Ekstradimi / Vrau policin në vitin 1997, ekstradohet nga Londra ish-punonjësi i SHIK-ut

0
204

dc160b9f-ae62-45b6-8272-3116e006e8ef---0-Alma Çuka

U dënua në vitin 2000 me burgim të përjetshëm. Për 19 vite iu fsheh drejtësisë. Vrau duke thënë se ishte punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror

Vrau në vitin 1997, duke treguar se ishte punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe dje u është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë shqiptare nga pala angleze. Ekstradimi i tij u krye nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Bëhet fjalë për shtetasin Hektor Voci, 48 vjeç, nga Tirana. Burime të policisë së shtetit bëjnë me dije se Voci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh, ndërkohë që së fundmi u zbulua se jetonte i fshehur në Angli. Dënimi i tij në vitin 1997 është dhënë në mungesë. Ndërkohë që si provë për këtë ngjarje janë marrë dëshmitë e personave të tjerë që kanë qenë të pranishëm. Efektivi i policisë i vrarë nga ish-shikasi, në momentin që është ekzekutuar ka qenë nën shoqërinë e personave të tjerë. Në materialin e referuar thuhet se Gjykata Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendim nr. 35, datë 23.5.2000, e ka dënuar shtetasin Hektor Voci me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

 

Ngjarja

Më datë 10.2.1997, i pandehuri Hektor Voci ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Mercedes-Benz”, ku ka qenë pasagjer. Në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, makina që drejtohej nga B. Xh. dhe ku ishte pasagjer Hektor Voci, ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke rrezikuar ta rrëzonte në kanal automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C., punonjës policie pranë komisariatit nr. 4, në Tiranë.

Shtetasi A. C. i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë, ku me pistoletën në dorë, me tytën drejtuar poshtë i është afruar makinës duke u prezantuar që ishte punonjës policie.

Ndërkohe që B. Xh. ka dalë nga makina dhe i ka drejtuar dorën në mënyre fyese, duke i thënë që ishin punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Punonjësi i Policisë A. C. ka dal përpara makinës ku takohet me shtetasin Hektor Voci, i cili mbante në dorë automatikun model 56, që kishte marrë për kryerjen e shërbimit. Hektor Voci ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj shtetasi A. C., duke e lënë të vdekur në vend. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançesterin, Angli, u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

Tiranë

Dhuna e policisë, Didi me vartësit: Mund të ketë raste të tjera

 

Një mbledhje urgjente është zhvilluar mesditën e djeshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi, pas videove të publikuara në media gjatë ditëve të fundit, ka thirrur në një takim të gjithë shefat e komisariateve, me të cilët ka diskutuar në lidhje me performancën dhe sjelljen e policëve me qytetarët si dhe në lidhje me situatën e shpërthimeve me eksploziv. Mësohet se në mbledhje Didi të jetë shprehur se rastet e fundit të publikuara në media nuk mund të jenë të vetmet, por në të gjithë vendin mund të ketë dhe të tjera. “Këto nuk janë ngjarjet e vetme, mund të ketë edhe të tilla, por që janë sporadike. Këto ngjarje nuk tregojnë punën e madhe që po bëhet në policinë e shtetit. Iu kërkova Shefave të Komisariateve të bëjnë më mirë punën e tyre dhe ta masin atë në bazë të standardit të policit më të fundit të komisariatit, jo në bazë të statistikave”, – tha Didi pas takimit. Vetë shefi i Policisë së Shtetit deklaroi se ky takim ishte për ti sensibilizuar që të tregohet një polici qytetare dhe për të qenë më të vëmendshëm në strukturat që ata drejtojnë. “Ne nuk na shikon njeri punën që bëjmë gjithë ditën në zyrë. Ne njerëzit na masin nga performanca e shërbimit të policëve që janë në terren”, – ishin fjalët e Artan Didit. Kryepolici ka kërkuar të zbatohet procedura standarde e ligjit dhe aktet e dhunës së policëve ndaj qytetarëve, si ato të ndodhura më parë, të mos përsëriten më. Pas përfundimit të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri me dije se ky takim u zhvillua në fokusin e ngjarjeve të ditëve të fundit, përfshirë edhe videot e policisë me gruan në Tiranë si dhe ngjarjet në Kavajë dhe Korçë. Ai bëri me dije se gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me shpërthimet me eksploziv të ndodhura disa ditë më parë në Tiranë. Vetë kryepolici deklaroi se ka probleme me kontrollin e territorit, ndërsa u shpreh optimist për rezultatet e strukturave të antiterrorit dhe krimeve të rënda. “Situata me shpërthimet me eksploziv lidhet me kontrollin e territorit. Rezulton se nuk kontrollohet siç duhet. Kemi pasur rezultate dhe presim edhe të tjera sa i takon punës së strukturave të antiterrorit dhe krimeve të rënda. Jemi optimistë se do t’ia arrijmë”, – tha ndër të tjera kryepolici Didi pas përfundimit të takimit me shefat e komisariateve.

 

 

Korçë

Dhuna në Korçë, pezullohet zv.drejtori i policisë

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, ka pezulluar nga detyra zv.drejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hasani. Shkak është bërë një video e filmuar nga qytetarët, ku dallohen disa efektivë të policisë së këtij qyteti që ushtrojnë dhunë ndaj një të riu për shkak se ka gërvishtur me automjetin e tij makinën e zv.drejtorit të policisë. 33-vjeçari Tomi Misha, i dhunuar nga forcat e policisë së Korçës, ka përfunduar në repartin e kirurgjisë. Sipas familjarëve, i riu është dërguar në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata pretendojnë se pasi është shoqëruar në komisariat mbi djalin e tyre është ushtruar dhunë e vazhdueshme fizike, duke i shkaktuar nxjerrje të shpatullës. Familjarët akuzojnë zëvendësdrejtorin e policisë Arben Hyseni, tashmë i pezulluar nga detyra, se ka goditur dhe dhunuar 33-vjeçarin. Ndaj Tomi Mishës gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një procedim penal për shpërdorim detyre të dy efektivëve që u përfshinë në skenën e dhunës ndaj të riut nga Korça. Lajmërimi i urdhër-arrestit për të riun u bë gjatë kohës që ai ndodhej në spital, pas dhunës së ushtruar mbi të nga efektivët e policisë. Prindërit kanë thënë se djali ishte me duar të lidhura. Teksa pohojnë se Misha ka pësuar shembje e plagë në trup, ata shtojnë se nuk lejohen të takojnë të birin e tyre në ambientet e spitalit.