Takim me drejtuesit vendor/ Basha : Të rishikohet harta territoriale, cënon autonominë e pushtetit vendor

0
229

Erneta Shevroja

basha pushteti vendor “Kemi thënë dhe themi se harta territoriale “Rama-Meta” është hartë pazaresh, nuk është hartë qytetarësh, është një lojë kungulleshkash që nisi e përfundoi me interesat politike në mendje”

Kreu i demokratëve pati de një takim me drejtues të pushtetit vendor, të cilët adresuan problemin e centralizimit të këtij pushteti, duke u shprehur se është prekur autonomia. Shoqatat e të zgjedhurve vendorë i janë drejtuar mazhorancës me një rezolutë të përbashkët, me anë të së cilës i kërkojnë diskutimin dhe miratimin pa humbur kohë të strategjisë së decentralizimit dhe rishikimin e hartës, në funksion të interesave të qytetarëve dhe përmirësimit të shërbimit ndaj tyre. Edhe kreu Basha mbajti po këtë qëndrim dhe u shpreh se ende ka kohë për ndryshimin e hartës, që sipas demokratëve është elektorale dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. Duke deklaruar se kjo ndare e re të territorit paralajmëron “gjëmën” në pushtin vendor, ai i bëri thirrje edhe një herë kreut të qeverisë që të rishikohet mundësia për ndryshim të ndarjes së re territoriale me 61 njësi bashkiake, që heq njësinë administrative të komunave dhe rretheve. “Duhet të dimë se si do të funksionojë pushteti! Çfarë kompetencash do t’i japim ne kryetarit, këshillit për të qenë më afër qytetarit për t’i zgjidhur më mirë problemet e tyre, se këto kompetenca nuk do të bien nga qielli. Nuk do të vijnë as nga Meka as nga Betlehemi. Do t’i japë qeveria qendrore. Nëse nuk do t’i japë, do t’i mbajë gjithmonë e më shtrënguar kapistallin, atëherë po paralajmëron një gjëmë të përmasave të papara. Paralizimin total të pushtetit vendor. Për të evituar këtë kolaps nuk jemi kurrë vonë, ndaj përsëris thirrjen time ndaj përgjegjësve të situatës pa krye deri tani, z. Rama e Meta, të ndalin këtë ecje të verbër drejt humnerës, greminës, drejt asgjësimit të pushtetit vendor dhe t’i rikthehemi me konsensus dhe me qytetarët një procesi gjithëpërfshirës që në thelb të ketë interesin e tyre, të qytetarëve, të qartësojmë sipas praktikave më të mira se si do i përmbushim sfidat e 25 viteve të ardhshme apo 15 a 10 viteve të ardhshme e pasi ta kemi bërë këtë, vetëm pasi ta kemi bërë këtë, t’i rikthehemi edhe njëherë ndarjes territoriale. Ku ka vullnet, dëshirë, aty ka edhe rrugëzgjidhje. Koha është më se e mjaftueshme”, – deklaroi kryebashkiaku Basha.

 

Harta e re

Basha theksoi edhe një herë se harta territoriale është hartuar nga shumica në bazë interesash elektorale dhe nuk ka në qendër të saj shërbimin ndaj qytetarit. Në këtë kontekst, Basha shtoi se ende ka një mundësi me referendumet që të rishikohet harta, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri. “Kemi thënë dhe themi se harta territoriale “Rama-Meta” është hartë pazaresh, nuk është hartë qytetarësh, nuk zgjidh asnjë nga problemet që shtruam për zgjidhje, një lojë kungulleshkash që nisi e përfundoi me interesat politike në mendje dhe me shkelmimin e interesit qytetar. Presim që KQZ të vazhdojë procesin e vlerësimit për referendumet që kanë kërkuar 70 mijë bashkëqytetarë, 125 njësi vendore”, – tha Basha, duke nënvizuar se është e nevojshme hartimi i një pakete ligjesh e rregullash që përcaktojnë qartë kompetencat e pushtetit vendor. “Kanë sjellë një ligj të turpshëm, amendime të turpshme në Kuvend, që asgjë nuk zgjidhin. E kanë bërë këtë pasi janë kujdesur që të thithin deri në pikën e fundit çdo kompetencë ligjore të pushtetit vendor. T’ua lidhin duart mirë pushtetarëve të djathtë dhe të majtë, të mos i lënë dot të bëjnë as buxhet. Aty ku kanë qenë në gjendje që të bëjnë buxhetin, t’i nxjerrin 100 bishta që të mos e ekzekutojnë atë”, – u shpreh kryebashkiaku Basha.
 

