Zgjedhjet lokale/ Basha: Ora e votës po afron, refuzimi i shqiptarëve do mbahet mend nga Rama-Meta

0
155

Erneta Shevroja

basha me deputetet dhe aleatet “Kjo qeveri nuk e lufton dot krimin. Zgjidhja përfundimtare është largimi i saj. Ky është një mision i opozitës që do të synojmë ta përmbushim”

Partia Demokratike zyrtarisht po fillon përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve vendore që janë parashikuar të zhvillohen më 21 qershor të këtij viti. Dje, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, foli për herë të parë për zgjedhjet vendore në mbledhjen me grupin e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, të cilëve u deklaroi se “ora e votës po afron” dhe opozita ka bindjen se “përgjigjja e zgjedhësve shqiptarë do të jetë një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend nga qeveria “Rama-Meta”; një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend, mashtruesve dhe gënjeshtarëve”. Këtë bindje Basha e ka krijuar nisur prej ngjarjeve të fundit kriminale në vend. “Krimi i ka marrë anën kësaj qeverie. Sot, po të shohim me vëmendje statistikat, nuk është çudi të konstatojmë se në qeverinë “Rama-Meta” ka më shumë individë me rekorde kriminale në poste zyrtare, sesa ka të arrestuar nga kjo kategori gjatë qeverisjes se tyre”, – tha Basha para deputetëve dhe aleatëve të PD-së, duke vijuar se qëllimi i opozitës është largimi i qeverisë nga pushteti. Para mbledhjes, kryedemokrati zhvilloi një takim me secilin aleat të PD-së: Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane dhe Tahir Muhedini i PDIU-së.

 

Zgjedhjet

E djathta është duke pritur zgjedhjet vendore, kur, sipas Bashës, do të fillojë “nisja e re”. Sipas Bashës, qytetarët shqiptarë janë të zhgënjyer me qeverisjen “Rama-Meta” dhe vota e 21 qershorit do të jetë refuzuese ndaj tyre, për shkak të mosmbajtjes së premtimeve të dhëna gjatë fushatës. “Duke njohur pakënaqësinë e madhe të publikut me këtë qeveri, e dimë se midis pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe besimit ndaj opozitës, qëndron një mrekulli pune e përpjekjesh reflektuese, reformuese dhe rinovuese nga ana jonë. Ndaj për ne nisja e re, me gjithçka ajo përmban e nënkupton, pikësëpari me të jetuarit përditë me realitetin e gjallë të njerëzve, dhe reflektimin e halleve, problemeve dhe shpresave të tyre, në propozimet dhe politikat tona, është projekt dhe sfidë e dorës së parë që mund dhe duhet ta fitojmë vetëm me qytetarët, dhe për qytetarët e këtij vendi”, – u shpreh kryedemokrati Basha para deputetëve. Ai vijoi duke thënë: “Ne, opozita, e presim me shpresë dhe besim të madh orën e votës, orën e të vërtetës. Ne kemi bindjen se përgjigjja e zgjedhësve shqiptarë do të jetë një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend nga qeveria “Rama-Meta”; një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend, mashtruesve dhe gënjeshtarëve”, – deklaroi Basha. Përgjigje refuzimi nga qytetarët, tha Basha , do vijë për shkak të pakënaqësisë që ka krijuar qeveria nga mosmbajtja e premtimeve, të cilat kreu i PD-së i kujtoi me radhë. “Edi Rama nuk ka shok në planet për sa i përket shkeljes së kontratës me zgjedhësit, shpërdorimit dhe dhunimit të votës me të cilën erdhi në qeveri. Premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe e rriti atë. Askush s’e ka harruar, të gjithë e dinë, shumica dërmuese e vuajnë në kurriz. Premtoi uljen e taksave dhe i ngriti ato në qiell. Askush s’e ka harruar, të gjithë shqiptarët paguajnë më shumë. Premtoi shëndetësi falas dhe solli shëndetësinë e ilaçeve false si vetë politikën e tij. Të gjithë të sëmurët e vuajnë në trupin e tyre, të gjitha familjet e vuajnë në buxhetin e tyre. Premtoi legalizime falas dhe i hëngri fjalët sa mori votën. U përbetua me zë të lartë se edhe Enver Hoxha po të ngrihej nga varri nuk i shembte shtëpitë e qytetarëve. Askush s’e ka harruar, të gjithë e panë se u ngrit vetë në vend të Enver Hoxhës dhe rrafshoi qindra mijë shtëpi në proces apo në pritje të legalizimit, kursimet e jetës së mijëra shqiptarëve. Premtoi treqind mijë vende të reja pune dhe ka mbyllur me mijëra me politikat e tij mbytëse për sipërmarrjen e lirë. Askush s’e ka harruar, të gjithë mund t’i bëjnë vetë llogaritë. Premtoi uljen e informalitetit në ekonomi dhe e ka dyfishuar atë. Të gjithë po shohin se me taksa dhe akciza të rritura këta mbledhin me pak të ardhura dhe kjo ka vetëm një shpjegim: kontrabandë, informalitet, korrupsion. Premtoi përmirësim dhe solli vetëm përkeqësim në çdo sektor, në çdo fushë. Të gjithë e ndjejnë në xhepin e tyre, në pasigurinë e tyre. Çdo gjë në rrokullisje, çdo gjë në vyshkje, lulëzon vetëm propaganda dhe demagogjia. Me propagandë dhe demagogji erdhi në pushtet. Me propagandë dhe demagogji po qeveris. Me propagandë dhe demagogji mendon të mashtrojë përsëri shqiptarët”.

