Gëzim Saliu
Vasili: Komunikimi i PD-së me letra e telegrame është një reagim fëminor dhe mosdëshirë për t’u bërë pjesë e reformës
Pas refuzimit të kërkesave, Partia Demokratike pritet të vendosë ditën e hënë në mbledhjen e grupit parlamentar nëse do të bëhet pjesë ose jo e reformës në drejtësi. Burime pranë selisë blu bënë të ditur për gazetën se me shumë mundësi, pavarësisht se mazhoranca u tha “jo” kërkesave, opozita do të bëhet pjesë e komisionit, duke e cilësuar reformën shumë të rëndësishme. Sipas të njëjtave burime theksohet se “nëse opozita do të vendosë të mos marrë pjesë në këtë komision, si rezultat i mospranimit të kërkesave të saj legjitime, mazhoranca ashtu si edhe në raste të tjera, do të marrë vendime që do të rëndojnë edhe më shumë situatën e drejtësisë në vend, me synim kapjen e sistemit”. Në këto kushte, PD pritet të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, por duke ngulur këmbë fort tek rëndësia e ekspertizës ndërkombëtare e veçanërisht i mendimit të Komisionit të Venecias. Ndërkaq, demokratët kanë shprehur kundërshti për ekspertët vendas të atashuar pranë komisionit tashmë, duke i cilësuar ata si klientë të qeverisë. Pritet që opozita të kundërshtojë disa prej këtyre emra, duke dhënë njëkohësisht edhe propozimet e saj.
Reagimi i shumicës
Nga ana e saj, mazhoranca i ka cilësuar si të pabaza dhe bllokuese kërkesat e opozitës lidhur me reformën në drejtësi. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së deklaroi dje se nuk do të ketë një mundësi të dytë për negociata, duke theksuar se rikompozimi i komisionit për këtë reformë është i pamundur. “Mënyra e kompozimit të komisionit të reformës në drejtësi është sipas rregullave të ndërtimit të komisioneve në Parlamentin shqiptar dhe sigurisht nuk ka asnjë arsye që të bëjë përjashtime kjo, dhe ky komision dhe nuk priret nga shërbimi për taktikat bllokuese të opozitës në këtë apo atë mënyrë”, – tha Vasili. Ndërkaq, deputeti i LSI-së kërkoi nga PD që të marrë përgjegjësitë e saj, duke e akuzuar njëkohësisht për taktika bllokuese. “PD duhet të jetë kaq e përgjegjshme sa të lërë mënjanë të njëjtat histori të bojkotit të gjashtë muajve të mëparshëm dhe ti kthehet jetës normale parlamentare në ato raporte dhe pozicione që ajo ka. Absolutisht PD është e papranueshme të punojë me korrespondencë, ka vendet e saj në reformën në drejtësi. Komunikimi nga larg me letra e telegrame, besoj që është një reagim fëminor dhe një mosdëshirë për t’u bërë pjesë e procesit”, – theksoi Vasili. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve mazhoranca vendosi të mos e pranojë propozimin e demokratëve për të pasur bashkëkryetar në komisionin për reformën në drejtësi, kërkesën për të pasur numër të barabartë të anëtarëve në Komisionin si dhe atë për të pasur të drejtën e vetos.
Rasti i 54 mijë konsumatorëve/ Basha: Zbatim i vendimit të ERE-s, jo falje. Rama: Po ju ku ishit në 2010-ën?
Kreu i Partisë Demokratike reagoi dje mbi çështjen e amnistisë së 54 mijë rasteve të abuzimi me faturat e energjisë, duke theksuar se ky është thjesht zbatim i vendimit të ERE-së dhe jo falje nga qeveria. “Falja e 53900 faturave abuzive është detyrim dhe jo një zgjedhje e Vajmedetit. Deri tani ai ka bërë të kundërtën e faljes, amnistisë apo shqyrtimit të ankesave të qytetarëve. Po zbaton një vendim që i jep të drejtë konsumatorëve të cilët ndër vite kanë apeluar raste abuzive të faturimit të energjisë elektrike. Ky vendim i OSHEE nuk është falje detyrimi ndaj askujt”, – theksoi Basha. Më tej ai sqaroi çështjen duke bërë të ditura detaje sipas së cilave,: “ERE me vendim nr. 90 dt 15.11.2010 në zbatim të ligjit 9997, dt 22.9.2008, gjobiti CEZ dhe i bëri të paligjshme faturat e CEZ që emërtoheshin “dëm ekonomik” ose “energji e pamatshme”, kjo e fundit për faturat afrofe, të paligjshme dhe në atë kohë të eliminuara nga qeveria. Ky vendim i ERE detyronte CEZ të fshinte nga sistemi 51.500 fatura të tilla abuzive. Në 2011 si të tilla të ankimuara nga konsumatorët u shtuan dhe 2400 të tjera pra 53.900 fatura. Në kundërshtim me vendimin e ERE, kompania CEZ nuk i fshiu menjëherë nga sistemi të gjitha faturat por nisi të fshijë vetëm të ankimuarat. Nga ana tjetër konsumatorët nuk i paguan dhe i quajtën të falura meqë ligjërisht ishin të tilla. Paligjshmërisht CEZ nuk i fshiu nga librat por nuk guxoi t’i kërkonte më”. Në të njëjtën linjë edhe kreu i grupit parlamentar demokrat përmes një deklarata nga selia blu theksoi se ky vendim nuk përbën falje dhe vjen vetëm në saj të këmbënguljes së opozitës në këtë çështje. “Trajtimi me shpejtësi i ankesave të qytetarëve për mbifaturim, për penalitete të padrejta ndaj tyre, ka qenë një nga kërkesat e përsëritura të opozitës”, – tha ai. Ndërkaq, në një reagim në rrjetin social “FB”, Kryeministri Rama theksoi: “Janë të paparë! Anulimi i faturave skandaloze të vitit 2010 paska qenë kërkesa e këtyre! Po këta ku ishin ne 2010-ën?! Vajmedet PD vajmedet”.
Përplasja/ Bushati ironizon Nishanin: Presidenti ankohet se ministri nuk e lë të dalë jashtë vendi
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagoi dje ndaj deklaratave të Presidentit lidhur me mosnjoftimin e këtij të fundit për aktiviteti që zhvillohen jashtë vendit dhe për të cilat informacioni i parë mbërrin në dikasterin e drejtuar nga kryediplomati shqiptar. Në reagimin e Bushatit nuk mungoi ironia ndaj kreut të shtetit shqiptar. “Edhe një rekord tjetër: hera e parë që dëgjojmë një kryetar shteti që ankohet për një ministër duke pretenduar se nuk e le me dalë jashtë!”, – shkruante Bushati në “Twitter”. Ndërkaq dy ditë më parë në një konferencë për shtyp, Presidenti deklaroi: “Ka pasur raste të përsëritura kur në Ministrinë e Jashtme janë bllokuar aktivitete ku është ftuar në evente ndërkombëtare për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Prej shumë muajsh, në mënyrë rastësore mora vesh që isha i ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali dhe kjo ftesë e përcjellë nga ambasada jonë në Romë në Ministrinë e Jashtme ishte e bllokuar atje dhe Presidenti nuk kishte asnjë informacion. Në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe Presidentja e re organizon ceremoninë e inaugurimit të saj dhe ka ftuar krerët, Presidentët e rajonit të Evropës Juglindore, midis të cilëve ka dërguar një ftesë-notë edhe për mundësinë që mund të ketë pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion për këtë sepse ftesa dhe nota ka qenë e bllokuar në Ministrinë e Jashtme”.