Ervin Kaduku
– Kujt i ka paguar udhëtime e pjesëmarrje në Fam Tours drejtorja e Përgjithshme e AKT-së, me paratë e taksapaguesve shqiptarë?
– Kontrolli i Lartë i Shtetit: Pasi kemi rishikuar ligjin disa herë për mbulimin e shpenzimeve në rastet e tureve familjarizuese, rezervimi dhe kryerja e pagesave për bileta për shtetas të huaj nuk parashikohet në të
Në auditin e kryer në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, grupi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar, veç të tjerash, edhe një abuzim të theksuar në vendimmarrjen për prishjen e parave të taksapaguesve, me një mospërfillje totale ndaj kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Një prej këtyre shkeljeve është konstatuar në procesverbalin nr. 4 të auditit, ku konstatohet “Përdorim i paargumentuar i blerjes emergjente”.
Ndërkohë që Shqipëria lëngon me probleme të shumta ekonomike dhe sociale, ka nga ata zyrtarë shtetërorë që tallen me fondet publike, i shpërdorojnë ato sipas qejfeve e orekseve, madje duke u bërë ndere e qoka edhe qytetarëve të huaj, si ata amerikanë apo të vendeve të BE-së, që gëzojnë standarde jetese shumë herë më të larta se shumica e shqiptarëve të drobitur ekonomikisht.
I tillë është rasti i mëposhtëm i nxjerrë nga auditimi i KLSH-së në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, ku vërehet se:
“Nga auditimi i dokumentacionit përgatitor për procedurën dhe blerjen e biletave për 1 dhe 7 pjesëtarët e shoqatës ATTA, për aktivitetin parapërgatitor në maj dhe zhvillimin e tij me data 28-31 gusht në Shqipëri, rezulton se veprimi nuk është i mbështetur në ligjin nr. 9734, datë 14.5.2014 “Për Turizmin” i ndryshuar. Në asnjë nen të ligjit nuk parashikohet mbulimi i shpenzimeve nga AKT për pjesëmarrjen e personave të huaj, në aktivitete si Fam Tours, zhvilluar në Shqipëri. Kjo sqarohet fare mirë edhe në shkresën nr. 675 prot., datë 5.8.2014 të AKT për MZHUT, me lëndë kërkesë për dhënie informacioni lidhur me Adventure Week Western Balkans, ku shprehet: “Pasi kemi rishikuar ligjin disa herë, për mbulimin e shpenzimeve në rastet e tureve familjarizuese, rezervimi dhe kryerja e pagesave për bileta për shtetas të huaj nuk parashikohet në të…”
Pra, AKT e ka pasur të qartë se baza ligjore nuk e lejon veprimin, prandaj kryerja e pagesës për 8 biletat e pjesëtarëve me shtetësi joshqiptare (për 4 bileta nga Amerika në Shqipëri dhe kthim dhe 4 bileta nga vendet e Evropës e kthim sipas itinerareve), është veprim në kundërshtim me ligjin nr. 9734, datë 14.5.2007 i ndryshuar.
Shpenzimi i paargumentuar ligjërisht prej 1.239.910 lekë pa TVSH, përbën dëm ekonomik.
Për kryerjen e pagesës të pambështetur në bazën ligjore, mban përgjegjësi znj. Julinda Dhame, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit”.
Të përdorësh 1.239.910 lekë të reja për të kënaqur disa të huaj, kur ligji e ndalon një gjë të tillë, është me të vërtetë një tallje me taksat e qytetarëve shqiptarë…
Por është edhe më tallje që askush nuk po merret seriozisht me këto shpërdorime…
OSHEE: Edhe tri ditë për të përfituar nga zbritja e kamatave të energjisë
Që nga dhjetori, kur ka hyrë në zbatim skema lehtësuese e pagesave me këste dhe ulja e kamatës me 80%, kanë nënshkruar aktmarrëveshje 203.427 abonentë, deklaroi dje administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela. Sipas tij, 122.702 prej tyre kane përfituar nga ulja me 80% e kamatëvonesave, duke likuiduar shumën e plote të detyrimit menjëherë. Rreth 80 mijë abonentë kanë lidhur aktmarrëveshje për ta paguar me këste, nga të cilët 13 mijë, të klasifikuar në skemën e ndihmës ekonomike, kanë përfituar nga skema lehtësuese.
Vetëm në muajin shkurt, janë mbi 80 mijë aktmarrëveshje të lidhura. Në total, vlera e aktmarrëveshjeve të lidhura është diku rreth 37.8 miliardë lekë, ku 28 miliardë lekë u takojnë aktmarrëveshjeve për pagesat me këste, theksoi kreu i OSHEE.
OSHEE ka hapur mbi 50 pika dhe sportele të reja në të gjithë vendin, si dhe ka nënshkruar marrëveshje me shoqëri private të sigurta, ku mund të paguhet fatura e dritave. “Aktualisht kemi marrëveshje me 3 shoqëri, si me ato të pikave të transfertave të parave, por edhe me anë të celularit. Shumë shpejt do të bashkohen të tjera shoqëri, ku do t’u jepet mundësia të gjithëve ta paguajnë kudo që ndodhen”, – shtoi ai.
Çela saktësoi se që prej datës 12 shkurt, janë kryer 5.990 pagesa me anë të pikave të transfertave të parave dhe celularit, me vlerë 15.6 milionë lekë. Në tri ditët e fundit ka një rritje me 33% të fluksit të këtyre pagesave.
“Kanë mbetur edhe tri ditë mundësi t’iu përgjigjur apelit tonë të nisur në nëntor 2014, për pagesën me këste. Për ata që duan të paguajnë faturat, për të shmangur fluksin, t’i drejtohen postës, bankës si dhe pikave të transfertave të parave, të cilat ndodhen në çdo qytet të vendit”, – apeloi Adrian Çela.
