Alma Çuka
Krimet e Rënda, vendim për të veçuar dosjet e shpërthimeve me tritol në 10 shkurt. Ngjarja në banesën e shefit të Krimeve në Korçë pritet të hetohet më vete
Policia e Shtetit përmes sekuestrimit të kamerave të sigurisë së bizneseve, përpiqet të zbardhë ngjarjet e rënda të datës 10 shkurt, kur tri sasi tritoli të barabarta u vendosën në tri vende të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit deklaroi se kishte në dorë pamjet e filmuara nga një kamerë sigurie pranë pallatit të shefit të Krimeve në Korçë, Alfred Nunaj. Sipas policisë, nga pamjet vihet re një makinë benz ngjyrë e bardhë, por duket se vetëm kaq. Policia e ka tepër të vështirë të identifikojë targat e makinës, me qëllim gjetjen e personave që mund të jenë pronar të saj. Ndërkohë nga ana e saj Prokuroria është shprehur se provat e deritanishme të Policisë së Shtetit lidhur me shpërthimet në kryeqytet janë tepër të pakta. Oficerët e Policisë Gjyqësore janë shumë larg zbardhjes se shpërthimit me tritol në biznesin e babait të Saimir Tahirit, vendosjen e tritolit në një stacion autobusi në rrugën “Muhamed Gjollesha” dhe vendosjen e 400 gram tritol në banesën e shefit të Krimeve në Korçë. Për këto ngjarje është duke punuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por nuk janë vetëm këto të tria. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe lidhur me vendosjen e një sasie tritoli prej rreth 1 kg, në një qese ku ishin vendosur edhe gozhda e saçme, në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”.
Veçimi i dosjes
Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se po punon për të veçuar hetimet që lidhen me tre shpërthimet e datës 10 shkurt. Fillimisht akuza së bashku me Policinë e Shtetit dolën me deklaratë të përbashkët se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ndërkohë disa ditë më vonë, Policia deklaroi se tritoli tek banesa e zyrtarit të policisë nuk ka lidhje me dy rastet e tjera. Ky fakt pohohet nga hetuesit. Ata kanë arritur në këtë përfundim pasi kanë studiuar mënyrën e vendosjes së tritolit në shesh pushimin e pallatit para apartamentit të zyrtarit të policisë. Dy shpërthimet e tjera sipas policisë dhe Prokurorisë janë kryer me telekomandë, ndërsa ajo tek shtëpia e shefit te krimeve është përdorur shpërthimi me fitil. Policia deri tani nuk ka asnjë të arrestuar si autor të mundshëm për vendosjen e tritolit. I vetmi që mbahet në paraburgim dhe për të cilin është vendosur një masë sigurimi 15-ditor, është 26 vjeçar Emirjon Gjuta. Ky i fundit është identifikuar si pronar i aparatit të telefonit, përdorur për të hedhur në erë biznesin e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në policia kanë dhënë shpjegime disa persona, por asnjë nuk është marrë si i dyshuar. Edhe pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara pranë farmacisë përveç faktit që tregojnë qartë një person me biçikletë që vendos tritolin dhe largohet i qetë, nuk japin asnjë të dhënë tjetër.
Tepelenë/ Rikthehet tritoli, shënjestër këtë herë drejtori i Burgut të Bënçës
Pas shpërthimeve të datës 10 shkurt, tritoli rikthehet sërish. Këtë radhë në shënjestër ka qenë drejtori i Burgut të Bënçës në Tepelenë, Avni Sula. Burime nga Policia bëjnë me dije se persona të paidentifikuar kanë vendosur një sasi jo shumë të madhe tritoli në garazhin e Drejtorit të Burgut të Tepelenës, ngjitur me shtëpinë e tij. Të njëjtat burime thanë se garazhi ndodhej në katin e parë të shtëpisë, ndërsa si ngjarje mësohet se është shënuar në mesnatë. Nga shpërthimi i tritolit nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Sipas informacionit zyrtar dyshohet që lënda plasëse është hedhur nga jashtë dhe ka dëmtuar mjetin që ndodhej në garazh. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që drejtori Avni Sula është thirrur në polici për të dhënë shpjegime. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje drejtori ka thënë se nuk ka asnjë konflikt personal me ndonjë person. Por dyshimet e tij shkojnë tek vendosja e tritolit për shkak të detyrës që kryen. Vetëm pak kohë më parë makina e drejtorit të burgut të Fushës-Krujës, u hodh në erë me eksploziv dhe Arben Suloj, i cili u dërgua në spital në Itali për mjekim të specializuar.
Vlorë/ Dhunoi gjyshin, policia parandalon vrasjen në familje
Polica e Vlorës parandalon një Krim të mundshëm në familje dhe arreston një person në flagrancë. Rreth orëve të pasdites së datës 16.2.2015 në sallën operative është dërguar një njoftim për një rast dhune në një familje. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në banesën e shtetasit Kostandin Rakipaj në lagjen “24 Maji”, i cili po dhunohej nga nipi i tij Aleksandër Rakipaj. Menjëherë është bërë neutralizimi dhe prangosja e shtetasit Aleksandër Rakipaj, vjeç 28 banues në Vlorë. Gjithashtu nga kontrolli i banesës së këtij shtetasi është gjetur edhe një armë zjarri tip pushkë si dhe 40 copë fishekë, e cila mund të përdorej gjatë një përshkallëzimi të konfliktit. Menjëherë është bërë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale të “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Dhunë në familje” parashikuar nga nenet 278 e 130/a/2 të Kodit Penal.
Kapshticë/ Kishte thyer lejen shpërblyese të burgut, arrestohet në Kapshticë
Një person i shpallur në kërkim nga Institucioni i Ekzekutimit të Veprave Penale Kosovë – Lushnjë, është kapur dhe është kthyer nga policia greke ditën e djeshme, në pikën e Kalimit Kufitar në Kapshticë. Mësohet se i shpalluri në kërkim është 50- vjeçari Pëllumb Fejzi Zylali (emri i mëparshëm Jorgo mbiemri i mëparshëm Pano), banues në Kuman të Fierit, i dënuar më parë. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë kryerjes së procedurave të intervistimit, verifikimit dhe regjistrimit në sistemin TIMS, 50-vjeçari rezulton me status aktiv “person në kërkim” nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Më datë 29 nëntor të vitit të kaluar, Zylali është shpallur në kërkim pasi po atë ditë, në orën 12.00 duhej të kthehej nga leja shpërblyese, por nuk është paraqitur në IEVP Kosovë, Lushnjë.