Alma Çuka
Kolegjet administrative po shqyrtojnë dosjet e vitit 2012, kolegjet penale dosjet e vitit 2013. Puna vazhdon të kryhet nën presion. Kërkohet përjashtimi i disa veprave nga rekursi
Gjykata e Lartë vazhdon të vuajë nga mbingarkesa e madhe e dosjeve që dërgohen për rekurs. Problemi i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar vijon të mbetet i pazgjidhur. Aktualisht, në këtë Gjykatë janë në pritje mbi 11 mijë çështje penale dhe civile. Ndërkohë Gjykata e Lartë vazhdon të punojë për vitin 2013. Për këtë qëllim kreu i kësaj Gjykate, gjatë analizës vjetore të punës për vitin 2014, gjeti rastin dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme me anë të reformave, me qëllim lehtësimin e punës. Sipas tij, këto ndërhyrje duhet të pastrojnë disa vepra penale, duke mos i lejuar të dërgohen për rekurs. Në të njëjtën kohë, teksa fliste për punën e madhe që kjo Gjykatë është duke bërë prej vitesh dhe përballimin e fluksit të madh të dosjeve, Zaganjori nuk la pa përmendur edhe rishikimin e funksionit të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Gjatë fjalës së tij, Zaganjori deklaroi se trupat gjyqësore po bëjnë të pamundurën për të ecur me ritme të shpejta. Ndërsa shtoi se gjyqtarëve u janë krijuar lehtësira pas emërimit të ndihmësve ligjorë. Çdo gjyqtar tha ai aktualisht ka dy ndihmës ligjorë. Kjo gjë është arritur me zvogëlimin e punonjësve të administratës së Gjykatës, por pavarësisht sa është bërë, problematika mbetet ende pa zgjidhje.
Pritshmëria
Me këto ritme, pritet që brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2015, kolegjet civile e administrative të nisin shqyrtimin e çështjeve të regjistruara në vitin 2013 dhe kolegjet penale të vitit 2014. Gjykata e Lartë shprehet se trupa gjyqësore e saj, gjatë vitit 2014, është përpjekur të realizojë misionin e saj të rëndësishëm në ushtrim të pushtetit gjyqësor, forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Sipas saj, numri i konsiderueshëm i rekurseve, e detyrojnë trupën gjyqësore të investohet për shqyrtimin e një numri të madh çështjesh. Ndërkohë, kjo Gjykatë ka synuar të realizojë misionin e saj në konsolidimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore, proces i cili pritet të vazhdojë dhe në të ardhmen. Në vitin 2014, nga ana e Gjykatës së Lartë janë marrë 4 vendime njësuese, 2 vendime administrative dhe 2 vendime penale. Aktualisht, Gjykata e Lartë është duke marrë masat e nevojshme, sa i takon shqyrtimit në kohë dhe pa vonesa të çështjeve gjyqësore të regjistruara pranë saj. Në kuadër të reformës në drejtësi, kohët e fundit, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, janë bërë përpjekje për vendosjen e mekanizmave frenues, të cilët synojnë uljen e numrit të çështjeve që vijnë për shqyrtim.
Statistikat
Duke iu referuar shifrave konkrete, bazuar në raportin statistikor të përpunuar nga Gjykata e Lartë, për vitin 2014, në total janë regjistruar apo kanë hyrë në Gjykatën e Lartë 6698 çështje të reja ose 1313 dosje më tepër sesa një vit më parë. Ndërkaq Gjykata e Lartë ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për 6448 çështje gjyqësore. Kolegji Civil ka shqyrtuar 2438 çështje, Kolegji Administrativ 1962 çështje, Kolegji Penal 2048 çështje. Edhe pse ka pasur një rritje tepër të dukshme të çështjeve të shqyrtuara gjatë vitit 2014, rreth 2000 të tilla, sërish Gjykata e Lartë ka të regjistruara për shqyrtim një numër prej 11.357 dosjesh gjyqësore. Në kuadrin e marrjes së masave institucionale për uljen e backlog-ut si dhe në respektim të standardit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, u bë e mundur që brenda vitit 2014 të përfundonte gjykimi i disa çështjeve që kishin mbetur pa shqyrtuar nga vitet 2007 – 2011. Aktualisht anëtarët e Kolegjit Civil e Administrativ po shqyrtojnë dosjet e regjistruara në vitin 2012 dhe ata të Kolegjit Penal dosjet e vitit 2013. Me këto ritme, pritet që brenda 6 mujorit të dytë të vitit 2015, Kolegjit Civil e Administrativ të nisin shqyrtimin e çështjeve të regjistruara në vitin 2013 dhe Kolegjit Penal të vitit 2014.
Gjykata e Lartë, propozime konkrete për reformën
Gjykata e Lartë është shprehur që në krye të herës se është dakord me kryerjen e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë. Sipas saj, reforma duhet të nis nga vet trupat gjyqësore. Megjithatë, kjo Gjykatë është shprehur jo në pak raste se do të përqendrohet në përmbushjen e detyrave kushtetuese me qëllim arritjen e prioriteteve për vitin 2015. Për Gjykatën e Lartë rëndësi të posaçme ka cilësia në gjykimin e çështjeve, moszvarritja e tyre me qëllim dhe komunikimi me publikun. Po kështu ajo shprehet se do të kontribuojë, në drejtim të politikave zhvillimore të reformës për drejtësi, nëpërmjet paraqitjes së propozimeve apo rekomandimeve konkrete të cilat do të mundësojnë përmirësimin e veprimtarisë së Gjykatës së Lartë, uljen e backlog-ut dhe rritjen e rolit të saj në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe zhvillimin e së drejtës.
Çështjet penale, nevojë për rregullime ligjore
Problemi i gjykimit të shkurtuar, e drejtë e përcaktuar me ligj dhe që u njihet pothuaj të gjithë të pandehurve, për Gjykatën e Lartë mbetet e pazgjidhur. Ndërkohë që shumë dosje që mbërrijnë në këtë gjykatë duhet të kalojnë më parë në disa duar. “Mijëra çështje, pothuajse të gjitha, vijnë për shqyrtim edhe në Gjykatën e Lartë. Duhet të ketë një detyrim financiar, duhet të merret pëlqimi, mendimi, mund të ketë një verifikim me raportet ligjore. Në këtë këndvështrim mund të verifikohet rekursi dhe pastaj të jepet leja apo pëlqimi. Nga ana tjetër te çështjet penale ka shumë vend për të rregulluar me ligj për të përcaktuar më qartë çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me gjykimin e shkurtuar, me gjykimin në mungesë”, – tha Zaganjori.