Superliga Shqiptare/ Skënderbeu dhe Partizani ndahen në paqe

0
159

Si të kuqtë kryeqytetas ashtu edhe ata korçarë nuk patën fatin të shënjestronin rrjetën, duke dalë nga sfida me një pikë

Skënderbeu dhe Partizani ndahen në paqeSuperliga Shqiptare ka luajtur edhe ndeshjen e fundit dje. Partizani udhëtonte drejt kampionëve të Skënderbeut në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave. Të dyja skuadrat janë rivale të drejtpërdrejta dhe sigurisht që kjo ndeshje ishte vendimtare për fatin në kampionat. Në të ftohtin e Korçës, as Skënderbeu, as Partizani nuk kanë arritur që të dalin fitues, duke marrë vetëm një pikë. Janë korçarët ata që e nisin me vrull lojën, por Partizani nuk hutohet dhe mbyll shpejt hapësirat. Topi qarkullohet më shumë në mesfushë dhe ka përplasje të forta mes futbollistëve. Vlen të theksohet që në 30 minutat e para të takimit arbitri ka sinjalizuar rreth 20 faulle duke e ndërprerë vazhdimisht ndeshjen. Si Partizani ashtu edhe Skënderbeu tregohen të kujdesshëm në prapavijë duke mos lejuar shumë hapësira. Gjyqtari i takimit, Kridens Meta, dënoi gabimisht Mazrekajn me karton të verdhë për një faull ku realisht duhej ndëshkuar Cuculi i cili e shkaktoi. Kjo gafë do t’i kushtojë Mazrekajt mungesën ndaj ekipit të Kukësit javën e ardhshme. Rasti i parë flagrant në këtë takim do të vinte në minutën e 39′ kur Vangjeli fut një krosim në zonë dhe Martins godet me kokë duke kërcënuar, por Alban Hoxha është në pozicion dhe pret topin. Vetëm 2 minuta më vonë përgjigjet Partizani me Emiliano Vilën, por Shehi devijon topin në goditje këndi. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0. Në fraksionin e dytë është Skënderbeu që hyn në fushën e lojës më i freskët dhe shfaqet menjëherë kërcënues. Në minutën e 47 Shkëmbi gjuan nga një distancë rreth 20 metra, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Vetëm 2 minuta më vonë, Nimaga ka një rast ideal, por i vetëm përballë Alban Hoxhës ngatërrohet me këmbët e tij dhe nuk shënon. Përgjigjet Partizani dhe është Fejzullahu që gjuan fuqishëm me të majtën por topi përfundon jashtë Të kuqtë marrin zemër dhe hidhen në sulm. Është sërish Fejzullahu që rrezikon. Pasi depërton bukur nga e djathta, hedh një top të rrezikshëm në zonë por devijon në goditje këndi Radas Në minutën e 65-të, Skënderbeu gjen golin me Radas, por arbitri më parë kish ndalur lojën për një faull në zonë. Mbrojtësi kroat gjuan fuqishëm duke dërguar topin në rrjetë pas një goditje këndi por ky gol nuk vlen. Nga ana tjetër Partizani reagon dhe është Vila që gjuan me kokë duke iu afruar golit por topi përfundon jashtë. Janë minuta që flasin për Partizanin. Fajzullahu pason për Raçiçin, ky i fundit gjuan, por Radas është vendimtar duke e devijuar topin në goditje këndi. Në të 87-ën minutë Shabani ka një mundësi mjaft të mirë pasi merr një top nga Raçiçi, por nuk koordinohet si duhet dhe e dërgon topin mbi traun e portës së mbrojtur nga Shehi. Rasti i fundit i ndeshjes mban firmën e Skënderbeut. Në minutën e 90-të Stojkov i sapo futur në lojë godet rrezikshëm me kokë, por Hoxha është pozicional dhe pret topin. Të dyja ekipet ndajnë nga 1 pikë dhe e shohin veten në vendin e 3-të në tabelën e renditjes me nga 41 pikë secila.

Goditja ndaj Smajlit, Laçi rrezikon të luajë pa tifozë

Sfida midis Laçit dhe Kukësit tashmë duket se do të vazhdojë betejën e saj në fushën ligjore. Goditja e mbrojtësit të kampionëve të dimrit, Dritan Smajli, nga ana e publikut vendas pritet të çojë çështjen në Komisionin e Disiplinës që, bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive, do të japë vendimet mbi gjithçka ndodhi në atë ndeshje. Kukësi pretendon të marrë tri pikët në tavolinë, pasi, sipas tyre, dëmtimi i Smajlit ndikoi në gjendjen psikologjike të skuadrës dhe për rrjedhojë edhe në rezultatin e ndeshjes. Megjithatë, neni 66 i Kodit të Disiplinës Sportive flet qartë se në një rast të tillë është vështirë të ndryshojë rezultati teknik i ndeshjes. Më saktë, pika 3 e këtij neni dhe paragrafi “b” tregojnë dënimin që mund të marrë skuadra e Laçit për këtë ngjarje. Në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen me ndalimin e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës për jo më pak se 4 (katër) ndeshje pa spektatorë Bazuar në këtë pikë të nenit 66 të Kodit të Disiplinës Sportive, pritet që fusha e Laçit të dënohet me zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi pa spektatorë për të paktën 4 sfidat e ardhshme. Një dënim i rëndë që mund të ndikojë jo pak në skuadrën bardhezi, që në këtë moment delikat që është kampionati nuk i shërben për mirë.

