Në Tiranë janë disa taksa që aplikohen nga Bashkia e Tiranës, midis të cilave, taksa e ndërtesës, e makinave të përdorura dhe taksa për kalimin e pasurive të paluajtshme.
Taksa e ndërtesës
Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Në parashikimin e të ardhurave nga taksa e pasurisë, është gjykuar që vlera e mundshme për t’u arkëtuar nga taksa të rritet mesatarisht me 1%, për vitet 2015-2017. Faktorët që u morën në konsideratë në parashikimin e kësaj takse, janë:
-Rritja e nivelit të taksës për kategorinë e biznesit me dyfishin e ekzistueses por dhe lehtësimin me -30% të këtij niveli të rritur, me miratim të Këshillit Bashkiak
-Shtimi i një nënkategorie në kategorinë familjar për banesat jo të para, me detyrimin sa dyfishi i taksës për banesën e parë.
-Rritjen e numrit të pronave të evidentuara për qëllime biznesi
-Saktësimi i sipërfaqeve ekzistuese si dhe evidentimi i sipërfaqeve të reja për pronat me aktivitet biznesi
-Bashkëpunimi efektiv me ZVRPP, për një ndjekje sa më operative të pasqyrimit të veprimeve mbi regjistrimin dhe lëvizjen e pronave në qytetin e Tiranës.
Ndryshimet në Paketën Fiskale, diktuan edhe ndryshime në nivelin e Taksës mbi ndërtesat. Ndërkohë tatimpaguesit që kanë në pronësi më shumë se një banesë, për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm paguajnë taksën e ndërtesës sipas nivelit ekzistues, ndërsa për shtëpitë e tjera sa dyfishi i taksës së ndërtesës. Agjent tatimor për vjeljen e taksës mbi ndërtesën për kategorinë “Ndërtesa Banimi” është Njësia Bashkiake. Njësitë Bashkiake janë përfituese të vlerës së 10% të shumës së arkëtuar.
Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksës mbi ndërtesat për kategorinë “Ndërtesa të Tjera” është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.
Në parashikimin e të ardhurave nga taksa e pasurisë, nga kalkulimet na rezulton se të ardhurat nga kjo taksë do të rriten mesatarisht me 1% në vit për çdo vit pasues.
Fakti 2013 | Plani 2014 | Parashikimi 2015 | Parashikimi 2016 | Parashikimi 2017 | |
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme | 454.888 | 1.146.397 | 1.159.027 | 1.170.617 | 1.182.319 |
Familjarë | 14.174 | 233.280 | 236.779 | 239.147 | 241.535 |
Biznese | 440.714 | 913.117 | 922.248 | 931.470 | 940.784 |
Taksa për pasuritë e paluajtshme
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to.
Agjenti tatimor për vjeljen e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila në rolin e agjentit të taksës përfiton 3% të shumës së arkëtuar.
Fakti 2013 | Plani 2014 | Parashikimi 2015 | Parashikimi 2016 | Parashikimi 2017 | |
Taksa mbi kalimin të drejtës pronësisë për pasuritë e paluajtsh. | 296.050 | 375.000 | 393.750 | 400.000 | 404.000 |
Taksa vjetore e mjeteve të përdorura
E ardhura nga taksa, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (drejtoritë rajonale) para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Procedura e ndarjes së të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore por e konvertuar në përqindje, në masën 18% e të ardhurave vjetore mbasi është zbritur vlera e 5% që i takon agjentit tatimor DPSHTRR.
Fakti 2013 | Plani 2014 | Parashikimi 2015 | Parashikimi 2016 | Parashikimi 2017 | |
Taksa vjetore e mjeteve të përdorura | 279.469 | 300.000 | 315.000 | 330.000 | 333.300 |