Mjekët: Jeta jonë është testim në praktikë. Ministria e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga nisma për testimin e mjekëve
Mjekët dhe infermierët në Tiranë për gati një orë kanë pezulluar punën e tyre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të kundërshtuar atë që ata e quajnë fushatë denigruese të Ministrisë së Shëndetësisë. Shqetësimet në këtë rast lidhen me dhunën fizike të mjekëve, testimin, mungesën e investimeve në spitale dhe pagat e ulëta. Tritan Kalo, mjek infeksionist, u shpreh dje gjatë protestës se stafi mjekësor është në presionin e Ministrisë së Shëndetësisë. “Në kushtet kur vendi po përballet me një fatkeqësi natyrore, t’i krijosh dhe një fatkeqësi tjetër psikologjike nëpërmjet presionit që i bëhet personelit mjekësor, ka dy shpjegime: ose idiotësi, ose paaftësi. Por asnjë racionalitet në fjalë dhe veprime. Nuk është e lejueshme që në vitin 2015 të ngrihemi, të diskutojmë dhe të debatojmë për probleme që duhet të ishin zgjidhur që nga 31 marsi i 1991. Problemi i testimit është bërë një legjendë urbane. Nuk është testimi ai që përcakton kualitetin e mjekut, mjekët testohen përditë, janë testuar dhe vazhdojnë të testohen në kapacitetet e tyre intelektuale dhe fizike çdo ditë me punën dhe devotshmërinë e tyre. Një artificë e krijuar thjesht për të mbuluar nuk e di se çfarë problemesh që mund të ketë qeverisja e Ministrisë së Shëndetësisë nuk e zgjidh problemin. Problemi zgjidhet përmes konsultimit me palët e interesit siç janë dhe mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor për të përmirësuar çdo ditë atë që quhet vetëkualifikim ose përmirësim të kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës”, – thotë mjeku Tritan Kalo. Shqetësimi që ngritën mjekët, janë pagat e ulëta të bluzave të bardha dhe kërkesa është që kjo pagë të rritet deri në 15%.
Mjekët
“Testimi është një problem që doli nga përfaqësuesit e Ministrisë si një mjet për nivelin e mjekëve, sidomos nga ana e teorisë. Ne nuk jemi kundër testimeve, jeta jona është testim si në praktikë dhe teori. Në ndjekim praktika ndërkombëtare, nëse kërkon dikush të marrë një fotografim ku është niveli i mjekëve ka struktura ndërkombëtare për këtë. Ne nuk jemi dakord për mënyrën se si organizohet. Ne nuk kemi frikë nga provimet e testimet, kundërshtohet sepse na vendosin në një situatë që keq informon opinionin dhe të sëmurët. Në radhë të parë duhen bërë testim administratorët e pastaj mjekët. Politika nuk e njeh situatën e mjekësisë. Kujton se me një të rënë të shkopit rregullohet. Nëse një njeri që s’ka lidhje me shëndetësinë e tregon për standardet kjo s’më duket ide e mirë. Mendimi tonë është që ata që kanë marrë këtë iniciativë të ulen e të bisedojnë”, – deklaroi mjeku Apostol Vaso.
Protestë edhe në rrethe
Protesta e mjekëve nuk është zhvilluar vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Mjekët e Lushnjës protestuan duke lënë punën për 30 minuta. Po për 1 orë mjekët e spitalit të Shkodrës ndërprenë shërbimin e pacientëve. Kirurgët thanë se testimi nuk është gjë tjetër, veçse denigrues për këta profesionistë. Mjekët janë shprehur kundër testimit dhe kundër rasteve të dhunës të shfaqura muajin e fundit në spitale. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë shprehet se nuk do të tërhiqet nga nisma për testimin e mjekëve.