Vendimi/ Vjedhja e Bankës, 11 vjet e 2 muaj burg për 10 punonjës

0
186

Alma Çuka

gjykata e tiranes Shtyhet seanca e parë ndaj Bitrajt, Bruzisë dhe Bejtes. Banka e Shqipërisë kërkon nga Gjykata detyrimin e të pandehurve për të kthyer shumën e grabitur prej 713 mln lekësh

 Gjykata e Tiranës i dha fund dje procesit gjyqësor kundër dhjetë të pandehurve, akuzuar për “Shpërdorim detyre” lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga banka e Shqipërisë. Në përfundim të hetimit gjyqësor, Gjykata gjeti fajtor dhe dënoi të pandehurit për akuzën e sipërpërmendur, por njëkohësisht, ajo u tregua shumë e butë lidhur me masën e dënimit, duke mos marrë parasysh kërkesën e organit të akuzës. Në total për dhjetë të pandehurit të cilët disa seanca më parë kërkuan dhe gjykim të shkurtuar u dha një dënim prej 11 vjet e 2 muaj burg. Gjatë vendimit të tij gjyqtari Martin Deda u shpreh se dhjetë punonjësit gjatë ushtrimit të detyrës nuk kanë zbatuar rregulloren e brendshme të Bankës së Shqipërisë duke i krijuar në këtë mënyrë lehtësira të mëdha të pandehurit Ardian Bitraj për të nxjerrë pa problem nga tre arkat e thesarit paratë.

 

Vendimi

Trupi gjykues vendosi që ish-drejtori i kësaj qendre, Dorian Çollaku të vuaj 1 vit burg. Po kjo masë dënimi në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u dha edhe për të pandehurit Bahri Allushi dhe Mehdi Marku. Me 1 vit e 6 muaj, u dënua Dhimitër Davidi, përgjegjës i kamerave të sigurisë së bankës. Trupi gjykues, dënoi me nga 1 vit e 4 muaj burg të pandehurit Lavdim Cani, Myzejen Belba dhe Liljana Tusha. Po kjo masë dënimi u dha edhe për Bashkim Xhilagën. Gjykata vendosi që vendimi për Bashkim Xhilagën të pezullohet për një periudhë 3 vjeçare për shkak të gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë. Ndërsa masë më të butë morën Gentjan Jahja dhe Fatbardha Gurthi, të cilët do të vuajnë 8 muaj heqje lirie. Fillimisht akuza dërgoi për gjykim një grup prej 15 të pandehurish punonjës të bankës, përfshi dhe Elivar Golemin. Në seancën paraprake dhjetë prej tyre kërkuan gjykim të shkurtuar ndërkohë që për pesë të tjerë gjykimi vazhdon normalisht.

 

Bitraj dhe Bruzia

Paralelisht me dhënien e vendimit në Gjykatën e Tiranës gjatë ditës së djeshme nisi procesi gjyqësor kundër protagonistit kryesor të grabitjes spektakolare të 713 milion lekëve në katër vite me radhë në Bankën e Shqipërisë. Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia dhe Klevis Bejtja nipi i Bitraj do të gjykohet në të njëjtin proces. Por seanca e djeshme u desh të shtyhej për shkak të mungesës së të pandehurës Mimoza Bruzia. Kjo e fundit i kish dërguar Gjykatës një njoftim ku kërkonte të mos ishte e pranishme dhe të përfaqësohej nga avokati mbrojtës. Por në seancë nuk ishte i pranishëm avokati. Dhe në këto kushte gjykata u detyrua të shtyj seancën për në 6 mars. Të tre këta të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për grabitjen e 713 mln lekëve. I vetmi që ka pranuar akuzën, është Bitraj, që ka treguar mënyrën e vjedhjes për disa vite, duke pretenduar se i ka harxhuar të gjitha në lojëra fati. Avokatët e shtetit dhe institucioni i Bankës kërkuan proces civil dhe dëmshpërblim për shumën e grabitur.

 

 Lushnjë/ Sekuestrohet arsenal armësh, arrestohet një i ri

 I kapur me arsenal armësh një i ri në Lushnjë ka përfunduar në pranga, ndërsa dyshohet se është i përfshirë edhe në një grabitje me armë. Në orët e pasdites së djeshme u bë arrestimi në flagrancë i 28-vjeçarit Luan Kaboci, banues në fshatin Ferras, Komuna Grabian, Lushnjë. Burime zyrtare nga policia thanë, se arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën tij, u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike model 56, një pistoletë tip “Zastava”, dy krehra automatiku model 56, 23 copë fishek model 56, si dhe dy thika. Bazuar në hetimet e kryera në ngarkim të tij dyshohet se Kaboci është autori i vjedhjes me armë në një lokal në fshatin Mertish të Lushnjës më 26 janar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency