Flet ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë / Malaj: Mbledhja e sforcuar e detyrimeve nga qeveria pakësoi të ardhurat dhe goditi konsumin

0
155

Intervistoi: Gëzim Saliu

Arben_Malaj“Ekonomia shqiptare, nën kapacitetin e saj, midis taksave të larta dhe borxheve të larta ka një problem edhe moral”

Malaj: Testi për dekriminalizimin do të jenë zgjedhjet vendore, duhet angazhim në përzgjedhjen e kandidatëve

Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj, në një intervistë për “Standard” komentoi situatën aktuale ekonomike të vendit, duke analizuar të dhënat kryesore të saj. Po ashtu, ish-deputeti socialist foli edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke dhënë opinionin e tij për marrëveshjen e arritur mes palëve dhe çështjen e dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës. Sa i përket reformës në drejtësi, Malaj këmbënguli në nevojën e bashkëpunimit me Komisionin e Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Pak ditë më parë, “Fondacioni Heritage” vlerësoi se liria ekonomike në Shqipëri ka një zbritje me 9 vende në renditjen e përgjithshme, ku përkatësisht performanca e vendit u ul me 1.2 pikë në raport me një vit më parë. Si e vlerësoni ju këtë raport?
Ky raport rithekson sfidat që ka ekonomia shqiptare. Prandaj rritja e lirisë ekonomike sidomos e drejta e pronës, e lirisë nga korrupsioni dhe lirisë në të bërit biznes – duhet të jenë prioritet kryesore. Përmirësimi real i tyre është jetik për ekonominë. Politikat monetare të Bankës Shqipërisë po synojnë të stimulojnë rritjen ekonomike. Por konstatohet se këta stimuj nuk po mbërrijnë deri tek konsumatori dhe investitori privat. Bankat po e përdorin koston e ultë të parasë kryesisht për të përmirësuar bilancet e tyre financiare. Kreditë me probleme vazhdojnë në nivele të larta. Rritja e kredidhënies është relativisht e vogël. Bankat mëmë të disa prej bankave kryesore në vendin tonë ndjekin me kujdes vlerësimet e riskut dhe hezitojnë në rritjen e kredidhënies. Politikat fiskale kanë filluar të japin efekt në uljen e borxhit publik. Kjo është arritur më shumë në krahun e të ardhurave. Ndërsa mosrealizimi ritmik dhe në total i investimeve publike ul e tyre në kërkesën agregate në ekonomi.

Cili është mendimi juaj për situatën aktuale ekonomiko-financiare në vend. Çfarë ka ndodhur, sipas jush, me të ardhurat e shqiptarëve, janë rritur apo janë ulur ato? Po fuqia blerëse?

Fuqia blerëse kushtëzohet me shumë nga të ardhurat, pasi inflacioni aktualisht është në nivele të ulëta në raport edhe me objektivin e Bankës Shqipërisë. Rritja ekonomike është e dobët, pritet një trend përmirësues për vitet 2015-2017. Ekonomia shqiptare aktualisht është nën kapacitet e saj. Një aktivitet i reduktuar ekonomik në prodhim dhe shërbim i mban të ulëta të ardhurat nga pagat edhe fitimet e biznesit privat. Sfida kryesore mbetet rritja e aktivitetit ekonomik, rritja e të ardhurave nga pagat dhe fitimet e aktiviteteve ekonomike. Ndoshta mbledhja e sforcuar në kohë të shkurtër e detyrimeve të prapambetura për një periudhë afatgjatë, ka pakësuar të ardhurat e disponueshme të një pjese të konsiderueshme të popullsisë. Kjo ka goditur konsumin, ka ulur aktivitetin ekonomik dhe ka rritur vështirësitë për një numër të konsiderueshëm të biznesit të vogël.

Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 2%, një nivel rekord ky. Cila është analiza juaj për këtë vendim?

Është një vendim në drejtimin e duhur dhe në përputhje me përpjekjet që po bënë BQE për të ndalur riskun e deflacionit, rënien e mëtejshme të aktivitetit ekonomik. Ndoshta shefja e FMN-së, Lagarde, e ka thënë më qartë shqetësimin pse ulja e kostos së parasë nuk mbërrin deri tek ekonomia reale. Lagarde qartëson se është e nevojshme që bankat evropiane të kryejnë detyrën e tyre të transmetimit të politikës monetare në ekonomi. Duke qenë të lehtësuara, nga një sasi e caktuar e letrave me vlerë, që BQE i ka blerë dhe duke qenë në gjendje të përfitojnë sërish para, duhet t’i drejtojnë ato drejt ekonomisë reale dhe jo t’i përdorin vetëm për të përmirësuar bilancet e tyre. Rivendosja e rritjes ekonomike është një recetë e komplikuar.

