Debati në Kuvend/ Bushati: Komisionin e OSBE-së e refuzova se ishte pa peshë. Bumçi: Je turpi i diplomacisë

0
117

Gëzim Saliu

 bushati-komision-te-jashtemDeputeti i PD-së: Je ministri më dhunues në qeveri. Bushati: Kur ishe ministër, kishe gruan drejtoreshë

 Ligji për shërbimin e jashtëm, PD: Cenohen themelet e diplomacisë. Ministri: Emërimet sipas meritokracisë

Mes debateve dhe akuzave të forta u shoqërua dje prezantimi i ligjit të shërbimit të jashtëm nga ana e kryediplomatit Ditmir Bushati në Kuvend. Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm nuk munguan kundërshtitë e demokratëve për ligj, duke theksuar mungesën e transparencës, porse debati kryesor u përqendrua mes ish-ministrit Aldo Bumçi dhe kreut aktual të dikasterit Ditmir Bushati. Pas akuzave për refuzimin që Shqipëria i bëri OSBE-së për drejtimin e Komisionit të Ekonomisë, Bushati e Bumçi janë përfshirë edhe në akuza personale. “Ti je ministri më dhunues në qeveri, stafi yt ankohet se po i bën presion gjatë punës”, – u shpreh Bumçi. Në reagimin e tij, ministri theksoi: “Ti ke qenë i vetmi ministër i Jashtëm që ke pasur edhe gruan aty që ishte drejtoreshë. Unë bashkëshorten tënde nuk e kam dhunuar, ajo ka ikur vetë nga puna”. Kjo deklaratë ka nxitur edhe më shumë debatin mes palëve, ku deputeti demokrat nuk nguroi të pohonte se Bushati mund të cilësohet si turpi i diplomacisë shqiptare. “Je njeri i vogël,ti je turpi i diplomacisë, je njeri i vogël. E refuzove drejtimin e komisionit në OSBE për interesat e tua të vogla, vetëm e vetëm se nuk të pëlqen ambasadori”.

 

Refuzimi i OSBE-së

Refuzimi i drejtimit të Komitetit të Ekonomisë në OSBE ishte tema më e nxehtë e debatit të zhvilluar dje në Komisionin e Jashtëm mes ministrit Bushati dhe deputetit demokrat Aldo Bumçi. “Ju nuk e keni pranuar ofertën e OSBE-së, pasi kërkoni të largoni nga detyra ambasadorin Shqiptarë në OSBE, një personalitet me rezultatet të shkëlqyera”, – deklaroi ish-kreu i Ministrisë së Jashtme. Në përgjigje të kësaj akuze, Bushati tha se Komiteti i ofruar nuk ishte ndër më të rëndësishmit e OSBE-së dhe vendimi, sipas tij, nuk ndikon në rezultatet dhe marrëdhëniet e diplomacisë shqiptare. “Mosmarrja e kryesisë së Komitetit të Ekonomisë dhe Çështjeve të Mjedisit ka qenë një vendim i Ministrisë së Jashtme dhe vjen pas një analize të thelluar të strukturave të Ministrisë së Jashtme, të cilat kanë arritur në përfundimin se ky Komitet nuk është i rëndësishëm, duke parë dhe orientimin tonë strategjik në politikat e jashtme. Jemi në kërkim të një vendi me peshë në OSBE, një vend i tillë që ka të bëjë me sigurinë evropiane. Është spekuluar për këtë çështje. Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën post-komuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm”, – deklaroi Bushati. Por sipas deputetit demokrat, argumentet e qeverisë se u refuzua Komiteti i Ekonomisë, për shkak të kërkesës për marrjen e drejtimit të Komitetit të Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut janë thjesht për të larguar vëmendjen nga e vërteta. Në reagim, kreu i Ministrisë së Jashtme tha se diplomacia e vendit ka arritur suksese. “Tani Shqipëria po rritet nga ana diplomatike dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen që Selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor të vendoset në Tiranë, Shqipëri”.

 

Ligji i ri i shërbimit të jashtëm

Në prezantimin e projektligjit për shërbimin e jashtëm, ministri Bushati theksoi se duhet parashikuar që Parlamenti të ketë rol më diskret në procesin e emërimit të ambasadorëve. Nga ana e tij, nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, deputeti Aldo Bumçi, pohoi se ndryshimet ligjore cenojnë themelet e shërbimit diplomatik dhe të marrëdhënieve institucionale në vend. Projektligji i qeverisë parashikon që Presidenti të ketë një afat për t’u shprehur për propozimet, ndërsa roli i kreut të shtetit është formal në procesin e emërimeve të ambasadorëve. Po ashtu ligji parashikon se raporti mes individëve që vijnë nga shërbimi dhe jashtë tij nuk përcaktohet pasi sipas qeverisë, emërimet do të behën sipas meritokracisë.

 

Debati në Komision

Aldo Bumçi: Nuk e keni pranuar ofertën e OSBE-së, pasi kërkoni të largoni nga detyra ambasadorin shqiptar në OSBE, një personalitet me rezultatet të shkëlqyera.

Ditmir Bushati: Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën postkomuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm.

Aldo Bumçi: Ti je ministri më dhunues në qeveri. Stafi yt ankohet se po i bën presion gjatë punës.

Ditmir Bushati: Ti ke qenë i vetmi ministër i jashtëm që ke pasur edhe gruan aty që ishte drejtoreshë. Unë bashkëshorten tënde nuk e kam dhunuar, ajo ka ikur vetë nga puna.

Aldo Bumçi: Ti je turpi i diplomacisë, je njeri i vogël. E refuzove drejtimin e komisionit në OSBE për interesat e tua të vogla, vetëm e vetëm se nuk të pëlqen ambasadori.

Ditmir Bushati: Shqipëria po rritet nga ana diplomatike.

Aldo Bumçi: Partnerët janë të shokuar nga kjo vendimmarrje, Bushati u mundua ta zhvlerësojë rolin. Shqipëria nuk ka luksin të thotë jo për drejtimin e një komiteti.

 

 Ngërçi me ambasadorët/ Ministri: Kryeministri propozon, Presidenti certifikon

Një tjetër temë e diskutimit të djeshëm në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm ishte edhe ajo që lidhet me ngërçin aktual mes institucionit të Presidentit dhe qeverisë për emërimin e ambasadorëve. Kreu i shtetit ka deklaruar se nuk do të dekretojë tre emrat, pasi, sipas tij, qeveria nuk është konsultuar me të. Por nga ana e saj Ministria e Jashtme përmes Bushatit theksoi se është Kryeministri propozon ambasadorët e ndërsa Presidenti certifikon emrat. “Kushtetuta njeh Kryeministrin si propozues të ambasadorëve. Sipas Kushtetutës Presidenti është certifikues i emrit të ambasadorit”, – deklaroi Bushati në Komisionin e Jashtëm. Ndërkaq, Presidenti ka bërë të ditur se nuk do të dekretojë tre emrat e mazhorancës, mes tyre edhe Visar Zhitin në Vatikan. Ky i fundit dy ditë më parë në Komisionin e Jashtëm mori konsensus maksimal, si nga PS ashtu edhe nga PD, ku deputetët kërkuan që kreu i shtetit të pranojë dekretimin e emrit të tij.