Protesta/ Tetë mijë mjekë, peticion qeverisë: Të përmirësohet infrastruktura dhe të hiqet testimi

0
136

Tetë mijë mjekë, peticion qeverisëProcesi i testimit të mjekëve dhe infermierëve nga Ministria e Shëndetësisë është kundërshtuar me forcë nga bluzat e bardha, të cilat kanë vënë gishtin mbi gjendjen e rëndë spitalore ku atyre u duhet të punojnë çdo ditë. Mbi 8 mijë mjekë e infermierë kanë firmosur një peticion, i cili u drejtohet krerëve të shtetit për shfuqizimin e kësaj nisme, e cila për bluzat e bardha është antiligjore. “Deri më tani janë 8 mijë firma nga mjekë dhe infermierë, të cilët mbështesin pikërisht tezën kryesore të peticionit për të hedhur një nismë antiligjore të marrë nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me testimin dhe ajo që është më thelbësore për përmirësimin e vazhdueshëm thelbësor të një sistemi shëndetësor, i cili po vuan rrënjësisht. Dikush që pengon, dikush që shkatërron duhet ose të dorëhiqet ose të paraqitet përpara ligjit”, – tha Tritan Kalo, drejtuesi i Unionit të Mjekësisë Shqiptare. Përmes disa protestave të zhvilluara në Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë dhe Lushnjë, mjekët kanë kërkuar që Ministria e Shëndetësisë t’u përgjigjet me medikamente, të përmirësojë infrastrukturën spitalore dhe të rishikojë sistemin e tyre të pagave. “Një nga kolegët tonë më të nderuar, një nga specialistët tanë më të përkushtuar dhe më të edukuar, është dhunuar fizikisht dhe thirrja ime sot: u bëj thirrje mjekëve të rinj që të mos e braktisin Shqipërinë. Thirrja shkon edhe për qeverinë që t’u krijojë kushte të rinjve, t’u hapë hapësira të reja”, – thotë një mjek në Lushnjë. Bluzat e bardha kanë theksuar se ky proces prek rëndë dinjitetin dhe përvojën e tyre, në një kohë kur një pjesë e madhe përballen me mungesa dhe me kushte aspak normale në punën e tyre. Ndërsa ditën e shtunë pritet që të zhvillohet testimi i infermierëve, bluzat e bardha kanë kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të këtij procesi.