Kërkesat e të zgjedhurve vendorë

  1. Të ndalohet menjëherë cenimi i të drejtave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor, si e drejta për zhvillimin urban të territorit, e drejta për të mbledhur dhe administruar taksat brenda territorit, e drejta për administrimin e pronave në nivel vendor, e drejta për të planifikuar të ardhurat dhe shpenzimet si dhe për të alokuar e përdorur fondet e duhura në shërbim dhe sipas prioriteteve të komunitetit.

    2. Nisja e punës për hartimin e strategjisë së decentralizimit përmes një procesi gjithëpërfshirës, konsultues e transparent, bazuar në eksperiencën tonë të deritanishëm, duke vlerësuar me realizëm problemet dhe dështimet, si dhe duke marrë për referencë ekspertizën e huaj dhe praktikat më të mira, ne dobi të zgjerimit e konsolidimit të autonomisë vendore.

  2. Të hartohet një paketë e plotë ligjore në mbështetje dhe në zbatim të strategjisë së decentralizimit, përfshirë rishikimin e plotë të ligjit “Për organizimin e funksionimin e njësive të qeverisjes vendore”, hartimin e ligjit për decentralizimin fiskal dhe financat vendore, duke i dhënë zgjidhje ligjore dhe të plotë çështjeve për të cilat u iniciua dhe u ndërmor kjo reformë.

 

Reforma në drejtësi: Kryeprokurori të zgjidhet me shumicë të cilësuar

 Ministria e Drejtësisë ka propozuar edhe një ndryshim tjetër në kuadër të reformës në drejtësi. Ndryshimi prek prokurorin e Përgjithshëm, që me ligjin aktual zgjidhet me shumicë të thjeshtë. “Polarizimi i vazhdueshëm politik në Shqipëri ka ndikuar negativisht në punën e prokurorit të Përgjithshëm në të afërtën e shkuar, ku do të përfshihej edhe hetimi i ngjarjeve të 21 Janarit 2011 në Tiranë. Mbështetur edhe në opinionin e Komisionit të Venecias, propozohet që do të ishte pozitive që të kërkohej një shumicë e cilësuar për emërimin e prokurorit të Përgjithshëm, duke e parë kështu si një mekanizëm për të promovuar konsensusin politik dhe për të shmangur rrezikun e politizimit në emërimin e tij”, – thuhet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndryshimet e propozuara i kufizojnë kryeprokurorit disa kompetenca, si për shembull, propozohet që roli i Këshillit të Prokurorisë, i cili deri më tani ka vetëm rol këshillimor të kthehet në një këshill që mund të marrë vendime i ngjashëm me KLD-në për gjyqtarët. “Roli i Këshillit të Prokurorisë duhet riparë në një kohë kur Prokuroria e Përgjithshme është centralizuar, roli i Këshillit duket të jetë thjesht formal, “një lule e bukur që rrethon kryeprokurorin”, ndërkohë që kryeprokurori është tepër i fortë”. Vendimet për emërimin, avancimin dhe transferimin e prokurorëve merren vetëm nga prokurori i Përgjithshëm. Roli i Këshillit të Prokurorëve është vetëm këshillues”, – thuhet në dokumentin analitik të Ministrisë së Drejtësisë.

 


PD, akuza për barnat në treg: Ka ilaçe të skaduara, fshihen interesa klienteliste

Partia Demokratike akuzoi dje Ministrinë e Shëndetësisë për futjen në treg të ilaçeve të skaduara. Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, tha se futja e ilaçeve të falsifikuara në treg e ka origjinën në modifikimin ligjor që i bëri ministri i Shëndetësisë tenderit, i nxitur, sipas saj, nga interesat e lobeve të farmaceutikës për të lejuar importin paralel të ilaçeve. Sipas Vokshit, kjo ndërhyrje e qeverisë ka dëmtuar rëndë sigurinë e medikamenteve dhe ka krijuar hapësira për biznes për klientelën pranë Edi Ramës, në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Ajo kërkoi nisjen e hetimeve nga Prokuroria. “Futja e ilaçeve të falsifikuara në treg e ka origjinën në modifikimin ligjor që i bëri ministri i Shëndetësisë tenderit, i nxitur nga interesat e lobeve të farmaceutikës, për të lejuar importin paralel të ilaçeve. Kjo ndërhyrje e qeverisë ka dëmtuar rëndë sigurinë e medikamenteve dhe ka krijuar hapësira për biznes për klientelën pranë Edi Ramës, në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Është kriminal lejimi i importimit të barnave pa certifikatë sigurie dhe pa informacion për vendin e origjinës”, – akuzoi deputetja Vokshi.