Konferenca/ Rama: S’falim asnjë borxh për energjinë, jo ndihmë ekonomike për ata që nuk paguajnë

0
142

Gëzim Saliu

 rama per energjineKryeministri zbardh projektin e matësve inteligjentë: Alliasi dhe Bathorja, dy lagjet e para ku do provohet

 Hyn në fuqi sistemi i ri i pagesës së dritave: Jo vetëm në postë, tashmë edhe me Western Union apo Easy Pay

Nuk do të ketë asnjë falje borxhi për energjinë elektrike dhe se të gjithë atë që marrin ndihmë ekonomike nuk do ta përfitojnë më atë nëse nuk kanë paguar energjinë. Kjo ishe deklarata që bëri dje Kryeministri Rama në konferencën “Rimëkëmbja e energjisë”, duke theksuar se nuk do të ketë asnjëherë amnisti për energjinë elektrike. “Askush të mos mendojë e ëndërrojë e të presë që ne do falim borxhe dhe detyrime të ligjshme të kompanisë, sepse nuk është çështje politike, por jetike për kompaninë më të madhe shqiptare që për më shumë se 20 vjet është vlerësuar si një copë lope, jo si lopa jote”, – tha ai. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë bëri të ditur se edhe ata që marrin ndihmë ekonomike janë të detyruar të paguajnë energjinë elektrike, pasi ndryshe, sipas tij, nuk do ta përfitojnë më atë. “Nuk është e pranueshme që një familje në ndihmë ekonomike të mos paguajë energjinë që konsumon dhe nuk do të tolerohet një gjë e tillë, edhe pse, për hir të së vërtetës, kontributorët më të rregullt të sektorit, përmes OSHEE-së, janë pensionistët, janë personat me aftësi të kufizuar, janë familjet në ndihmë ekonomike. Por midis këtyre të fundit ka familje që nuk paguajnë energjinë elektrike. Nuk do ta marrin ndihmën ekonomike, në qoftë se nuk do të paguajnë energjinë elektrike. Për më tepër, kur qeveria u ka vënë në dispozicion paratë edhe atyre, edhe pensionistëve kryefamiljarë, edhe personave me aftësi të kufizuar, që të mos ndjejnë heqjen e fashës 300 kilovat, por të paguajnë siç kanë paguar rregullisht më përpara”, – deklaroi Kryeministri.

 

Projekti

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë deklaroi se kostoja e matësve nuk do të paguhet nga qytetarët, pasi po shqyrtohet një tjetër opsion, ku sipas tij, “Deutsche Telecom”, ka bërë një ofertë për të ndërtuar një bashkëpunim, duke filluar me një projekt pilot, “që do të jetë projekti që do të na japë mundësi të kuptojmë efektshmërinë e matësve në disa zona të ndryshme që janë përcaktuar nga kompania: Alliasi, Bathorja, autostrada, tregu i “5 Majit” dhe njëkohësisht duke na dhënë të gjithë elementët se si do të futemi pastaj në një proces të hapur, me çfarë termash dhe me radhë”. Më tej, Rama tha se qëllimi i qeverisë është që brenda 5 vitesh t’i jepet mundësia konsumatorit që shërbimin ta ketë serioz dhe korrekt e të paguajë jo mijëra lekë më shumë se ç’konsumon.

 

Pagesa

Ndërkaq, Rama bëri të ditur se nga ky muaj pagesa e energjisë elektrike ka mundësi të bëhet edhe në forma të tjera, pra jo vetëm në postë. “Këtë muaj hyn në fuqi një sistem tërësisht i ri pagese, i diversifikuar, nuk është më monopol i postës dhe qytetarët mund të paguajnë në shumë drejtime. Qytetarët mund të paguajnë energjinë nëpërmjet telefonit celular, pa asnjë problem. U del aty fatura e detyrimeve dhe ata, me një klik i kanë shlyer detyrimet. Qytetarët mund të paguajnë nëpërmjet disa agjencish, që nga Western Union tek Money Gramm, tek Easy Pay e me radhë. Qytetarët do të mund të paguajnë edhe nëpërmjet Vodafone, Eagle, AMC e me radhë, sapo edhe ata të hyjnë në operativitet. Qytetarët mund të paguajnë edhe nëpërmjet internetit, në portalin tonë qeveritar e-albania, në portalin e shërbimeve që është një portal që do të hyjë në funksion me shumë shërbime, brenda këtij muaji”, – u shpreh Kryeministri.

