte. Ata na mposhtën në çdo aspekt: në luftë, në lojë, në organizim dhe në topa të dytë. Asnjë lojtar i Realit të Madridit nuk luajti mirë. Dështuam. Në çdo moment ishim të dytët, i humbëm të gjitha përballjet dhe duelet në fushë. Nuk e zhvilluam aspak lojën. Ishim më të dobët se Atletiko në gjithçka, megjithatë janë vetëm tri pikë”, – u ka thënë Ançeloti gazetarëve duke e marrë përgjegjësinë për humbjen.

Herri Kein përmbys Arsenalin

Totenhem Hotspur ka përmbysur Arsenalin falë dy golave të sulmuesit Harri Kein për të fituar në fund me rezultat 2-1 në derbin e Londrës zhvilluar në “White Hart Lane”. Atmosferë rivale mes tifozëve mbretëroi në Londër para fillimit të ndeshjes teksa trajnerët vunë në lojë formacionet e tyre më të forta. Pas 11 minutash lojë ishte Deni Uellbek ai që depërtoi në krah për të dërguar një pasim te Zhirud, i cili me të parën e vazhdoi te Ozil që realizoi për 1-0. U mendua se Arsenali do ta kishte të lehtë, pasi dominoi deri në fund të pjesës së parë, përkundër disa tentimeve të Totenhem. Në pjesën e dytë një Totenhem tjetër hyri në fushë. Në minutën e 56-të sulmuesi më i mirë i Totenhemit, Harri Kein, pranoi një top për të realizuar për 1-1. Totenhemi vazhdoi me rastet pa fund dhe Arsenali nuk po arrinte të thyente mbrojtjen e Totenhemit në një betejë të ashpër që u zhvillua në fund të takimit. Në minutën e 86-të ishte Bentaleb ai që lëshoi një krosim, të cilin e përcolli për mrekulli Herri Kein dhe që me kokë pas një kërcimi të lartë mbi Kokuelin arriti të realizonte për 2-1 duke lënë Ospinan pa gjasa. Gëzimi i madh në “White Hart Lane” kështu vazhdon edhe pas ndeshjes, pasi rezultati 2-1 për Totenhemin nuk ndryshoi. Me këtë fitore Totenhemi ka 43 pikë në vendin e katërt, me 10 pikë më pak se lideri Çelsi që i shkon Aston Vilës teksa Arsenali zbret në vendin e gjashtë, me 42 pikë.

Dortmundi më në fund fiton, Bajerni dhe Volfsburgu bëjnë detyrën

Trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop u shfaq i gëzuar pas fitores së skuadrës së tij kundër Frajburgut 3-0. Kjo ishte vetëm fitorja e pestë sezonale e BVB që do të përpiqet të shmanget nga pozitat e fundit në tabelë. “Ishte shumë më mirë sot. Ishim në gjendje të këndellemi pas ndeshjes me Augsburgun. Për të qenë të guximshëm në momente vendimtare, duhet të besoni. Nuk jam i befasuar me fitoren. E di kapacitetin e skuadrës. Goli i tretë ishte pas një super aksioni. Ky ishte hap i rëndësishëm për rimëkëmbje”, – ka thënë Klop pas fitores. Ndeshje e ardhshme e Dortmundit është të premten ndaj Majncit në “Signal Iduna Park”. Bajerni i Mynihut po ashtu realizoi fitoren e parë në gjysmën e dytë të sezonit, ndaj Shtutgartit me rezultat 2-0. Volfsburgu po ashtu në shtëpi fitoi me dy gola të De Bryin dhe një gol nga Bas Dost.


Mançester Siti ngec, përfiton Çelsi

Mançester Siti ka barazuar mezi me Hull Sitin me rezultat 1-1, teksa Çelsi arriti fitore të vështirë në udhëtim ndaj Aston Vilës 2-1, për të shfrytëzuar kështu gabimin e “qytetarëve”. Në minutën e tetë ishte Eden Hazard ai që e filloi mbarë takimin pas asistimit të Uillianit. Aston Vila nuk u dorëzua dhe Okore në fillim të pjesës së dytë barazoi për të vështirësuar punët për Blutë. Ivanoviç e vulosi fitoren e Çelsit 2-1 pas 66 minutash lojë. Deri në fund të takimit nuk pati gola të tjerë. Nga ana tjetër Mançester Siti shpëtoi nga një humbje në minutën e fundit kur Milner në minutën e fundit e barazoi rezultatin pas golit të Mejler 35′. Një pikë që e shpëtoi nga humbja, por që i ul shanset për titull. Me këtë gabim të shfrytëzuar Çelsi e thellon diferencën me të qytetarët për shtatë pikë.