Kryeministri Edi Rama reagoi dje për herë të parë ndaj refuzimit të Presidentit Bujar Nishani për kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan. Refuzimin për dekretin Rama e ka quajtur ridënim të poetit Visar Zhiti, duke shtuar se pas mosdekretimit nga ana e kreut të shtetit Bujar Nishani qëndrojnë arsye politike. Ndërkohë, nga selia e Partisë Demokratike nuk pasi asnjë reagim gjatë ditës së djeshme në lidhje me deklaratat e kreut të qeverisë, Rama.
Reagimi i Ramës
Me titullin “Ridënimi i Visar Zhitit”, kreu i qeverisë, Edi Rama, foli dje për herë të parë publikisht për refuzimin e kreut të shtetit për të dekretuar ambasador në Vatikan poetin Visar Zhiti. Kryeministri përmendi të gjithë ata që mbështesin kandidaturën e Zhitit, duke e cilësuar atë si më të mirën, ndërsa tha se Nishani nuk e dekreton për ambasador në Vatikan. Pas refuzimit, Rama tha se qëndrojnë arsye politike. “Jam zotuar të mos i komentoj në publik kundërshtitë e mia ndaj Presidentit të Republikës, sepse Bujar Nishani është kalimtar, ndërsa Presidenti i Republikës është një institucion themelor i shtetit shqiptar – edhe pse i rrënuar nga Partia Demokratike në pushtet, njësoj si tërë shteti që ai pushtet la pas në 23 qershor”, – u shpreh kreu i qeverisë.
Për Visar Zhitin
“Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës”, – shkroi dje Rama në rrjetin social “Facebook”.
Mbështetja
“E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e Kishës Katolike Shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë selia e shenjtë, përmes nuncit apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën”, – vijoi reagimin Kryeministri Rama.
Refuzimi
Sipas shefit të qeverisë, arsyet që kreu i shtetit jep, nuk qëndrojnë. “Kandidatura është në tryezën e Presidentit të Republikës për firmë. Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi për një emision lajmesh, deklaron mosdekretimin e Visar Zhitit! Argumenti i zotit President? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan paska cenuar Kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit, në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin”, – shkroi Rama.
Thyerja e heshtjes
Mosdekretimin për ambasador Rama e quan ridënim të poetit të internuar në kohën e diktaturës. “Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë, sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari, sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja”, – vijoi shefi i qeverisë.
Qëllimi
“E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë, sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”, – mbylli reagimin kreu i qeverisë, Edi Rama. Ndërkohë, kandidatura e Visar Zhitit ka gjetur edhe mbështetjen e të gjithë deputetëve demokratë të Komisionit për Politikë të Jashtme. Në seancën dëgjimorë të javës që kaloi, deputetët u shprehën se Zhiti është figura më e mirë dhe që mund të shërbejë më mirë se kushdo tjetër në Vatikan. Ndërsa nga ana e tij, Zhiti bëri të ditur se një nga përparësitë e tij, nëse shpallej ambasador në Vatikan, do të ishte ngritja e një shtatoreje të shenjtores shqiptare Nënë Tereza dhe të poetit të madh Gjergj Fishta.
Zonat informale
Rama shpërndan 1001 leje legalizime, 12 mijë objekte të vetëdeklaruara në pritje
Kryeministri bëri të ditur se së shpejti do të nisë ndërtimi i sheshit në Shijak
Kryeministri Edi Rama ishte dje në Shijak ku shpërndau 1001 leje legalizimi në zonat informale, ndërsa mbi 12 mijë objekte të tjera janë në pritje për legalizim. “Ne kemi hapur një zyrë të posaçme për Shijakun, duke pasur parasysh se në të gjithë këtë territor ka një numër të konsiderueshëm banorësh të Sukthit, të Manzës, të Komunës Rrashbull, Katund i Ri, Maminasit, Xhafzotajt dhe Gjepalajt, plus edhe vetë Bashkisë së Shijakut, të cilët e kishin shumë vështirë të mund të shërbeheshin ashtu siç duhej nga Drejtoria Rajonale në qendër, në qytetin e Durrësit. Faktikisht, zyra e Shijakut e ka filluar punën në 21 nëntor të vitit të shkuar dhe sot duhet të trajtojë rreth 13 200 vetëdeklarime. Ndërkohë, sot, me punën e bërë nga 21 nëntori, kur është hapur zyra dhe deri dje, ne do të dorëzojmë për ju 1001 leje legalizimi. 1001 leje legalizimi që në tre muaj faktikisht janë 10 herë më shumë, sesa ka bërë PD në gjithë karrierën e vet në qeverisje”, – u shpreh Rama. Gjithashtu, për qytetarët e Shijakut, Rama dha dhe një tjetër njoftim. Ai tha se para disa ditësh qeveria ka miratuar një projekt të kërkuar nga Bashkia e Shijakut për ndërtimin e sheshit qendror të qytetit. “Dua t’ju bëj me dije se përpara pak ditësh, qeveria ka miratuar projektin e paraqitur nga Bashkia e Shijakut për sheshin qendror të Shijakut që është edhe sheshi i Bashkisë së re, që do të përmbledhë jo vetëm Shijakun, që njohim si Bashki deri tani, por edhe një sërë komunash dhe një sërë territoresh rreth e rrotull”, – tha Rama. Ndërtimi i sheshit do të kushtojë afro 1 milion dollarë.
Rama në Darëzezë
Mesazh të rinjve: Mos prisni nga Cristiano Ronaldo t’ju sigurojë para
Janë 2007 krerë dele dhe 32 krerë lopë që kanë nisur t’u shpërndahen fermerëve për të zëvendësuar po të njëjtin numër krerësh që rezultojnë të humbur. Kështu tha kreu i qeverisë, Rama, dje në Darëzezë të Fierit. Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri tha se janë dëmshpërblyer disa të dëmtuar. “Blegtorit Ylli Troka iu zëvendësua lopa e humbur, ndërsa blegtorëve Ruzhdi dhe Patriot Hoxha iu dorëzuan 80 dele”. Ndërkohë, Rama rezervoi një mesazh për të rinjtë, “të mos presin nga Cristiano Ronaldo t’u sigurojë të ardhurat me ndonjë gol, por të ulin kokën dhe të punojnë”.