Reali humbet edhe Khedirën, mungon tri javë për shkak dëmtimi

Realit të Madridit do t’i duhet të bëjë edhe pa mesfushorin Sami Khedira të paktën për tri javë, pas lëndimit që pësoi në muskujt e këmbës në ndeshjen kundër Atletikos së Madridit. “Los Blancos” kanë njoftuar se gjermani do të mungojë ndaj Deportivo la Korunjës, Elçes dhe Vilarealit si dhe në ndeshjen në kuadër të Ligës së Kampioneve ndaj Shalkes. Pritet që në vend të tij të luajë Asier Ilarramendi ose transferimi i janarit, Lukas Silva. Trajneri Karlo Ançeloti një kohë të gjatë është pa mesfushorin Luka Modriç, ndërsa i lënduar është edhe Xhejms Rodrigez.


Cerezo: Atletiko është mbret i Madridit

Presidenti i Atletikos së Madridit, Enrike Cerezo, është shprehur se skuadra e tij është më e forta momentalisht në kryeqytetin spanjoll pas fitores së thellë në fundjavë ndaj rivalit lokal, Real Madrid. Kampioni spanjoll nuk ka humbur në gjashtë ndeshjet e fundit kundër “Los Blancos”, ndërsa në përballjen e fundit triumfoi me rezultat 4-0. Kreu i klubit kërkon që kjo ka formë t të vazhdojë, ndërsa thotë se ka gjasa edhe që të ndryshojë. “Sot Atletiko ka komandën e kryeqytetit, por kjo mund të ndryshojë nesër. Ne nuk dorëzohemi. Ato ishin tri pikë të mirëseardhura, por duhet të vazhdojmë të punojmë. Ky është çelësi i suksesit. Jam i bindur se do të luftojmë deri në fund për dy titujt që na kanë mbetur, kampionatin dhe Ligën e Kampionëve. Nuk e di a do t’i fitojmë, por do të luftojmë deri në fund”, – ka thënë bosi i bardhekuqve.

Ibrahimoviç: Ripërsëritja e penalltisë, e drejtë

Zllatan Ibrahimoviç deklaroi pas ndeshjes se arbitri mori vendim të drejtë kur i dha mundësinë që ta riekzekutonte penaltinë në barazimin (1-1) kundër Lionit. Tentativa e parë e sulmuesit parisien u mbrojt nga portieri Antoni Lopes, mirëpo gjyqtari Klement Turpin vendosi që të ekzekutohej sërish, duke thënë se portieri kishte dalë nga vija e tij. Në përpjekjen e dytë, suedezi u tregua i saktë, duke siguruar një pikë për kampionin francez. “Patëm shumë raste, mirëpo shënuam vetëm një herë. Përsëritja e penaltisë? Nëse i ndjek rregullat, atëherë ka kuptim. Ishte ndeshje e bukur, por u desh të fitonim. Lopes bëri disa pritje, por ne patëm disa raste që është dashur t’i konkretizonim”, – tha suedezi.


Murinjo: Rrugë e gjatë për te titulli

Portugezi i “bluve” të Londrës, Hoze Murinjo, u shpreh se duhet shumë punë deri te ngritja e titullit, edhe pse skuadra e tij ka një diferencë prej shtatë pikësh më skuadrën e dytë në Premier Ligë, Mançester Sitin. “Nëse do të ishim 7 pikë vetëm 2 javë nga fundi i sezonit atëherë do të ishim shpallur kampionë”, – ka thënë Murinjo. “Në këtë kampionat na kanë mbetur plot 14, kështu që unë mendoj se ka ende një rrugë të gjatë për ne nëse duam të mbërrijmë te titulli kampion”, – ka shtuar portugezi. Çelsi përveç Premier Ligës po ashtu llogaritet si ndër favoritet për titull edhe në Ligën e Kampioneve. Forma e kësaj skuadre në këtë kampionat është shumë e mirë dhe stabiliteti i krijuar po jep shpresë për suksese.


Nasri: Siti po e vështirëson vetë garën për titull

Mesfushori francez Samir Nasri është shprehur se Mançester Siti po ia zbeh vetes gjasat për titull, pasi kampionët ngecën shtatë pikë prapa Çelsit pas barazimit ndaj Hull Sitit. “Ne duhet të zgjohemi dhe të bëjmë punën tonë, para se të bëhet shumë vonë”, ka thënë Nasri. “Çelsi, pa asnjë mungesë respekti nuk është Liverpuli që mund të humbë pikë. Ata janë të qëndrueshëm. Ne duhet t’i arrijmë ata sa më shpejt që është e mundur, nëse duam të jemi kampionë. Por në të njëjtën kohë duhet të shikojmë prapa nesh. Sauthempton ka fituar, Junajtid po afrohet. Do të jetë vështirë te Stoke. Nuk është mbrëmje ideale të mërkurën, gjatë dimrit, por ne duhet ta fitojmë atë”, – ka thënë francezi.

