Kosova ka nevojë për ndihmë

0
171

kosova fokusDhjetëra mijëra kosovarë e kanë braktisur muajt e fundit shtetin më të ri të Evropës. Pa ndihmë masive nga BE-ja dhe SHBA-ja eksodi masiv nuk do të ndalet, mendon Robert Schwartz.

Periferia juglindore e Evropës ndihet e braktisur nga Bashkimi Evropian. Sërish. Dhe si gjithmonë ndodh e njëjta lojë. Të frymëzuar nga ideja evropiane, popujt përpiqen për demokraci, për pavarësi dhe mirëqenie. Por vetvetiu kthesa politike, reformat ekonomike dhe sociale në ish-shtetet socialiste nuk kryhen. Gjermania, Bashkimi Evropian premtuan ndihmë dhe i mbështetën pak a shumë shtetet në Evropën Juglindore. Përmes një “Pakti të Stabilitetit për Evropën Juglindore”, të kufizuar në kohë, pas luftërave në ish-Jugosllavi do të mbështetej financiarisht nga BE-ja, tranzicioni në demokraci dhe në ekonominë e tregut në rajon. Por tek njerëzit nuk mbërritën shumë para. Jo vetëm sepse ngado që ta ktheje, paratë nuk mjaftonin, por edhe sepse shumë nga këto para, për shkak të kontrolleve sipërfaqësore nga donatorët, u zhdukën në kanale të errëta. Dështimi ekonomik dhe korrupsioni në këto vende nga njëra anë, ngurrimi për investime nga Perëndimi i pasur dhe një papunësi masive nga ana tjetër bënë që shumë njerëz të zhyten në varfëri e mjerim. Dhe që të marrin rrugët e të largohen.

 

Zhvillimi në Kosovë ka shumë modele

Shembulli më i fundit është Kosova. I gjithë diskutimi i ministrave të Brendshëm të BE-së për liberalizimin e politikës së vizave është i tepërt. Jeta në Kosovë është po kaq e sigurtë apo e pasigurtë për qytetarët e saj sa ç’është për njerëzit në Serbi, në Maqedoni ose në Shqipëri. Është varfëria ajo të cilën shumë kosovarë nuk e durojnë dot më. Në fillim largohen nga mjerimi personat me pozicionin më të dobët social – shpesh janë romët. Por shpejt janë edhe të rinj të shkolluar mirë që ndjekin thirrjen për një jetë më të mirë në një vend të BE-së. Kjo, megjithëse e dinë se kuota e pranimit të kërkesave për azil është gati zero dhe shumica kthehen pas.

Për BE-në, por edhe për SHBA-në, vala e re e refugjatëve nga Kosova duhet të jetë një thirrje e re për t’u zgjuar. E disata thirrje? Me ndihmë masive perëndimore ngritën në këmbë një shtet, shanset e të cilit për të mbijetuar, pa një mbështetje të vazhdueshme dhe afatgjatë ekonomike dhe politike, ishin që në krye të vogla. Brukseli dhe Uashingtoni mbajnë edhe më tej përgjegjësinë që të mos e lënë vetëm shtetin më të ri të Evropës.

Por Kosova nuk është aspak shembulli i vetëm për një politikë të gabuar zhvillimi në mes të Evropës. Bullgaria dhe Rumania, më vonë i gjithë Ballkani Perëndimor u afruan sipas një skenari të ngjashëm, me ngurrim dhe shpesh me pengesa shumë të mëdha me BE. Kjo në një kohë kur një pakt solidariteti – ngjashëm si taksa e solidaritetit që paguhet në Gjermaninë Perëndimore për ish-RDGJ-në – do të kishte qenë për njerëzit në Evropën Juglindore me siguri më efektiv.

 

Gjermania mund të ishte model

Këtu nuk është fjala për t’i paraqitur gjërat më bukur se janë. Edhe nga Lindja e Gjermanisë pati migrim të madh në Perëndimin më të pasur. Por ikje masive nuk pati kurrë. Dhe rritja ekonomike e dukshme e shpejtë në landet lindore të Gjermanisë ka çuar në shtimin e investimeve, papunësia mbeti nën kontroll, rrethanat jetësore mund të krahasohen me Perëndimin e Gjermanisë.

Një zhvillim të tillë, njerëzit në Evropën Juglindore nuk guxojnë ta ëndërrojnë. Gjithçka që dëshirojnë ata është një jetë në dinjitet në atdhe. Për aq kohë sa kjo nuk do të arrihet në plan afatshkurtër, shumë vetë do të marrin rrugën e migrimit. Edhe nga Kosova. Shumica do të përpiqen të qëndrojnë ilegalisht në vendet e synuara, edhe pasi kërkesa për azil t’u jetë refuzuar dhe të bëjnë punë të zezë. Nga perspektiva e tyre, një jetë e tillë durohet shumë më lehtë se varfëria në shtëpi.

 

BE duhet të ndryshojë kursin pa humbur kohë

BE duhet të pranojë më në fund se politika e tij në periferinë juglindore nuk ishte politika e duhur. Për këtë duhet guxim dhe përgjegjësi politike. Dhe vullnet, që me gjithë krizën akute në Ukrainë dhe në Greqi, ta trajtojë krejt ndryshe temën e migracionit. Thirrja për një “Plan Marshall” (si ai i pas-Luftës së Dytë Botërore për Evropën Perëndimore), ose për një “taksë solidariteti” (si për ish-RDGJ) për shtetet e këtij rajoni nuk është e re. Por duket se atë nuk e ka dëgjuar thuajse askush në BE ose në SHBA. Ose nuk ka dashur ta dëgjojë. Për aq kohë sa të mos duket një zgjidhje që të arrijë vërtet tek njerëzit, në Evropë do të ketë herë pas here grupe të mëdha, që i kthejnë kurrizin vendit të tyre, për t’i shpëtuar varfërisë. Për t’i mundësuar vetes, dhe para së gjithash fëmijëve, një të ardhme më dinjitoze për njeriun.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency