Për 5 mijë apartamente/ Ndërtesat bregdetare, ALUIZNI jep 60 ditë afat për blerjen e truallit

0
148

Ndërtesat bregdetareLame: Janë 4 deri në 5 mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë sipas ligjit të vitit 2009

Rreth 5 mijë apartamente të ndërtuara e më pas të shitura në zonat bregdetare tashmë do të kenë mundësi që të pajisen me certifikatë pronësie mbi truallin. “Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtuese, të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, të paraqiten pranë zyrave tona, për të aplikuar”, – lajmëroi kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, duke shtuar se deklarimi do të jetë i hapur për 60 ditë, nisur nga dita e hënë, 23 shkurt deri më 24 prill 2015. Numri i apartamenteve të shitura që kërkojnë të fitojnë pronësinë shkojnë në 5 mijë, bëri të ditur Lame. Këto apartamente ndodhen kryesisht në zonat e Velipojës, të Gjirit të Lalzit dhe pjesa masive në plazhet e Golemit dhe të Malit të Robit. “Nga verifikimet rezulton se një pjesë e madhe e subjekteve ndërtuese dhe qytetarëve të interesuar, nuk kanë mundur të bëjnë vetëdeklarimet brenda afateve të përcaktuara dhe si rrjedhim nuk mund të procedojnë më tej për fitimin e pronësisë së truallit. Vjet ne miratuam në Kuvend ndryshimet përkatëse në këtë ligj dhe pastaj dalëngadalë edhe aktet nënligjore që e bënin atë operativ. Sot po dalim përpara publikut për të lajmëruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit, që do të mundësonte më pas edhe regjistrimin pranë ZRPP të pronës së tyre si të ligjshme”, – tha Lame. Nga verifikimet ka rezultuar se janë rreth 5 mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura, por qytetarët nuk kanë dokument pronësie mbi truallin. “Nga evidentimi faktik, rezulton që deri tani të kenë aplikuar 91 subjekte me rreth 1200 apartamente që përfshihen në këtë kategori. Por nga ana tjetër, janë edhe disa qindra subjekte, me rreth 4 deri në 5 mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë sipas ligjit të vitit 2009”, – njoftoi kreu i ALUIZINI-t. Afati i deklarimit për qytetarët që kanë blerë apartamente, por nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë do të jetë rreth 60 ditë, duke filluar prej ditës së hënë. Një procedurë e tillë është hapur edhe në vitin 2009, por gjatë kësaj periudhe arritën të përfitonin shumë pak subjekte dhe deri më tani evidentohen 91 subjekte me rreth 1 mijë e 200 apartamente. Informacione më të detajuara do të publikohen ditën e sotme për procedurën e aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm.