Shumë pikëpyetje pas Minsk II

0
180

Shumë pikëpyetje pas Minsk IIMegjithatë, kjo marrëveshje lë mjaft çështje të hapura. Skepticizmi mbetet, mendon Ingo Mannteufel.

Sigurisht që ka influencuar edhe maratona e gjatë e bisedimeve që vazhduan gjatë gjithë natës, që rezultatet e samitit për Ukrainën në Minsk depërtuan vetëm të fragmentarizuara në publik. I pari pas takimit mes kancelares gjermane Merkel dhe presidentëve të Rusisë, Francës e Ukrainës, Putin, Hollande dhe Poroshenko, u shpreh në një konferencë shtypi Putin, i cili deklaroi se palët e konfliktit kanë rënë dakord për një armëpushim në lindje të Ukrainës më 15 shkurt. Këtë e konfirmuan më vonë edhe kancelarja gjermane dhe presidenti francez. Që të dy me një optimizëm të përmbajtur e quajtën këtë si një rreze shprese. Por shtrohet pyetja se ku konsiston kjo shpresë?

 

Minsk II asgjë më shumë se Minsk I?

Fundi i luftimeve dhe i vrasjeve në lindje të Ukrainës padyshim do të ishte një rezultat i gëzueshëm, por në sfondin e të dhënave të kursyera që jepen mbi marëveshjen aktuale të ngjallet më shumë skepticizëm. Me sa duket në marrëveshjen e re –Minsk II –nuk është rënë dakord për asgjë më shumë se sa në marrëveshjen e parë në Minsk në shtator 2014. Edhe në këtë marrëveshje ishte vendosur për armëpushimin dhe tërheqjen e armatimeve të rënda, por armëpushimi nuk u respektua asnjëherë. Ndërkohë luftëtarët e mbështetur nga Rusia përmes ofensivës ushtarake kanë arritur të fitojnë territor në të gjitha frontet. Në qendër të luftimeve aktualisht ndodhet nyja e rëndësishme logjistike hekurudhore në Debalzevo, që me sa duket separatistët e kanë rrethuar, por të cilën trupat qeveritare ukrainase është e kuptueshme që nuk do ta dorëzojnë pa luftë. Përderisa armëpushimi duhet të nisë pas dy ditësh, nuk mund të përjashtohet madje, që luftimet në Debalzve të fitojnë intensitet për të krijuar fakte ushtrake para armëpushimit. Mbetet pra një skepticizëm i madh edhe për arsye të tjera, nëse armëpushimi i vendosur për 15 shkurt vërtetë do të respektohet. Tek e fundit çdo marrëveshje për armëpushim ka sukses vetëm nëse zona e çmilitarizuar midis palëve të konfliktit mbikqyret prej forcave të pavarura. Por është e pasigurtë, nëse këtë mund ta bëjë OSBE-ja, sepse në marrëveshje përmendet me fjalë evazive dhe relativisht të zbehta se kujt do t’i ngarkohet detyra e monitorimit. Ka shumë gjasa, që luftimet të vazhdojnë.

 

Rreze shprese për dy ditë?

Përveç kësaj pikat e tjera të marrëveshjes kërkojnë prej udhëheqjes shtetërore ukrainase, që jo vetëm ta tolerojë një regjim armiqësor kundrejt Kievit në lindje të Ukrainës, por edhe ta mbështesë atë ekonomikisht e financiarisht. Njëkohësisht tani do të projektohet në mënyrë të zbehtë, që shteti ukrainas deri në fund të vitit 2015 të marrë sërish nën kontroll kufirin ruso-ukrainas. Pra kjo marrëveshje e re nuk nënkupton një fitore të sigurisë për Ukrainën.

Deri më 15 shkurt Europa mund të shpresojë, që armëpushimi të bëhet realitet. Por nuk është aspak e sigurtë, që Minsk II vërtetë do të bëjë që t’i jepet fund gjakderdhjes. Kësisoj s’mund të përjashtohet, që javën e ardhshme sërish do të diskutohet për sanskione të mëtejshme apo edhe për furnizime me armë në Ukrainë.