Emërimi i “myslimanit” Visar Zhiti

0
194

Dr. Gëzim Alpion

Laiciteti i shtetit shqiptar nuk duhet diskutuar

Dr. Gëzim AlpionSipas mediave, Kisha Katolike Shqiptare ka dalë kundër propozimit për të emëruar z. Visar Zhiti ambasador në Vatikan. Një institucion fetar ‘ka të drejtë’ të identifikojë se dikush i përket këtij apo atij besimi po aq sa mjekut ‘i lejohet’ të publikoj informacion për pacientët e tij.
Përkatësia fetare nuk është si ajo etnike, nacionale apo politike. Nëse i përkasim një besimi fetar apo jo, është një çështje tërësisht personale dhe intime. Për këtë ka të dhëna vetëm ‘vetëdija’, të cilën nuk mund ta ‘lexoj’ askush, përfshirë priftërinjtë dhe hoxhallarët.
Arsyeja se përse po komentoj për këtë çështje nuk ka të bëj me faktin se propozimin në fjalë e bëri Kryeministri aktual i Shqipërisë. Unë nuk kam gjetur gjuhë të përbashkët me ‘pronarët’ e qeverive shqiptare. Megjithatë, ndryshe nga krerët intolerantë të politikës, disa nga të cilët akoma nuk kanë mësuar të respektojnë intelektualët e pavarur, meqë nuk sillen si ‘dele të edukuara’, kam integritetin t’i ‘përkrah’ këta ‘vizionarë me henë’ duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin tim moral dhe qytetar ndaj së vërtetës.
Po kështu, nuk po komentoj për këtë çështje meqë z. Zhiti e kam mik. Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal.
Si institucionet fetare, edhe unë nuk kam të drejtë të komentoj për spiritualitetin e z. Zhiti. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të flas se ku qëndroj unë për sa i përket çështjes së besimit.
Unë nuk i përkas asnjë besimi fetar – dhe nuk kam ndërmend të konvertoj ndonjëherë – por kjo nuk do të thotë se jam ateist. Për mendimin tim, perceptimi se ku qëndrojmë ne si specie në ‘strategjinë’ kozmike është përtej kapacitetit njerëzor. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi
gjithmonë në kërkim të hyjnores apo të pengojmë njëri-tjetrin kur tentojmë të shkelim në ‘zona të ndaluara’.
Gjatë 15 viteve të fundit, që vazhdoj të jem i angazhuar me studimin e figurës së Nënë Terezës jo si fetar, por nga këndvështrimi i shpirtit dhe arsyes, jam befasuar dhe trishtuar disa herë nga zëra që kanë kundërshtuar përkushtimin tim pikërisht se unë nuk i ‘përkas’ fesë katolike. Këta zëra po protestojnë edhe tani se përse një intelektual jo katolik si unë po lobon për shenjtërimin e Nënë Terezës, ndërkohë që ata që e quajnë këtë murgeshë ‘të tyren’ nuk po pipëtijnë për këtë çështje.
I vetmi autoritet i lartë në Kishën Katolike në Shqipëri që është shprehur publikisht në favor të peticionit nuk ka shtetësi shqiptare. Mos vallë duhet të themi se nuk duhet të ketë vend në Kishën Katolike Shqiptare për priftërinj joshqiptarë? Apo duhet të kritikojmë Nënë Terezën se ajo iu përkushtua njerëzve të varfër fillimisht në Indi dhe më vonë në mbarë botën, por ‘u ktheu shpinën’ shqiptarëve, veçanërisht katolikëve ‘të saj’ të vobektë?
Në monografinë e re për Nënë Terezën, që do të botohet në fund të këtij viti, do të publikoj për herë të parë informacion për disa aspekte të jetës së kësaj murgeshe. Ky informacion do të kishte humbur përgjithmonë si rezultat i akrobacive të dënueshme të biografëve dhe hagiografëve katolikë të Nënë Terezës në Ballkan, të cilët, duke ndjekur avazin e politikanëve amatorë, kanë folklorizuar deri në vulgarizim dhe ofendim për intelektin një figurë të tillë fetare shumëdimensionale. Shpreh bindjen se për Nënë Terezën duhen bërë akoma studime akademike të mirëfillta jo për ta ngritur atë në piedestal, por për të kuptuar se ç’do të thotë të kesh besim dhe të tundohesh nga mosbesimi, por kurrë të mos dyshosh në natyrën e shenjtë të dinjitetit njerëzor.
Në qoftë se besojmë se jemi komb që karakterizohemi nga toleranca fetare, emërimi i ‘myslimanit’ Zhiti tregon se ky virtyt, për të cilin krenohemi vend e pa vend, vërtet është diçka e veçantë për ne. Nuk është e mjaftueshme vetëm të ‘predikosh’ tolerancë fetare. Kush beson tek Zoti, duhet ta dijë se kjo ‘krijesë’ hyjnore nuk ka përkatësi fetare.
Shteti shqiptar ka kusuret e veta, por laiciteti i tij nuk duhet komprometuar kurrë, aq më tepër në kohën tonë kur fryma e murtajës së radikalizmit fetar, që po gangrenizon një pjesë të botës, fatkeqësisht ka metastazat e saj edhe në Ballkan.
*titulli redaksional