Opozita nga ana e saj ka sulmuar ashpër qeverinë lidhur me çmimin e naftës dhe atë të energjisë, duke pohuar ndërkohë se vendi po shkon drejt një viti krize për shkak të taksave të larta. Në vlerësimin tuaj, sa të drejta janë këto qëndrime?

Domosdoshmëria për uljen e borxhit publik dhe reformat për mbështetjen e rritjes ekonomike ishin detyrat e para të qeverisë pas zgjedhjeve 2013. Midis taksave të larta dhe borxheve të larta ka një problem edhe moral, përdorimi i taksave të gjeneratave të tjera për problemet akute. Prandaj kërkohet që borxhi të jetë në nivel të moderuar dhe të përdoret për investimeve që rritin produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë tonë nga të cilat do të përfitojnë edhe gjeneratat e ardhshme. Rritjet ekonomike me “taksa të ulëta” dhe borxhe të larta, të individëve, biznesit dhe qeverisë kanë rezultuar jo të suksesshme. Prandaj në menaxhimin e financave publike rekomandohen një set rregullash lidhur me deficitin, borxhin, të ardhurat, shpenzimet dhe sidomos për raportin midis borxhit dhe përdorimit të tij vetëm për investime. E dobishme është edhe këshilla që në fazat e rritjeve të cikleve ekonomike të mund të mos krijohet borxh i ri dhe të ulet niveli borxhit, për të pasur më shumë hapësira ndërhyrëse në kohë krizash. Ndërhyrje që ushqejnë kërkesën agregate për një rritje ekonomike pa rritur nivelin e borxhit dhe kostos së tij në kufij kritikë.
Ekonomia në vitin 2013 u përball me një borxh publik që po e kërcënonte ekonominë dhe kishte rritur riskun për përkeqësim. Marrëveshja me FMN-në, njohja dhe pagimi i borxheve të vjetra synonin ndaljen e përkeqësimit. Marrja e statusit të vendit kandidat rrit shpresat për një situatë më të mirë politike e sociale. Ndërprerja e bojkotit, mirëfunksionimi i parlamentit, çelja pa vonesë e negociatave – mund të ulin risqet potenciale që duhet të materializohet në rritjen e investimit dhe kreditimit në ekonominë tonë.

Mazhoranca dhe opozita miratuan me unanimitet në Kuvend në funddhjetorin e vitit të kaluar rezolutën e përbashkët. Sa mendoni ju se janë mundësitë që palët të mbyllin me sukses konkretizimin e saj përmes komisionit të posaçëm parlamentar që u ngrit vetëm pak ditë më parë?

Firmosja erdhi si kërkesë dhe negocim edhe ndërkombëtar. Respektimi i saj dhe efektet konkrete në funksionimin e institucioneve shqiptare do të mbetet sfidë e përgjegjësive dhe angazhimeve reale e partive politike.

Për demokratët, problemi kryesor në vend mbetet dekriminalizimi i Kuvendit dhe administratës e ndërkaq, sipas mazhorancës, akuzat e PD-së janë thjesht politike e pa mbështetje në fakte. Si e gjykoni ju këtë çështje?

Më shumë se akuzat dhe kundër akuzat për këtë çështje, ajo që u shërben më mirë shqiptarëve dhe vetë partive politike është parandalimi dhe eliminimi. Për ta përmirësuar përfaqësimin politike në çdo nivel të tyre, partitë politike më shumë se për ligje me konsensus kanë nevojë për një angazhim kredibël në përzgjedhjen e të mandatuarve të tyre në përfaqësimet politike në kuvend, qeveri, pushtet vendore dhe administrate publike. Një test real do të jenë zgjedhjet vendore.

Një ndër kryereformat e përcaktuara nga mazhoranca në këtë sesion parlamentar është ajo për drejtësinë. Si e shihni ju këtë reformë, ndërkohë që opozita ka këmbëngulur në dominimin e ekspertizës ndërkombëtare dhe ekspertët e fushës kanë kërkuar ndryshime kushtetuese?

Në të gjitha teoritë e zhvillimit ekonomike dhe në rastet e suksesshme, të drejtat e pronës dhe pavarësia e gjyqësorit, funksionimi i shtetit ligjore konsiderohen shtyllat bazë ë të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Këta dy tregues të lirisë ekonomike në vendin tonë mbeten akoma në nivele të lirive te shtypura, që pengojnë zhvillimin. Prandaj duhet mbështetur çdo reformë ligjore për këto prioritete. Komisioni gjithëpërfshirës për reformën ligjore duhet mbështetur dhe asistuar.
Bashkëpunimi me Komisionin e Venecias dhe ekspertët ndërkombëtare duhet konkretizuar hap pas hapi. Suksesi i reformës dhe efekti pozitiv në gjyqësorin shqiptare do të kushtëzoj ndjeshëm zhvillimin tonë. Në pesë kushtet që kërkohen të konkretizohen përmirësime konkrete, reforma e gjyqësorit nxiton apo mban peng çeljen e negociatave me BE-në.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency