Shpërthimet/ Krimet e Rënda në gjurmët e një grupi si vrasës me pagesë

0
166

Alma Çuka

 Gjykata e Krimet e RëndaPas pesë muajsh hetime dhe dyshimesh janë vënë në pranga dy persona. Dyshohet se ka bashkëpunim për të kryer shpërthime me tritol në vend. Në krye qëndron një i burgosur

Prokurorisë së Krimeve të Rënda i është dashur të paktën pesë muaj kohë hetime intensive për të arritur tek dy emra të dyshuar tashmë si autorë të disa shpërthimeve në Shkodër e Tiranë, kundrejt pagesës. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se kanë arritur të bien në gjurmët e disa personave, të cilët kundrejt pagesave të majme kryenin shpërthime me tritol në vend. Këto shpërthime dyshohet se janë porositur nga një prej personave tashmë të ndodhur në burg, Admir Tafili. Shkodrani Tafili, sipas dyshimeve të akuzës, ka rekrutuar dy persona, një nga Tirana dhe një nga Elbasani, për të larë hesapet me ata të cilët ai ka pasur probleme me kohë. Për të arritur tek dy emrat e mundshëm si pjesëtarë të grupit të vrasësve me pagesë, Prokurorisë i është dashur një punë e madhe me grumbullimin e të dhënave në rrugë operative dhe me zbardhjen e tabulateve telefonike. Teksa ka rënë në gjurmët e dy personave, Prokuroria ka vënë në përgjim telefonat e tyre, duke bërë të mundur edhe afrimin. Ka fjalë se për një shpërthim me tritol autorët paguheshin nga 10 deri në 25 mijë euro.

 

Arrestimet

Policia. disa ditë më parë. njoftoi arrestimin e një 24-vjeçari nga Elbasani të quajtur Kristi Pine. Ndërkohë, pas shpërthimeve me tritol të datës 10 shkurt policia ndaloi edhe një shtetas tjetër të quajtur Alfred Qefalia. Ndërkaq, Prokuroria pas disa ditë hetimesh ka arritur të bëjë ballafaqimin e fakteve dhe të konkludoi se dy personat nuk janë arrestuar rastësisht, por ata kanë qenë në ndjekje prej kohësh për shkak të dyshimeve se kryenin veprimtari kriminale kundrejt pagesës. Në këto kushte prokuroria dyshon se ka rënë në gjurmët e një grupi kriminal po aq i rrezikshëm sa ai i vrasësit me pagesë Juljan Sinanaj, i cili ka pranuar gjithçka. Prokuroria ka marrë në pyetje të arrestuarit dhe shpreson që të arrijë me ta një marrëveshje bashkëpunimi duke i afruar edhe lehtësira në gjykim dhe masën e dënimit. Ka qenë Kristi Pine ai që pas arrestimit ka rrëfyer edhe disa nga shpërthimet që ka marrë pjesë dhe urdhëruesin e tyre. Ai është shprehur se ka punuar për një të dënuar dhe ai është Admir Tafili. Ai ka pranuar se urdhrat për shpërthime kanë ardhur pikërisht nga qelitë e burgut. Ndërkohë që një tjetër person që pritet të zbardh shumë raste të shpërthimeve me tritol është Alfred Qefalia. Mendohet se dy personat e arrestuar tashmë kanë marrë pjesë në nëntë raste të shpërthimeve me tritol në të gjithë vendin. Por lidhur me rastet ende nuk ka informacion të detajuar nga akuza.

 

Deklarimet

Dy të arrestuarit janë marrë në pyetje në seanca të veçanta. Mësohet se ata kanë dhënë shpjegime të hollësishme për akuzën. Ndërkohë që nuk bëhet me dije se çfarë kanë thënë konkretisht para oficerëve të policisë gjyqësore. Për akuzën marrja e këtyre detajeve pritet të hedh dritë mbi shumë ngjarje. Ndërkohë Alfred Qefalia njihet si një person me precedent të mëparshëm penal. Ai gjithashtu dyshohet se është autor i vendosjes së tritolit në fillim të vitit 2014 në rrugën “Budi”, pranë një lokali ku u plagosën tre persona. Ndërkohë, policia nga ana e saj bënë me dije se ka persona të tjerë të shpallur në kërkim të dyshuar si bashkëpunëtor të dy të arrestuarve.

 

 Grabitja/ Gjykata, “Arrest shtëpie” për shefat e sigurisë, Prokuroria kundër vendimit

“Arrest shtëpie” vendosi Gjykata e Tiranës për dy shefat e sigurisë së “Union Bank”, grabitur në 13 shkurt nga tre persona ende të paidentifikuar. Vendimi u dha nga gjyqtarja Blerina Muça, në një seancë me dyer të mbyllura. Pasi dëgjoi pretendimet e akuzës lidhur me përgjegjësitë e dy shefave të sigurisë, gjyqtarja urdhëroi lirimin nga burgu të shefit të sigurisë së bankës, Qirjako Taçe, dhe shoqëruesin e vlerave monetare të bankës, Robert Felaj, duke i caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Vendimi i Gjykatës nuk ishte bindës për prokuroren e cila kundërshtoi menjëherë. Ajo tha se do të apeloi vendimin duke e quajtur të pambështetur. Sipas prokurorisë, dy punonjësit e bankës së nivelit të dytë, nuk kishin marr masa për ruajtjen dhe kontrollin e ambienteve të brendshme të bankës, mes tyre edhe garazhin ku ishin fshehur grabitësit. Përveç kësaj, prokuroria dyshon se njëri prej të dyshuarve mund të ketë bashkëpunuar me grabitësit, që janë larguar me një shumë të konsiderueshme parash. Hetuesit mendojnë, se dikush nga brenda bankës që kishte akses në sigurinë e ambienteve, mund të ketë lënë derën e blinduar hapur, nga ku kanë hyrë tre grabitësit me armë. Këto dyshime, i hodhën poshtë para gjyqtares vet të dyshuarit dhe avokatët e tyre mbrojtës. Ata i thanë gjykatës, se nuk kanë lidhje me grabitësit, duke moshuar në mënyrë kategorike bashkëpunimin me tre personat e maskuar, që vodhën 4 thashë të mbushur me franga, euro, dollar dhe paund. Burimet thanë, se si shefi i sigurisë së bankës ashtu edhe shoqëruesi i vlerave monetare, kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar hetimin e zbardhjes së grabitjes së ndodhur mesditën e së premtes në Tiranë.

 

Sarandë/ Plagoset me thikë pronari i një lokali nate

Policia e Sarandës njoftoi dje se në Sarandë është plagosur me thikë pronari i një lokali nate. Bëhet me dije se i plagosuri është shtetasi Rudin Haxhia, 39 vjeç, pronar i lokal “Ecuador”. Policia thotë gjithashtu se ndaj tij kanë ushtruar dhunë fizike me mjete të forta pesë persona ndërsa e kanë plagosur edhe me thikë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:00, pas një grindje me disa persona. Haxhia është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore për në spitalin e Traumës në Tiranë. Burime nga Spitali thanë se gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë, pavarësisht ndërhyrjeve. Ndërkaq më herët 39-vjeçari i ka shpëtuar disa atentateve me armë zjarri dhe me eksploziv. Policia ka nisur punën për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.