Falkao: Nder të luash me Ronaldon

Sulmuesi kolumbian Radamel Falkao shpreson që një ditë do të luajë me yllin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldon. Sulmuesi kolumbian dhe asi portugez janë bërë miq falë agjentit të tyre, Horge Mendez. Ëndrra e Falkaos është që të luajë së bashku me Ronaldon, madje ndoshta edhe te Mançester Junajtid. “Do të ishte krenari për të luajtur me të, sepse ai është një legjendë e futbollit, një nga futbollistët më të mirë që ka jetuar ndonjëherë”, – ka thënë Falkao.


Mendez: E vështirë të jesh Kristiano Ronaldo

Agjenti i Kristiano Ronaldos, Horge Mendez, ka dalë në mbrojtje të yllit të Realit të Madridit, i cili u kritikua pasi festoi ditëlindjen, pavarësisht nga disfata e thellë 4-0 nga Atletikoja e Madridit. Portugezi mbushi 30 vjet më 5 shkurt dhe kishte planifikuar një festë të shtunën mbrëma, pas ndeshjes ndaj Atletikos, nga e cila kanë rrjedhur edhe fotografi që kanë zemëruar fansat e Realit. “Nuk është e lehtë të jesh Kristiano Ronaldo”, – ka thënë Mendez. “Ai është shumë i zemëruar për daljen e fotografive nga ditëlindja e tij. Kjo duhej të ishte një festë private. Nuk mund ta anulonte festën e ditëlindjes, pasi e gjithë familja dhe miqtë tashmë kishim arritur në Madrid, edhe pse ai ishte shumë i zhgënjyer nga disfata kundër Atletiko Madridit. Njerëzit duhet ta mbështesin dhe ndihmojnë atë. Ai është profesionisti më i mirë në botë, një shembull që duhet ndjekur dhe do ta bëjë këtë në mënyrën e duhur”, – ka thënë agjenti.

Tifozët e Barcelonës kërkojnë qëndrimin e Alveshit

Tifozët katalanas janë ata që duket së do të vendosin për të ardhmen e brazilianit Dani Alvesh. Ofertat e Mançester Junajtidit, PSG-së dhe Bajernit të Mynihut mund të refuzohen edhe një herë në verë, në mënyrë që Alvesh të mbetet në ekipin aktual. Nga një anketë e bërë nga mediat në Spanjë ka rezultuar se mbi 70% e duan qëndrimin e futbollistit në Barcelonë, kurse pak mbi 20% e duan largimin e tij nga skuadra. Alvesh, për një kohë të gjatë, është ndër lojtarët më frytdhënës në skuadrën e Barcelonës, por kohët e fundit ka pasur zëra se ai mund të largohet.


Egjipti në zi, ndërpritet kampionati vendas

Autoritetet egjiptiane vendosën pezullimin e të gjitha ndeshjeve të ligës vendase të futbollit për një periudhë kohe të papërcaktuar, pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen të dielën në një stadium të Kajros, duke përfunduar me bilancin tragjik të 22 të vdekurve. Një pjesë e viktimave u shtypën nga turma, kur policia përdori gazin lotsjellës kundër mbështetësve të Zamalekut, të cilët po përpiqeshin të hynin me forcë në stadium për të parë ndeshjen me skuadrën rivale të kryeqytetit, ENPPI. Tifozët fajësojnë autoritetet për fatkeqësinë, me pretendimin se hapën vetëm një portë, çka shkaktoi sipas tyre të gjithë pështjellimin. Një fletë-arrest është lëshuar për liderin e grupit të tifozëve të Zamalekut, të njohur si “Kalorësit e Bardhë”. Hera e fundit që janë pezulluar ndeshjet e ligës së futbollit në Egjipt ka qenë në 2012-ën, kur nga përleshjet po për shkak të një ndeshjeje në Port Said humbën jetën 74 vetë. Pavarësisht dhunës së shpërthyer në stadiumin e mbrojtjes ajrore në Kajro, ndeshja u zhvillua e plotë. Tifozët egjiptianë të futbollit shpeshherë janë thellësisht të politizuar dhe një pjesë e tyre luajtën rol të rëndësishëm në përmbysjen e ish-presidentit Hosni Mubarak, gjatë revolucionit të vitit 2011. Mes këtyre të apasionuarve të ethshëm pas futbollit dhe forcave të sigurisë ka një histori të gjatë tensionesh, ndaj nuk përjashtohet mundësia e përplasjeve të tjera të dhunshme gjatë ditëve në vazhdim.