Ervin Kaduku
– Ndërkohë që pritej nga shqiptarët një tjetër konkluzion i hetimit të thelluar në fushën e tregtimit të hidrokarbureve, ku karteli është i dukshëm…
Autoriteti i Konkurrencës ka përfunduar vetëm me disa rekomandime për mirëfunksionimin e tregut të karburanteve, po pa vendosur gjobë, hetimin e zgjeruar, të filluar në tregun e hidrokarbureve. Dje në faqen e internetit të këtij institucioni është publikuar njoftimi mbi vendimin “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve, ndaj ndërmarrjeve “Kastrati” SH.A, “Kaspetrol” SH.A, “Europetrol Durrës Albania” SH.A, “Porto Romano Oil” SH.A, “Bolv Oil” SH.A, “Genklaudis” SH.A, “Everest Oil” SH.A, “Taci Oil” SH.A. dhe “Armo” SH.A. dhe disa rekomandime për mirëfunksionimin e këtij tregu”.
Autoriteti i Konkurrencës edhe në këtë rast e ka kaluar topin në fushën e institucioneve të tjera, duke renditur një sërë rekomandimesh që do të rrisnin transparencën e sjelljes së ndërmarrjeve dhe do të ulnin kostot e tregtimit të këtyre produkteve.
Hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor, duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombëtar.
Për këtë arsye, Autoriteti ka kërkuar rishikim të ligjit “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, duke i krijuar mundësi ndërmarrjeve që operojnë në tregun e shitjes me shumicë të realizojnë edhe shitjen me pakicë, duke eliminuar në këtë mënyrë hallkat e tepërta në zinxhirin e tregtimit, për të mundësuar uljen e kostove të pajustifikuara ekonomike.
Tregu i shitjes me pakicë të karburanteve nuk ka reflektuar në masë të plotë uljen e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Edhe Autoriteti i Konkurrencës në gjetjet e hetimit vëren se ka ngurtësim të çmimeve në tregun me pakicë, por e shpjegon këtë fakt me udhëzimin e Ministrit të Financave që detyron shitësit me shumicë të vendosin çmimet edhe në nivel pakice. Veç rregullave të diskutueshme administrative dhe taksave të larta mbi këto produkte, një nga arsyet e çmimeve të ngurta është padyshim edhe konkurrenca e kufizuar. Ndonëse Autoriteti i Konkurrencës nuk ka provuar dot marrëveshje të ndaluar apo abuzim me dominancën kolektive, hetimi ka arritur në konkluzionin se tregu ka një strukturë të qartë oligopoli dhe barriera ekonomike të hyrjes në treg të ndërmarrjeve të reja, barriera që konsistojnë në faktin se ngritja e kapaciteteve magazinuese, transportuese dhe blerjet direkte në tregjet e huaja kërkojnë burime shumë të mëdha financiare. Ndonëse zyrtarisht nuk ka fajtorë, hetimi ka konfirmuar se tregu nuk funksionon siç duhet dhe konsumatorët po paguajnë çmimin e konkurrencës së pamjaftueshme.
Komisioni hetimor ka vendosur që ndërmarrjet që operojnë në tregun e hidrokarbureve të paraqesin pranë Autoritetit të Konkurrencës për vlerësim, marrëveshjet që ato lidhin për realizimin e importeve të përbashkëta apo përdorimin e logjistikës, për të përfituar përjashtimin individual të tyre në bazë të nenit 5 të Ligjit.
Ndërkohë Autoriteti ka kërkuar nga Ministria e Energjetikës vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes koncesionare në portin “Vlora 1” për respektimin e detyrimit të mospërfshirjes së koncesionarit në tregtimin e karburantit si dhe transferimin e së drejtës ekskluzive në tregjet e lidhura.
Me këtë vendim mbyllen procedurat e hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve, ndaj ndërmarrjeve: Kastrati SH.A, Kaspetrol SH.A, Europetrol Durrës Albania SH.A, Porto Romano Oil SH.A, Bolv Oil SH.A, Genklaudis SH.A, Everest Oil SH.A, Taçi Oil SH.A dhe Armo SH.A
Sipas qendrimit zyrtar, bazuar në shqetësimin publik të përcjellë nga mediat, Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të nenit 42 dhe 43 të Ligjit nr .9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), ka realizuar procedurat hetimore në tregun e prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të karburanteve. Proçedurat hetimore janë zhvilluar në të dyja pistat që parashikon Ligji për praktikat anti-konkurruese: ekzistenca e mundshme e një marrëveshje të ndaluar (neni 4) dhe /ose abuzimi me pozitën dominuese(neni 9), si dhe efektet e udhëzimeve dhe ligjeve që rregullojnë këtë treg.
