Driçim Çaka
Nafta rritet me 100 lekë, institucionet asnjë kontroll për ndryshimin e menjëhershëm të çmimit
Inspektorati Qendror Teknik ka gjobitur 42 pika karburantesh për abuzim me cilësinë e naftës dhe benzinës si dhe për mungesë të dokumentacionit. Sipas IQT-së, gjatë inspektimeve që janë bërë në muajt dhjetor 2014 – nëntor 2015, 21 pika karburantesh janë gjetur me mungesë në dokumentacion dhe 21 pika të tjera kanë pasur pikën e flakërimit dhe përmbajtjen e squfurit mbi normat e lejuara. Bazuar në inspektimet e muajve dhjetor 2014 – janar 2015 nga Inspektorati Qendror Teknik janë gjobitur në total 42 subjekte, të cilat tregtojnë lëndë hidrokarbure. Përkatësisht 21 subjekte për mungesë dokumentacioni dhe 21 për cilësinë e karburanteve. Inspektorati Qendror Teknik garanton opinionin publik se është i vendosur të ushtrojë detyrën e tij për monitorimin e të gjitha subjekteve sa i takon respektimin e ligjit dhe do të ndëshkojë çdo rast abuziv. Në kuadër të transparencës me publikun, IQT publikon prej muajsh rezultatet e kontrolleve dhe listën e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masë ndëshkimore”, – thuhet në njoftim të Inspektoratit Qendror Teknik.
Gjobat
Në listën e IQT-s, gjenden dhe pika të karburanteve që tregtojnë naftë dhe benzinë në Kryeqytet. Gjatë 6-mujorit të dytë të 2014-ës, IQT ka vendosur qindra gjoba ndaj subjekteve që tregtonin naftën jashtë normave të lejuara dhe për mungesë të dokumentacioneve.
Çmimi
Ndërkohë nafta ka pësuar një rritje të menjëhershme ditët e fundit në tregun vendas. Në pikat e pakicës një litër naftë është tregtuar 100 lekë më shumë se java e kaluar. Ky ndryshim vjen vetëm pak ditë pas rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Si në çdo rast kompanitë e naftës kanë treguar se ndikohen në mënyrë direkte kur çmimet rriten në bursat ndërkombëtare, ndërsa kur çmimet ulen, justifikohen se kanë rezerva me çmimet e vjetra. Një metodë e njohur tashmë për shqiptarët, por si në çdo rast shteti dhe institucionet përgjegjëse vazhdojnë të jenë indiferente ndaj një fenomeni ku “vidhen” paratë e shqiptarëve.