Mos u qaj më,zemër e trishtuar, e mjerë

0
173

Sergej Esenin
NDËRMEND SJELL…
Rene Magritt faraway-looksNjë tufë me poezi nga mjeshtrat klasikë të poezisë, si ndjenjat vazhdojnë të mbajnë gjallë jetët e njerëzve dhe kujtesa zhvesh gjithë rrëfimet si nostalgji, mall, ashpërsi.

Ndërmend sjell e dashur gjithmonë
Shkëlqimin e flokëve të tua,
Erdh koha që neve u ndamë;
E rëndë ka qene për mua.
Kujtoj atë mbrëmje vjeshtore
E zhurma gjethesh të thatë
Le të ishin të shkurtra ditët,
Se hëna na ndrinte më gjatë.
Mbaj mend si më the ti një mbrëmje:
“Do shkojnë të kaltërat vjetë
Dhe ti do t’më harrosh, i dashur
Do shkosh kushedi me një tjetër.”
Dhe sot dega e mbushur me lule
Për ty ç’më kujtoi prap mua.
Sa ëmbël me lule mbulova
Dikur kaçurrelat e tua.
Dhe zemra ty pa të braktisur
Një tjetër duke dashuruar,
Porsi një rrëfenjë të dashur
Gjithmon’ të kujton pa pushuar.
Përkthyer nga: Ismail Kadare


***

Ditë me shi

Henry Longfellow

Dita është e ftohtë, e errët, e trishtuar,
Bie shi dhe era nuk është kurrë e qetë,
Hardhia kapet pas murit të shkretuar,
Në çdo shkulm ere, gjethet bien lehtë…

Mos u qaj më, zemër e trishtuar, e mjerë,
Pas reve dielli vazhdon të shkëlqejë,
Fati yt është fati i të gjithëve,
në çdo jetë pak shi do bjerë.


***

Zjarr dhe akull

Robert Frost

Ca thonë që botën do ta përfshijë zjarri,
Të tjerë se fundin akulli do t’ia sjellë,
Për ç’kam parë e dëshiruar
Si të parët, zjarrin zgjedh.
Por nëse dy herë mund të vdesë,
Mendoj se kam aq urrejtje
Të them se akulli është i duhuri
Që asgjë të mos mbesë…

***
Ngadalë vdes…


Pablo Neruda

Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
që nuk ndryshon rrugë,
që nuk rrezikon,
që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve,
që nuk i flet atij që nuk e njeh.
Dalëngadalë vdes ai që nuk përmbys tryezën,
që është i pakënaqur nga puna,
që nuk rrezikon sigurinë nga pasiguria për të ndjekur një ëndërr,
që nuk i lejon vetes asnjëherë në jetë të thyejë rregullat e vendosura.
Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.
Dalëngadalë vdes ai që shpërfill krenarinë e tij,
që nuk i lë të tjerët ta ndihmojnë,
që i kalon ditët duke u qarë për fatin e tij të keq,
që ankohet për shiun që nuk pushon.
Dalëngadalë vdes ai që i shmanget projektit para se të fillojë,
që nuk pyet për gjërat që nuk i di dhe
që nuk përgjigjet për gjërat që di.
E shmangim vdekjen me doza të vogla,
duke kujtuar gjithmonë se të jesh gjallë
kërkon një përpjekje shumë më të madhe
se thjeshtë fakti që marrim frymë.
Vetëm durimi i paepur
do të na bëjë të arrijmë
lumturinë më të madhe.