Për këtë qëllim u kryen inspektime në të njëjtën ditë dhe orë në ndërmarrjet objekt hetimi për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një bashkëpunimi të mundshëm midis konkurrentëve, por gjatë këtyre inspektimeve nuk u gjet asnjë provë apo evidencë direkte.
Diferencat e mëdha mes pjesëve të tregut dhe strukturat e tregut jo të krahasueshme midis ndërmarrjeve, hyrjet dhe daljet nga tregu gjatë periudhës objekt-hetimi janar 2010 – prill 2014, si dhe ekzistenca e dy modeleve të tregut të importit, në të cilat operojnë ndërmarrje të ndryshme konkurrente me njëra-tjetrën, nuk përbëjnë evidenca të mjaftueshme për të argumentuar dominancën e përbashkët të disa ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës gjatë periudhës së hetimit.
Gjatë periudhës objekt hetimi është evidentuar një ngurtësim i tregut të shitjes me pakicë. Ky është një kufizim vertikal i konkurrences që është rrjedhojë e Udhëzimit nr. 17/2008, i cili përcaktonte se shitësi me shumicë (kryesori) i cakton çmimet shitësit me pakicë (agjenti). Për këtë arësye nuk ka qënë e mundur matja e efekteve të cdo segmenti, përkatësisht importi, shitja me shumicë dhe shitja me pakicë në çmimin final të produkteve eurodiezel dhe benzinë që i ofrohen konsumatorit fundor. Gjatë periudhës hetimore u evidentua se nga zbatimi jo korrekt i Udhëzimit nr.17 nuk u mundësua konkurrenca midis logove respektive të pretenduara nga tregtarët e shumicës. Gjithashtu u evidentua që komisionet e aplikuara nga ndërmarrjet e shumicës për ato të pakicës ju krijonte këtyre të fundit mundësinë që të vazhdonin aktivitetin e tyre edhe në kushtet e mungesës së eficiencës.
Pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar dhe pretendimeve të palëve në seancat dëgjimore rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi nuk u gjetën evidenca të mjaftueshme që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzimi me dominancën kolektive midis ndërmarrjeve objekt hetimi. Megjithatë konkurrenca në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve nuk është mjaftueshëm efektive për shkak të strukturave të tregut dhe rregullimit ligjor (Ligji “Për hidrokarburet)” dhe atij nënligjor (Udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjetikës) të këtij tregu.
Hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor, duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombëtar.
Shkalla e lartë e përqendrimit të tregut dhe tendencat për rritjen e këtij përqendrimi, kryesisht në tregun e importit, kërkon përmirësime strukturore të tregut dhe ndërthurjen e instrumenteve përtej atyre të Autoritetit të Konkurrencës, për të ndihmuar në kontrollin e abuzimit dhe ndalimin e këtij abuzimi që mund të shkaktohet nga ndërmarrjet që kanë fuqi tregu, të aplikojnë praktika abuzive duke dëmtuar konsumatorin fundor.
Financat do të marrin 90 milionë euro borxh të brendshëm
Banka e Shqipërisë ka njoftuar se do të shesë në 24 shkurt për llogari të Ministrisë së Financave 12.6 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 3 dhe 12-mujor. Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje është 9.6 miliardë lekë dhe nga kjo i takojnë Bankës së Shqipërisë rreth 2 miliardë lekë. Ankandi i fundit me të njëjtin maturitet është zhvilluar në 10 shkurt, ku yield-i mesatar i ponderuar arriti në 3.57%, duke vijuar tendencën rritëse, që nuk po ndalet për më se tre muaj.
Për bonot 3 mujore, shuma e shpallur për shitje është 3 miliardë lekë, nga e cila rreth 1.6 miliardë lekë i takojnë Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet yield-i ishte 3.22%, me një rënie të lehtë nga 3.23% që ishte në ankandin e mëparshëm.
Muajt e fundit financat po hasin vështirësi në financimin e borxhit në tregun e brendshëm, për shkak të tërheqjes së bankave, të cilët janë blerësit kryesorë të letrave me vlerë të qeverisë. Kjo ka çuar në një rritje të interesave të letrave me vlerë, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Shqipëria, vendi me shpenzimet më të ulëta nga buxheti për shëndetin në Evropë
Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë në Evropë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, çdo shqiptar shpenzon në vit 228 dollarë për kujdesin shëndetësor. Kjo shifër përfshin, si shpenzimet publike, ashtu edhe ato private. Të gjitha vendet e Rajonit dhe me një nivel të afërt zhvillimi me Shqipërinë shpenzojnë mesatarisht më shumë për kujdesin shëndetësor. Përpara Shqipërisë janë Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Turqia.
Vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian kanë shpenzime shëndetësore shumë herë më të larta, në nivelin e disa mijëra dollarëve amerikanë çdo vit për frymë të popullsisë.
