Vendimi/ Ish-zyrtarët e policisë dërgohen në shtëpi, Gjykata: Janë të sëmurë

0
145

Alma Çuka

 gjyqPër dy të dyshuarit se abuzuan me tenderin e kamerave të sigurisë në rrugë, u kërkua “Arrest në burg”, për njërin “Arrest shtëpie”. Gjykata vendosi për të tre

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët u ndaluan me urdhër të Prokurorisë në datë 13.2.2015, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, në zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektin e kamerave dhe instalimin e tyre në Tiranë në vitin 2010. Në vijim të hetimeve, në bazë të materialit referues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB), të premten e kaluar, Prokuroria e Tiranës nxorri urdhrin e ndalimit për shtetasit K. Kukaj, ish-shef i sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, si edhe dy ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, A. Hysko, dhe B. Martini, ish-specialist dhe ish-juriste në sektorin e prokurimeve. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, Gjykata vlerësoi se provat e administruara nga Prokuroria e Tiranës deri në këtë fazë të hetimit janë të mjaftueshme për të vendosur masë sigurie ndaj këtyre personave. Ndërsa për llojin e masës së sigurisë, gjykata nuk ishte me të njëjtin mendim si akuza. Kështu pasi administroi provat në seancë, gjykata vendosi për shtetasin K. Kukaj, masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, ndryshe nga ajo që kërkoi akuza, “arrest me burg”. Gjykata mori parasysh provat e administruara  nëpërmjet mbrojtjes dhe dokumente se një familjar i afërt i këtij shtetasi vuan nga sëmundje që kërkon praninë e tij të vazhdueshme. Edhe për shtetasin A. Hysko, u caktua si masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, pasi nga gjykata u administruan nëpërmjet mbrojtjes dokumente se vuan nga sëmundje, e cila kërkon kujdesje të vazhdueshme jashtë ambienteve të paraburgimit. Shtetasja B. Martini, masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, pasi Prokuroria kërkoi këtë masë në gjykatë.

 

Hetimi

Nga hetimi i Prokurorisë, në bazë të materialit të referuar dhe me bashkëpunimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton se shtetasit K. Kukaj ka dyshime se ka konsumuar elementët e veprave penale së pari në prokurimin publik për vendosjen e kamerave të Tiranës.

Nga hetimet e kryera për autenticitetin e këtij projekti është arritur në konkluzionin e provuar se, projekti i kamerave të Tiranës, zhvilluar në Dhjetor 2010, është falsifikuar edhe në përmbajtjen e tij edhe në kosto, duke e rritur këtë të fundit me 75. 8 milionë lekë të reja mbi koston fillestare. Po ashtu, nga hetimi i prokurorisë rezulton se anëtarët e Komisionit të negocimit të realizimit të procedurës për “Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës”, me fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit”, K. Kukaj, B. Martini dhe A. Hysko, kanë kryer procedura fiktive. Sipas të dhënave të përftuara nga hetimi, rezulton se pasi janë kryer instalimet e nevojshme, anëtarët e Komisionit kanë hapur procedurat e prokurimit publik. Pra, krijohen dyshimet e arsyeshme se procedura e prokurimit publik në këtë rast është tërësisht fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit. Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet se këta shtetas, me veprimet dhe mos veprimet e tyre në mospërmbushje të rregullt të detyrës kanë sjellë pasoja të rënda në rregullshmërinë ligjore të veprimtarisë së administratës publike në mirëmenaxhimin e fondeve publike.

 

 Elbasan/ Ndalohet operatori i OSHEE, mbifaturoi me 2600 KW një qytetar

Policia e Elbasanit ndaloi gjatë ditës së djeshme një punonjës të OSHEE dega Cërrik, për shkak se dyshohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Nga ana e seksionit të Krimit Ekonomik-Financiar, u bë e mundur ndalimi i  shtetasit Bedri Sina, 51 vjeç, banues në fshatin Gostimë, Elbasan, lexues pranë OSHEE dega Cërrik. Sipas policisë, ky shtetas gjatë muajit shkurt 2015 ka mbifaturuar me 2600 KW shtetasin Dh. Sh., me banim në fshatin Valas, Elbasan. Pas kryerjes së këtij veprimi abuzues, qytetari, të cilit i është mbifaturuar një sasi energjie tepër e madhe i është drejtuar organeve kompetente për të bërë kallëzimin e duhur. Pas kryerjes së verifikimeve u konstatua se operatori i OSHEE ka shpërdoruar detyrën duke i faturuar qytetarit një sasi energjie të cilën nuk e ka konsumuar. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 

 Elbasan/ Shkel urdhrin e mbrojtjes, dhunon babain e tij të moshuar për pronat

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në qytetin e Elbasanit. Policia e këtij qyteti është detyruar të shoqërojë në dhomat e paraburgimit një 39-vjeçar, pasi në mënyrë të vazhdueshme dhunonte babain e tij të moshuar. Policia njofton se arrestimi i 39-vjeçarit është kryer në flagrancë. Personi me iniciale H. Ç., për motive pronësie dhunonte babain e tij të moshuar. Mësohet se këtë veprim i ndaluari nuk e kryente për herë të parë. Ndaj të moshuarit Gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtje, të cilin djali e kishte thyer. Policia thotë se ky shtetas në banesë për motive pronësie, ka ofenduar babain e tij, shtetasin H. Ç, 82 vjeç, duke shkelur urdhrin e mbrojtjes së menjëhershme e lëshuar më datë 22.07.2014 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan për këtë shtetas. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime te mëtejshme për veprën penale ‘Veprime ne kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, – parashikuar nga neni 321 i Kodit Penal.

 

 Elbasan/ I largohen vajzat nga banesa, i kërkon në polici

Dy motra nga Elbasani të moshës përkatësisht 20 dhe 17 vjeç janë larguar nga banesa e tyre pa dijeninë e familjes. Burime nga policia e qytetit të Elbasanit bëjnë me dije se lajmi për largimin e tyre është dhënë nga vetë babai, i cili është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzim penal. Në kallëzimin e tij shtetasi R. Ç., 42 vjeç, banues në Elbasan, deklaron se më 12.2.2015 i janë larguar nga banesa vajzat e tij, shtetaset O. Ç., 20 vjeçe, dhe F. Ç., 17 vjeçe, të cilat nuk janë kthyer më në banesë. Familjarët pasi kanë kërkuar për vajzat e tyre në familjet e disa shoqeve dhe nuk kanë marrë përgjigje i janë drejtuar policisë. Po kështu vajzat sipas kallëzimit nuk janë përgjigjur as në telefon. Pas marrjes së kallëzimit policia tha se po punon për gjetjen e dy vajzave, të cilët dyshohet se mund të jenë larguar jashtë vendit. Po kështu një tjetër dyshim është se vajzat pas grindjes me prindërit kanë vendosur të mos u përgjigjen. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.