Banka/ Hajdutët morën nga “Union Bank” rreth 3 milionë euro, do të dërgoheshin në Austri

0
205

vjedhja e union bankProkuroria e Tiranës, kur kanë kaluar katër ditë nga grabitja spektakolare e parave në “Union Bank”, deklaron edhe shumën që kanë pasur katër thasët. Burime nga akuza konfirmojnë se hajdutët morën nga banka rreth 3 milionë euro. Këto para dolën nga banka dhe nga Rinasi do të mbërrinin në destinacion, bankat e Austrisë. Sipas akuzës në thasët me para nuk ka pasur vetëm euro, por edhe paund, franga e dollarë. Mësohet se paratë ishin të ndara në 900 mijë franga zvicerane, 800 mijë dollar, 600 mijë paund dhe 400 mijë euro. I vetmi dyshim i policisë dhe prokurorisë është se këto para u grabitën pasi autorët kishin marë më parë informacion për orën e daljes së parave nga banka, lëvizjet e efektivëve të grupit të shoqërimit të tyre. në këto momente, prokurori po heton edhe lidhur me neglizhencën e punonjësve të bankës që kanë lënë derën e garazhit të hapur, duke bërë në këtë mënyrë futjen e grabitësve brenda pa asnjë problem. Grabitësit kanë ditur sipas Prokurorisë çdo detaj. Policia dyshon se grabitësit, kishin dijeni për lëvizjen e parave që do të bëheshin, vendim ky që ishin të informuar vetëm një grup i vogël personash. Për këtë fakt, ata kanë arrestuar edhe shefin e sigurisë së bankës Qirjako Taçe dhe shoqëruesin i vlerave monetare të bankës, Robert Felaj si persona të dyshuar, pasi kishin dijeni për lëvizjen e parave. Gjithashtu, prokuroria thotë se dy të arrestuarit nuk kanë marr masa për kontrollin e ambienteve të garazhit ku janë fshehur tre grabitësit, nuk kanë siguruar derën nga kanë hyrë grabitësit si dhe nuk kanë shtuar numrin e efektivëve për shoqërimin e kësaj shume të konsiderueshme parash.

 

 Vendimi/ I penduari i Bandës së Durrësit, Adriatik Coli, lë qelitë e burgut

Adriatik Coli, i penduari i Bandës së Durrësit, i cili arriti të zbardh në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjithë krimet e kryera ndër vite në këtë bandë dhe nga pjesëtarët e saj, është liruar nga burgu. Lajmin e konfirmon Ministria e Brendshme, e cila shprehet se Coli pas përfundimit të vuajtjes së dënimit është larguar jashtë vendit. Coli para Krimeve të Rënda ka rrëfyer gjithë historinë e bandës që nga viti 1998 deri në vitin 2005, kur ai largohet drejt Italisë. Jo në pak raste, Adriatik Coli ka qenë dhe i kërcënuar nga anëtarët e bandës. Para se të fliste në gjykatë për krimet e bandës, Coli firmosi një dokument me disa faqe me Prokurorinë. Kontrata u firmos para Gjykatës. Ai tregoi para saj lidhur me 10 krimet e kryera prej saj. Ndërkohë që në krye të bandës qëndronte Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle. Ky i fundit pas kryerjes së disa krimeve për interesa të veta, shkëputet nga Lul Berisha. Gjithçka është kryer për kontrolluar trafikun e drogës dhe paratë që vinin nga ky trafik. Dëshmia e Colit çoj në pranga 16 persona, ku dënimi më i vogël ishte 15 vjet ndërsa u dhanë 4 dënime me burgim të përjetshëm. Por në përfundim të proceseve gjyqësore, deri në Gjykatën e Lartë përfundimisht i penduari i bandës Adriatik Coli u dënua me 10 vjet burg për 8 vrasjet e kryera nga dora e tij. Procesi ndaj bandës zgjati disa vite, për këtë fakt Coli përfitoi nga koha e paraburgimit për të përfunduar ditët e dënimit të tij që bënte brenda një ambient të modifikuar në Spitalin e burgut ku mbaheshin të gjithë bashkëpunëtorët e drejtësisë. Për lirimin e tij, Ministria e Brendshme nuk jep detaje, pasi sipas tyre, të dhënat për këta persona mbrohen me ligj të veçantë dhe për këtë fakt nuk jepet asnjë e dhënë për vendndodhjen e tyre. Colit së bashku me pjesëtarët e familjes i janë ndryshuar gjeneralitetet dhe është nxjerr jashtë territorit shqiptar për të vazhduar jetën i lirë dhe nën mbikëqyrje të forcave të sigurisë së shtetit pritës. Sipas policisë, ekziston një marrëveshje me disa shtete, për strehimin e personave të penduar të bandave të ndryshme, që mendohet se edhe Coli ka përfituar nga kjo marrëveshje.

 

 Shkodër/ Ishte shpallur në kërkim, arrestohet 47-vjeçari për vrasje

Një burrë i moshës 47-vjeçare është arrestuar në qytetin e Shkodrës, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e këtij qyteti, si i dyshuari për vrasjen e Florjan Sterkajn. Burime zyrtare bëjnë me dije se ditën e djeshme ka rënë në pranga shtetasi Pal Prroni, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për të. 47-vjeçari akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër më datë 8 shkurt të këtij viti. Proni, me banim në fshatin Grudë e Re, dyshohet se ka vrarë më 26 janar të vitit 2014, Florjan Sterkaj, në fshatin Oramanaj, në Malësinë e Madhe.