Përkujtimi/ 24-vjetori i “rrëzimit” të bustit të ish-diktatorit, Basha: Qeveria Rama-Meta, neohoxhiste

0
174

24-vjetori i “rrëzimit” të bustit të ish-diktatorit, Basha“Ushtrimi i pushtetit në dy vitet e fundit tregon se modeli i diktatorit fle në kokat e ithtarëve të tij. Përdorimi antiligjor i pushtetit, urrejtja dhe dhuna ndaj kundërshtarëve politikë dëshmojnë vazhdimësinë e së keqes”

Demokratët dje përkujtuan 24-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, pikërisht më 20 shkurt të vitit 1991, në sheshin “Skëndërbej”. Në po të njëjtin vend, demokratët dhe qytetarë u mblodhën për të përkujtuar rrëzimin përfundimtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në sheshin “Skëndërbej”, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, në mesazhin e tij risolli në vëmendje figurat që kontribuuan në rrëzimin e bustit të diktatorit, ndërsa një pjesë të fjalimit të tij ua kushtoi praktikave të politikëbërjes së të majtëve. Ai tha se Kryeministri Rama po përpiqet të ushtrojë pushtet absolut, duke e quajtur qeverisjen “neohoxhiste”. Në aktivitet ishin të pranishëm ish-të përndjekur, deputetë të PD-së, por nuk mori pjesë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e përjetoi 20 shkurtin e 1991-shit me një shënim në rrjetin social “Facebook”.

 

Basha për qeverisjen

Basha tha se 20 shkurti kujtohet si një datë që ndan dy modele qeverisjeje, por sot, u shpreh ai, ka ende nga ata “që vazhdojnë të ushqejnë adhurim për abuzuesit e pushtetit, adhurim për frikën, për agresionin dhe për dhunën. Modelet represive të së shkuarës vazhdojnë të frymëzojnë pushtetarë me karakter të dobët dhe pa busull morale”. Këto fjalë iu dresuan drejtuesve aktuaë të qeverisë. “Ushtrimi i pushtetit në dy vitet e fundit tregon se modeli i diktatorit fle në kokat e ithtarëve të tij. Përdorimi antiligjor i pushtetit, dhuna ndaj qytetarëve, urrejtja dhe dhuna ndaj kundërshtarëve politikë dëshmojnë vazhdimësinë e së keqes. Festimet e 70-vjetorit të instalimit të regjimit komunist dhe glorifikimi i Hoxhës tregojnë admirimin për modelin represiv të pushtetit. Siç thotë Gandi, “veprimet janë demonstrime të mendimeve tona”. Shqiptarët sot drejtohen nga njerëz që kanë idhuj të gabuar, që mendojnë dhe veprojnë si ata”, – deklaroi Basha, duke vijuar se qeveria kërkon pushtet absolut dhe “bën çmos  të kthejë hoxhizmin si praktikë sundimi në një formë tjetër. “Rama-Meta është në thelbin e veprimit të saj një qeveri neohoxhiste, që nuk mund të sjellë Enverin, por ka sjellë asfiksimin e ekonomisë, goditjen e pronës dhe lirive të qytetarëve, monopolet, taksat e larta, tendencat për eliminim të opozitës, arrogancën dhe arbitraritetin e shkollës së vjetër antidemokratike. Është qeveria që frikëson, dhunon dhe plaçkit pasuritë publike dhe individuale për interesa vetjake dhe klanore”, – vijoi kryedemokrati, duke e arsyetuar këtë deklaratë me faktin sipas tij, se kreu i qeveris del mbi ligjin dhe kushtetutën.

 

24-vjetori i rrëzimit të bustit

“Dita e 20 shkurtit, – u shpreh Basha, – nuk simbolizon rrëzimin e një busti prej bronzi, por të një moteli të së keqes, të dhunës, dhe të mohimit të lirisë. Sot, njëzet e katër vite më vonë, demokratët, qytetarët e Tiranës dhe mbarë vendit kanë arsye të ndihen krenarë për aktin historik të rrëzimit të përmendores së diktatorit Hoxha. Atë ditë nuk u hodh vetëm një shtatore bronzi, por një model i të keqes, një mishërim i doktrinës çnjerëzore të shtypjes, të dhunës, të luftës së klasave, të shpronësimit dhe kolektivizimit, të izolimit, të varfërisë proverbiale, të mohimit absolut të çdo lirie dhe të drejte njerëzore, sepse Hoxha ishte kreu i së keqes që u mori qytetarëve pronë, liri dhe besim në Zot”, – tha ai duke shprehur fjalë mirënjohjeje për ata që e rrëzuan bustin. “Ne nderojmë studentët e Dhjetorit që nxorën para gjyqit të kohës dhe para gjyqit të historisë figurën e diktatorit Hoxha dhe kërkuan pa kushte e me çmimin e sakrificave deri sublime, si greva e urisë, heqjen e emrit të tij nga Universiteti i Tiranës. Ne nderojmë Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, që ngritën në këmbë solidaritetin e madh mbarëqytetar me studentët. Ne nderojmë me mirënjohje dhe respekt të veçantë qytetarët e Tiranës, burrat dhe gratë e 20 shkurtit, që sfiduan frikën dhe dhunën policore të regjimit, vërshuan në sheshin “Skënderbej” dhe rrëzuan përmendoren e diktatorit. Ky akt trimërie civile dhe patriotike lartësoi Shqipërinë dhe shqiptarët në sytë e botës së lirë e cila u mahnit me kronikat e një populli të ngritur në këmbë. Kjo ngjarje historike i tregoi kujtdo se ndryshimi ishte i vërtetë dhe i pakthyeshëm. 20 shkurti tregoi se Tirana dhe Shqipëria e hodhën diktatorin dhe nuk do të lejonin përpjekjen për rilindjen e tij në demokraci. Demokratët e 20 shkurtit – studentët, sindikalistët, qytetarët, politikanët, intelektualët – morën vendimin e madh të prishnin në embrion hibridin që synonte ta shndërronte në farsë demokracinë shqiptare”, – u shpreh Basha.

