Zgjedhjet vendore/ KQZ, 743 milionë lekë shpenzime, vetëm 1 mln më pak se zgjedhjet e 23 qershorit

0
145

kqz743 milionë lekë llogaritet të jetë kostoja e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. KQZ ka përcaktuar shifrën që do t’i kërkojë buxhetit të shtetit për sfidën elektorale për 61 bashkitë e reja. Pjesa më e madhe e këtyre parave, sipas llogarive të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është destinuar të shkojë për pagat e punonjësve, mes tyre dhe shumë komisionerë e numërues të rekrutuar enkas për të dielën e 21 qershorit. Konkretisht, 279.5 milion lekë. Ndërsa për kutitë, fletët e votimit, bojën matrikulluese dhe kodet e sigurisë, KQZ ka vendosur të shpenzojë plot 240 milionë lekë. 223 milionë të tjera do të shkojnë për ambientet e votimit dhe numërimit me qira, transportin e materialeve dhe reklamat nëpër media. Edhe këtë vit është hequr dorë nga teknologjia siç ishte ajo e numërimit elektronik dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mjaftuar me shfaqjen e rezultateve të numërimit të votave dhe regjistrimin e tyre, projekti aplikuar që në 2009-ën dhe që këtë vit kap vlerën e 106 milionë lekëve. Ndonëse reduktohet numri i bashkive në mënyrë drastike, kosto e këtyre zgjedhjeve vendore është vetëm 1 milion më pak se ajo e atyre të përgjithshme të 2013-ës që prodhuan rotacionin politik dhe që u konsideruan më të shtrenjtat e mbajtura deri më tani. Nga këto projekte edhe këtë vit është hequr dorë nga teknologjia siç ishte ajo e numërimit elektronik dhe votimit e identifikimit elektronik të kartave të identitetit.

 

  Rezoluta kundër integrimit/ Balla, eurodeputetëve francezë: Pengoni Shqipërinë me pretekste, të këqija ndodhin edhe në Paris

Pas gati një muaji, deputeti socialist, Taulant Balla, në cilësinë e kryetarit të delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, reagoi për ndaj 3 deputetëve francezë të Frontit Nacional që të mos pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai në letrën e tij adresuar deputetëve francezë, shkruan se përdoren justifikime, me qëllimin ndalimin e negociatave me BE-në. “Je suis Charli” u drejtohet Balla tre deputetëve, duke vijuar se edhe vende të tjera ndodhin fenomene të këqija, madje edhe në kryeqytetin e tyre, Paris. “Duke mos mundur t’i vishni Shqipërisë epitetet e islamizmit, intolerancës, armiqësisë ndaj një tradite dhe një qytetërimi që pa pjesërisht dritën e diellit në tokën e saj të moçme, i pengoni rrugën drejt integrimit nën pretekste më pak të bujshëm: korrupsioni, instabiliteti ekonomik, pesha e trafiqeve të paligjshme. Të këqija që në fund të fundit janë gangrena e vendeve të Evropës nga Korsika në Sicili e nga periferitë e Parisit në qendër të Athinës”. Refuzimin, Balla e quan një lojë politike, zanat i venitur që nuk e kanë çuar asnjëherë, Partinë Frontin Nacional në krye të pushtetit. “Duke parë ritmin e shfrenuar të rezolutave tuaja, deklaratave e pozicionimeve kundër rimëkëmbjes së projektit evropian, kuptoj se lojërat politike nuk janë më një art, por një zanat i zvetënuar, edhe për një parti si e juaja, luksi i së cilës ka qenë mos të ketë kurrë rastin për të ushtruar pushtetin dhe përgjegjësitë e vërteta”, – shkruan kreu i grupit socialist, Taulant Balla. “Megjithëkëtë, ka lojëra që në fakt janë të rrezikshme. Ndonëse Shqipëria vjen nga larg, me një të kaluar të dhimbshme, potencialet e saj janë të paprekura: popullsi e re në moshë, pasuri hidrike dhe minerare, monedhë e qëndrueshme dhe rritje ekonomike. Të përjashtosh Shqipërinë, thjesht për të shtuar një pikë më shumë në listën e gjatë të manifesteve për dështimin e Evropës së të ardhmes, është një llogari fort meskine, me një çmim ndoshta shumë të lartë. Shqipëria, zinxhiri i historisë në distancë të njëjtë midis Romës dhe Stambollit mban çelësat gjeopolitikë të Lindjes dhe Perëndimit dhe përbën elementin moderues të një rajoni historikisht të trazuar.

Të godasësh pa dallim është, përgjithësisht, një strategji pa bereqet. Ëndrra evropiane e Shqipërisë nuk ka nevojë për t’u goditur. Këshillë prej miku: kapeni dorën e saj miqësisht dhe vëllazërisht të shtrirë, si një shans të vërtetë për rigjallërimin dhe rinovimin e Evropës dhe jo si një makth artificial për të trembur votues në udhëkryq. Në seancën e fundit plenare të janarit në Parlamentin Evropian, tre deputetë francezë të Frontit Nacional, Dominique Bilde MEP, Steeve Briois MEP, Sophie Montel përmes një projektrezolutë kërkuan ndalimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 3 deputetët argumentuan refuzimin e tyre se gjendja sociale dhe ekonomike të Evropës, nuk lënë vend për anëtarësime të reja.