“Ky shërbim kryhet në shifra shumë më të vogla, dhe madje me përgjegjësi më të madhe. 96 miliardë lekë janë një shumë që e tejkalon disa herë koston e këtij shërbimi”
Një tjetër tender që do të jepet në muajin mars është vënë në dyshim nga Partia Demokratike, e cila dje akuzoi qeverinë se po i jep një miku të Kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për tenderin për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave. Në një prononcim, sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, tha se qeveria po favorizon një klient të Ramës në shumën prej 96 miliardë lekësh, shumë që tejkalon shërbimin, sipas Dumës. “Sipas specialistëve të fushës, norma e fitimit në këtë rast është të paktën 70%. Pra, miku i Edi Ramës që do të fitojë këtë koncesion, do majmet me të paktën 67 miliardë lekë”, – tha Duma.
Tenderi
Me anë të disa dokumenteve, Duma tregoi se dje “janë hequr dhe janë vënë disa herë në portalin e Agjencisë së Prokurimit. Bëhet fjalë për një nga tenderat më të rëndësishëm të spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Në fakt, një nga tenderat më të rëndësishëm të jetës së njeriut. Momentin kur ai hyn në sallën e operacionit”, – tha Duma. Sipas saj, ka mungesë transparence për koncesionin që kap shifrën e 96 miliardë lekëve, që PD-ja thotë se do të shkojnë për një mik të Kryeministrit Edi Rama. “Këto luhatje në transparencë janë pasqyrim i asaj, çka qeveria e di sa shumë e rrezikshme është të planifikosh një koncesion të dyshimtë, në shifrën e 96 miliardë lekë. 96 miliardë lekë do të jepen për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave. Këto 96 miliardë lekë do të jepen me 30 mars për klientët e preferuar të qeverisë, me një procedurë aspak transparente”, – denoncoi sekretarja për marrëdhëniet me publikun të PD-së. Sipas përllogaritjeve të Partisë Demokratike, shërbimi për sterilizimin e mjeteve të kirurgjisë dhe sallave të operacionit mund të kryhet me një shumë parash shumë më të ulëta nga ajo që propozohet nga qeveria aktualisht. “Ky shërbim kryhet në shifra shumë më të vogla, dhe madje me përgjegjësi më të madhe. 96 miliardë lekë janë një shumë që e tejkalon disa herë koston e këtij shërbimi. Sipas specialistëve të fushës, norma e fitimit në këtë rast është të paktën 70%. Pra miku i Edi Ramës që do të fitojë këtë koncesion, do majmet me të paktën 67 miliardë lekë. Mungesa e transparencës është premisa e parë që tregon se 96 miliardë lekët janë projektuar tashmë, dhe fituesi me siguri është paracaktuar”, – denoncoi Duma. “Humbja më e madhe, – tha duma, – nuk janë paratë, por shërbimi jocilësor që mund të ofrojë sipas saj “klienti i qeverisë”. Partia Demokratike i kërkon qeverisë të tërhiqet nga ky projekt, sipas demokratëve abuziv dhe korruptiv. “Ne i bëjmë me dije sot Kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë se kur drejtësia të vijë, do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin dhe abuzimin e pafre me paratë e qytetarëve të vendit”, – përfundoi Duma.