 

Berisha: Sot 20 shkurti është më jetik, të ndodhë sa më shpejt

Ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës 24 vjet më parë e përkujtoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ishte në aktivitetin e organizuar nga Basha në qendër të Tiranës. Ashtu si edhe Basha, ish-kreu i PD-së iu referua praktikave qeverisëse të të majtëve. Ai tha se sot Shqipëri po ecën drejt destabilizimit dhe kaosit e për këtë arsye është e nevojshme një ripërsëritje e 20 shkurtit. “Gjendja ne Shqiperi po ecen drejt destabilizimit dhe kaosit. Sot 20 shkurti i ri eshte me jetik se asnjehere me pare, eshte thirrja e brendshme e te gjithe atyre qe perjetuan kalvarin e eger te diktatures hoxhiste si dhe e qindra mijera te rejave e te rinjve, studenteve, intelektualeve, puntoreve dhe qytetareve te thjeshte, heronj te 20 shkurtit te vitit 1991 qe shohin sot ne pushtet bastardet e bllokmeneve qe permbysem 24 vjet me pare. Perpara, sa me shpejt drejt nje 20 shkurti te ri”, – shkroi Berisha në rrjetin social. Sipas ish-kryeministrit Berisha, më 23 qershor në pushtet erdhën “bllokmenët hoxhistë”. “Sot PD eshte ne opozite dhe ne pushtet nuk eshte e majta e moderuar shqiptare por si ne asnje vend tjerter ne Europe, ne pushtet me 23 qershor erdhen djemte dhe vajzat e bllokmeneve hoxhist qe ne permbysem me 20 shkurt te Viti 1991. Neo-bllokmenet me ne krye Edvin Kristaq Ramen ne 18 muaj ne pushtet rehabilituan dhe ngriten muze shteteror Hitlerit te shqiptareve, Enver Hoxhes, kremtuan 70-vjetorin e çlirimit te vendit me frymen perçarese enveriste per luften dhe ndihmen e aleateve tane, permbysen simbolin e demokracise ne Kavaje, per analogji te permbysjes se shtatores se Enver Hoxhes. Klika e neo-bllokmeneve ne pushtet zevendesoi shtetin ligjor me shtetin policor, ka te arrestuar, ndaluar ne nje vit 38 mije shqiptare, ka shnderruar Shqiperine ne protektorat te krimit dhe droges dhe po zhben nje nga nje arritjet 23-vjeçare te demokracise shqiptare”, – u shpreh Berisha.

 

Siguria/ Shqipëria e Kosova, bashkëpunim për përmirësim ligjor

Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka pritur dje një delegacion të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës të kryesuar nga Daut Haradinaj. Gjatë këtij takimi, anëtarët e dy komisioneve kanë theksuar veçanërisht rëndësinë në bashkëpunim për përmirësimin e kuadrit legjislativ. Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, tha se gjatë këtyre sesioneve, ky Komision ka qenë i angazhuar në disa drejtime, por kryesisht, në ato që kanë të bëjnë me reformimin e ligjeve në sektorin e mbrojtjes, pasi pas vitit 2009, Shqipëria është pjesë e NATO-s. “Ka qenë e domosdoshme që të ndryshojë i tërë legjislacioni në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, Komisioni ka zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm dhe në legjislacioni për Policinë. Jemi angazhuar në shqyrtimin e mjaft marrëveshjeve të rëndësishme”, – tha z. Braho, i cili shtoi se për interesat e sigurisë kombëtare, pozita dhe opozita në Shqipëri arrijnë të gjejnë dakordësinë në vija të përgjithshme. “Bëjmë debate, bëjmë dialog, por qëllimi në fund është një. Përgjithësisht ka një vlerësim pozitiv për punën e Komisionit të Sigurisë. Do të dëshironim që në kuadër të shkëmbimeve dypalëshe të japim dhe të marrim përvojë”, – tha Braho. Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, tha se pozita dhe opozita janë plotësisht të gatshme të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.