 

Krimi dhe siguria

Kryedemokrati akuzoi drejtuesit e qeverisë për lidhje me krimin e për këtë arsye, ai tha se opozita ka mision largimin e saj. “Por kjo qeveri nuk e lufton dot krimin. Nuk kemi më iluzione për këtë. Besojmë se as qytetarët nuk kanë më iluzione. Zgjidhja përfundimtare është largimi i saj. Ky është një mision i opozitës që do të synojmë ta përmbushim dhe do ta përmbushim bashkë me qytetarët e lirë shqiptarë”, – deklaroi Basha. “Krimi i ka marrë anën kësaj qeverie. Sot, po të shohim me vëmendje statistikat, nuk është çudi të konstatojmë se në qeverinë “Rama-Meta” ka më shumë individë me rekorde kriminale në poste zyrtare, sesa ka të arrestuar nga kjo kategori gjatë qeverisjes se tyre. Lulëzon krimi i organizuar, por nuk mbetet prapa kriminaliteti që u nxin jetën njerëzve të thjeshtë. Në mbarë vendin në fshatra e qytete ka pllakosur një valë vjedhjesh nga gjëja e gjallë, tek makinat e banesat. Sot kërkesave të qytetarëve për të drejta ekonomike, u ka paraprirë kërkesa emergjente e legjitime për rend e siguri”, – vijoi ai.

 

Basha takon aleatët

Ndërkohë para se Basha të dilte me deklaratën ku për herë të parë foli për zgjedhjet e 21 qershorit, kryedemokrati pati takime me secilin aleat të PD-së. I pari që Basha takoi ishte Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, që në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet, tema e mbetur pezull mes tyre është kandidimi nga ky koalicion i Arben Dukës për kryebashkiak të Durrësit. Kreu i PD-së ka takuar edhe kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe përfaqësuesin e PDIU-së, Tahir Muhedini.

 

Ndihmat për përmbytjet, Basha: Qeveria të bëjë transparencë. Rama: Vajmedet PD

 Një tjetër pikë në të cilën u ndal kreu i demokratëve gjatë mbledhjes ishte fakti që qeveria nuk bëri të ditur donatorët e ndihmave për familjet e përmbytura. Kjo i është dukur absurde Kryeministrit, i cili ironizoi duke thënë se po kërkohet llogari edhe për ndihmat që tashmë janë shpërndarë nëpër familje. “Ah, tani problemi s’është më pse s’ka ndihma po ku i gjetëm ndihmat për të përmbyturit?! Dhe për këtë SHQUP-i kërkon llogari! ‪#‎vajmedetpd”, – shkroi Rama në “Facebook”.