 

Shifrat/ Çela: Humbjet zbritën në 36.7%, arkëtimet u rritën me 57%

Në aktivitetin e radhës, “Rimëkëmbja energjetike”, drejtori i OSHEE-së pohoi se reforma dhe masat e ndërmarra po japin rezultatet e para në ringritjen e sektorit. “Niveli i humbjeve zbriti në shifrën e 36.7 për qind. E thënë ndryshe 10.3 për qind më pak humbje, krahasuar me vitin 2014, ose 14.4 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013. Në muajin e parë të vitit, ne arkëtuam 6.2 miliardë lekë. Kjo do të thotë 57 për qind më shumë arkëtime se janari i vitit 2014 dhe 128 për qind më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2013”, – tha administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

 

 Reagimi/ PD: Rama po sjell rrënim energjetik për vendin dhe taksat e shqiptarëve

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në konferencën për energjinë, duke e cilësuar atë si një show që nuk mbulon problemet në vend. “Dhjetëra mijë qytetarë që janë mbifaturuar, janë goditur në qindarkat e tyre të fundit nga faturat skandaloze të OSHEE-së, nuk morën sot asnjë përgjigje. Rimëkëmbje energjetike është kjo, kur KESH e blen naftën me 480 lekë litrin? Ja ku është dokumenti. Rimëkëmbje energjetike është kur KESH jep 220 milionë lekë për dy gjeneratorë, ndërkohë që në dokumentet doganore rezulton se ato kushtojnë 79 milionë lekë? Ky është rrënim energjetik për vendin e taksat e shqiptarëve”, – u shpreh Grida Duma.

 

 Kundërpërgjigjja/ Rama, Blushit: Dritëshkurtër, reformat nuk thellojnë varfërinë, por e zgjidhin atë

Konferencën e djeshme, Kryeministri Rama e përdori edhe për t’iu përgjigjur kritikut të zëshëm brenda PS-së, Ben Blushi, i cili pak ditë më parë, përmes një analize, akuzoi qeverinë se përmes masave të marra ka prekur qytetarin e thjeshtë, i cili vazhdon të varfërohet. “Logjika që pse po bëhen të gjitha, pse po bëhen menjëherë, pse po shkojnë kaq thellë, është një logjikë dritëshkurtër. Ashtu siç është dritëshkurtër logjika që këto reforma po pengojnë entuziazmin dhe zhvillimin ekonomik dhe po thellojnë varfërinë. E kundërta është e vërtetë! Këto janë reforma kundër varfërisë, janë reforma që zgjidhin një problem të kahershëm dhe të trashëguar. 25 vjet e kemi trajtuar varfërinë me lëmosha, në formë faljesh, amnistirash apo lejimi, legalizimi i të gjithë llojeve të abuzimeve. Dhe, ja ku janë! Aty janë, nuk kanë dalë nga cikli. Këto reforma i nxjerrin nga cikli dhe të gjithë masat e marra që nga reforma tarifore, tek amendimi i Kodit Penal, tek shlyerja e më shumë se e gjysmës të borxheve të akumuluara nga prodhuesit e vegjël”, – tha Rama.

 

 Rebelohet Vlora/ Trakte në rrugë e makina: Ngrihuni të rrëzojmë diktaturën!

Vlonjatët duken të rebeluar. Qyteti u gdhi ditën e djeshme me trakte nëpër shtylla, rrugë, fasada institucionesh, në makinat e parkuara në rrugë, por edhe lokale. Përmes një flete A4, është kërkuar ngritja e qytetarëve kundër masave të marrë së fundmi nga qeveria. “Ngrihu! Ka ardhur Koha. Ku është dinjiteti vlonjat??? Nuk ke mundësi të paguash dritat? Burg. Popull i Vlorës, ka ardhur koha të tregojmë forcë ndaj diktaturës që po nënshtron dita ditës popullin tonë. Organizata “Vlora Përgjigjet” nuk ndalet me kaq. Shpërndani lajmin në rrjetet sociale. Vepro tani për të ardhmen tënde”, – thuhej në traktin e shpërndarë, i cili shoqërohej me foto nënshtrimi, popull të varfër, hekura burgu si edhe tela energjie elektrike.