Shpenzimet totale për shëndetësinë në Shqipëri zënë rreth 6% të Prodhimit Kombëtar, nga të cilat më pak se gjysmat janë para publike që dalin nga buxheti i shtetit. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e parave që shkojnë për kujdesin shëndetësor janë pagesa private që dalin direkt nga xhepat e shqiptarëve.
Edhe në këtë tregues Shqipëria është mbrapa krahasuar me vendet e tjerë, ku shpenzimet publike përgjithësisht zënë më shumë se 60% të shpenzimeve totale për shëndetësinë.
Këto shifra tregojnë se shëndetësia vazhdon të jetë e nënfinancuar dhe ka nevojë për burime të shumta me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit.
Rreth një vit e gjysmë nga ardhja në pushtet e koalicionit të majtë, që kishte në programin e vet ofrimin e shërbimeve shëndetësore falas, për përmbushjen e këtij premtimi është bërë shumë pak. Në paketën e shërbimeve falas deri tani është përfshirë vetëm një kontroll parandalues për popullsinë mbi 40 vjeç dhe ekzaminime për sëmundje të veçanta, si kanceri i gjirit. Me këtë ritëm, realizimi i premtimit për shëndetësi falas do të kërkojë kohë të gjatë dhe, mbi të gjitha, alokimin e shumë më tepër fondeve publike për shëndetësinë.
Sistemi bankar, një punonjës për 430 banorë të vendit
Në vitet e fundit, mbulimi i popullsisë me shërbime bankare është përmirësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit 2014 sistemi bankar shqiptar ofronte një degë apo agjenci për çdo 5.400 banorë. Ky numër ka ardhur në rënie konstante që dhe që nga viti 2004 dhe numri i individëve për çdo njësi bankare është ulur me afro tri herë. Ulja e këtij raporti ka ardhur nga zgjerimi i shpejtë i rrjetit të bankave tregtare dhe veçanërisht orientimi në tregun e individëve.
Numri i degëve dhe agjencive bankare në fund të shtatorit 2014 ishte 533, nga 188 që ishte në vitin 2004. Megjithatë, në vitet e fundit edhe shtrirja e rrjetit të bankave është ndikuar nga kriza. Krahasuar me vitin 2011, numri i degëve dhe agjencive bankare ka pësuar një rënie të lehtë me rreth 3%. Ngadalësimi i kreditimit dhe rritja e kredive me probleme i ka shtrënguar bankat të kërkojnë një eficiencë më të mirë të shpenzimeve dhe ka rezultuar me mbylljen e disa njësive.
Megjithatë, deri vitin e kaluar, ngushtimi i rrjetit nuk është shoqëruar me ulje të punësimit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit 2014, sistemi bankar punësonte rreth 6.800 vetë, me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2011. Sistemi bankar shqiptar punëson një punonjës për çdo 430 banorë, ndërsa në vitin 2004 një punonjës banke ju shërbente 1.100 banorëve.
Prodhimi bujqësor kërkon mbështetje më të madhe financiare
Vendi ynë ka importuar 5.1 miliardë lekë fruta gjatë vitit 2014, shifër kjo në rritje krahasuar me vitin 2013, kur janë importuar rreth 4.5 miliardë lekë. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se gjatë vitit që sapo lamë pas në Shqipëri kanë hyrë rreth 82.900 ton fruta, nga 69.900 që ishin gjatë vitit 2013. Kryesuese në këto vlera është importi i mollëve dhe rrushit.
Kjo është paradoksale për vendin tonë, pasi Shqipëria ka klimë tejet të favorshme për prodhimin e këtyre kulturave dhe për të përmbushur në masën 100 për qind kërkesën e brendshme. Kultivimi i mollëve është i njohur masivisht në zonën Juglindore, por edhe në Ultësirën perëndimore. Po ashtu edhe rrushi prodhohet thuajse në të gjithë vendin në sezone të ndryshme.
Mungesa e vëmendjes nga ana e qeverisë bën që fermerët të prodhojnë vetëm për konsumin familjar, apo për shitje vetëm në sezon përreth zonave ku jetojnë. Shumë pak prej fermerëve kultivojnë plantacione të mëdha mollësh, apo rrushi. Pjesa më e madhe e rrushit, për shkak të mungesës së tregut, bëhet verë ose raki, por ende nuk është njohur koncepti i vreshtarisë masive. Ndërkohë që po të shikojmë vlerat e eksportit për vitin që lamë pas, ato janë tejet të ulëta krahasuar me importin, ku arrijnë në 14.500 ton, në rreth 1.5 miliardë lekë.
Nëse qeveria do të mbështeste fermerët për ngritjen e magazinave frigoriferike, apo të serave, situata do të ishte tejet ndryshe. Këto shifra penalizojnë konsumatorin shqiptar, i cili thuajse gjatë gjithë vitit blen fruta me çmime të kripura dhe vetëm në sezonin veror ka mundësi t’i konsumojë ato me çmime të lira.