Raporti/ Mjekët, farmacistët dhe dentistët, 6 muaj kohë për të “shpëtuar” punën

0
280

 Mjekët, farmacistët dhe dentistëtNë provim 1800 infermierë, 1096 dentistë dhe 606 farmacistë

 Mjekët: Të shtunën pezullojmë punën, asnjë vizitë për të gjithë pacientët

Rreth 1800 infermierë, 1096 dentistë dhe 606 farmacistë do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit, për shkak se nuk kanë grumbulluar kreditet e mjaftueshme gjatë 5 viteve. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë mbledhjes së Bordit të Ricertifikimit, është vendosur që profesionistët që s’kanë grumbulluar kreditet të ricertifikohen për të ushtruar profesionin, në të kundërt do të humbasin vendin e punës. “Dje u zhvillua mbledhja e Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, nën drejtimin e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të urdhrave të profesionistëve të shëndetit, Universitetit të Mjekësisë, Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë, Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKSAISH) për të diskutuar modalitetet e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit pesë-vjeçar të ricertifikimit 2010-2014. Nga analiza paraprake e të dhënave të programit të ricertifikimit rezulton se 1800 mjekë (ose 36% e të gjithë trupës mjekësore në vend), 606 farmacistë (ose 28% e numrit të të gjithë farmacistëve në vend) dhe 1096 dentistë (ose 52% e të gjithë dentistëve në vend) që punojnë në sektorin publik dhe jopublik të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim”, – thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Vendimi

Sipas Bordit të Ricertifikimit, “brenda gjashtë muajve, duke filluar që nga data 15 prill 2015, nga shpallja nominale e emrave, profesionistët që nuk kanë përmbushur detyrimet duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit”. “Të miratohet Rregullorja e provimit të ricertifikimit për profesionistët e sipërpërmendur të shëndetit brenda muajit mars 2015; § Brenda datës 15 prill 2015, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjithë kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit; Brenda datës 15 prill 2015, QKEV-ja do të bëjmë me dije të gjithë emrat e profesionistëve që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi”, – ishin disa nga vendimet e bordit.

 

Testimi

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shprehur se nga testimi nuk do cenohet paga, kontrata e punës dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. “Nga procesi i testimit nuk cenohen tri gjëra që janë të rëndësishme: kontrata e punës, paga dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. Pas testimit, asnjë nga këto të tria nuk cenohet. Kemi nevojë të domosdoshme për investime themelore në shëndetësi dhe sot për sot takati i buxhetit shqiptar me paratë publike nuk mban. Edhe debati i hapur për koncesionin e filluar i cili në 30 mars do të shohim ofertat, përmban rinovim të gjithë instrumentalit kirurgjikal, për të gjitha operacionet kirurgjikale në Shqipëri, rreth 50 mijë sot, nga të cilat 22 mijë në QSUT, ofrimi i atyre pajisjeve të sintetizuara para çdo operacioni, ofrimi i veshjeve njëpërdorimshme para çdo operacioni dhe sterilizimi para çdo operacioni”, – tha Beqaj.

 

Mjekët: Të shtunën pezullojmë punën

Të shtunën mijëra pacientë të shtruar në spitale rrezikojnë të mos marrin shërbimin nga mjekët dhe infermierët. Bluzat e bardha kanë paralajmëruar dhe kanë bërë thirrje që të bojkotojnë punën për orë më radhë si reagimin më të ashpër ndaj testimit. Pritet të jetë një ditë bojkoti edhe për punën edhe për testimin, sepse të shtunën infermierët, sipas datave të caktuara, do të zhvillojnë provimin. Mjekët kanë paralajmëruar protestë në orën 11:00 të ditës së sotme para Kryeministrisë dhe çdo ditë përpara QSUT-së. Peticioni i firmosur nga mjekët iu dorëzua Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe Kryeministrit Rama. Ndërsa ministrit të Shëndetësisë ia dorëzua personalisht gjatë momentit kur Beqaj ishte në shërbimin e Kardiokirurgjisë për përurimin e pajisjeve të reja. Burime zyrtare të Ministrisë thonë se testimi do të kryhet sipas datave dhe ky proces nuk ka kthim.

 

 Reagimi/ Kisha Katolike: Presidenti Nishani të kërkojë falje

Komuniteti Katolik i Elbasanit i ka kërkuar Presidentit të Republikës të kërkojë falje për deklaratat e tij se në mjediset e Kishës po bëhet biznes. “Me urtësinë që na jep Krishti, me anë të Shpirtit të Shenjtë, ju ftojmë të kundroni qëndrimin tuaj dhe ju këshillojmë të tërhiqni deklarimet tuaja publikisht, duke dëshmuar qytetarinë dhe urtësinë që i takon një posti të tillë, ose mund të mbani po të njëjtin qëndrim, por jo nga posti që përfaqëson unitetin e kombit. Lutemi që Shpirti i Shenjtë t’ju ndriçojë mendjen që të ndreqni këtë gabim, në respekt të detyrës që mbani dhe dinjitetit të shenjtë të Kishës sonë Katolike”, – tha Sokol Lulgjuraj, kryetar i Këshillit të Kishës “Shën Piu X”. Që pas vendimit të Gjykatës së Lartë për prishjen e Kishës Katolike të Elbasanit, vendim ende i pazbardhur, për shkak të pronësisë ku ajo është ndërtuar, një sërë reagimesh kanë ardhur nga komunitetet fetare në vend dhe Presidenti i Republikës, për shkak të lidhjeve familjare që bashkëshortja e tij ka me pretenduesit e truallit. Më herët Famulltari i kishës katolike “Shen Piu X”, Don Emiglio Valente, tha se çdo ditë në mjediset e kishës kryhen aktivitete sportive, kulturore apo edukuese, në të cilat marrin pjesë qindra fëmijë. “Këtu vijnë përditë rreth 100-200 fëmijë dhe luajnë futboll, sporte të ndryshme. Gjatë verës këtu kemi kampe verorë për rreth 500 fëmijë nga Elbasani dhe periferi të ndryshme”, – tha famulltari.