Fillon rënia e të ardhurave fiskale, -3.3% në janar ndaj 2014-ës
Të ardhurat në buxhet kanë shënuar rënie me bazë vjetore, për herë të parë që kur e majta filloi të administronte Financat, pas ardhjes faktike në pushtet në shtator të vitit 2013. Sipas statistikave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave të mbledhura në buxhet për janarin 2015 ishte 26.38 miliardë lekë, 904 milionë lekë, apo 3.3%, më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të ardhurat nga grantet kanë rënë me 492 milionë lekë. Të ardhurat nga tatimet e doganat kanë pasur gjithashtu një rendiment negativ, duke qenë 454 milionë lekë, apo 2.7% më pak se janari i vitit 2014. Zëri që ka ndikuar më negativisht në këtë performancë ka qenë ai i tatim fitimit, ku janë mbledhur 614 milionë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, me një rënie prej 60%. Ndonëse tatim fitimi mblidhet mbi baza tremujore, e njëjta praktikë ka nisur që në janar të vitit të kaluar, ndaj të dhënat janë në bazë të njëjtë krahasimi. Kjo situatë duket se po reflekton situatën e vështirë të bizneseve shqiptare, që presin më pak fitime, ndërsa barra e tatim fitimit është rënduar në 15%, që nga janari 2014.
Ndërsa të ardhurat nga TVSH kanë vijuar me performancë pozitive, duke u rritur me 10%.
Edhe të ardhurat nga akciza kanë shënuar një rritje prej 10%, duke reflektuar më shumë politikën e rritjes së nivelit të tyre.
Rënie të fortë kanë shënuar dhe të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ishin 25% më pak se janari i një viti më parë.
Krahas TVSH-së, zë tjetër me ecuri pozitive ndër të ardhurat fiskale është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që është zgjeruar me 9.4%.
Kurse të ardhurat jotatimore kanë rënë me 9.4% në shkallë vjetore.
BB jep 1.1 mld USD borxh për 5 vjet
Banka Botërore jep për Shqipërinë një mbështetje financiare në total 1.1 miliardë dollarë. Deklaroi kështu në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave përfaqësuesja e Bankës
Botërore në Shqipëri, Tahsen Sayed.
Në periudhën 20152019, me ndihmën e Bankës Botërore janë parashikuar të zhvillohen në Shqipëri 15 projekte, mesatarisht nga 3 projekte në vit, tha ajo. Sayed ka prezantuar para deputetëve kuadrin e ri të partneritetit, që synon realizim të projekteve në 5 sektorë, të cilët duhet të japin impakt pozitiv në përmirësimin e situatës ekonomike.
Drafti i kuadrit të partneritetit të ri 5-vjeçar mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë do të diskutohet në mars dhe do të paraqitet për miratim para Bordit të Drejtorëve të BB në fund të muajit prill 2015.
Arrihet marrëveshja për interkonieksionin nën det
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe drejtuesit e kompanisë gjermane Max Streicher nënshkruan dje në Mynih një Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e një konsorciumi, që do të realizojë ndërtimin e Linjës së Interkonieksionit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë. Kompania bavareze, që operon në fushën e energjisë, do të jetë lideri kryesor i këtij konsorciumi. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe do të bëjë të mundur financimin e linjës, me investitorë të tjerë që do t’i bashkohen këtij projekti ndërkufitar, me një rëndësi të veçantë për korridorin e energjisë në Evropën Juglindore.
Realizimi i këtij projekti hap mundësi të mëdha për investime të mëtejshme në sektorin e energjisë në Shqipëri, sidomos në sektorin e prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Kompania Max Streicher është një nga liderët gjermanë në ndërtimin e infrastrukturës energjetike. Investimi i kësaj linje interkonieksioni mund të kapë një vlerë mbi 200 milionë euro.
Ky projekt shihet me shumë interes nga Bashkimi Evropian, pasi i shërben sigurisë energjetike, dhe integron rajonin e Evropës Juglindore në tregun evropian të energjisë.
Shqipëria nuk do të monitorohet për pastrime parash
Republika e Shqipërisë nuk do të jetë më pjesë e grupit të vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Kështu deklarohet në përfundimet e raportit të grupit Onsite Team të ICRG. Raporti, i cili është diskutuar dhe miratuar në seancën e radhës të ICRG në Paris, në datat 24-25 shkurt, pasqyron rezultatet në përfundim të një pune gati njëvjeçare. Shqipëria është vendi që ka plotësuar të gjitha mangësitë e raportuara në vite nga FATF (Financial Action Task Force), që monitoron zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në botë. Shtetet anëtare të këtij grupi kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga Shqipëria në këtë drejtim.
Sipas raportit, Shqipëria ka adresuar artikujt në planin e veprimit dhe se “zbatimi ka filluar dhe është duke u mbështetur nga qeveria”, përfaqësuesit e së cilës, sipas të njëjtit burim, “treguan një angazhim të fortë për detyrat e tyre në sektorin ligjor dhe financiar, duke reflektuar njohuri të thella dhe vetëdije të fortë në zbatim të detyrave të lëna”.
Vlerësimi është dhënë nga Guida Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, Task-Forca për Aksionin Financiar, që janë të dyja organizata botërore të cilat bëjnë analizën e shteteve në këtë drejtim.
Miratohen rregullat e reja për koncesionet
Agjencia e Prokurimeve Publike ka miratuar setin e ri të dokumenteve, që i hap rrugën sistemit të ri të koncesionit me partneritet publik-privat. Pas këtij hapi, qeveria ka rrugën e lirë për të kontraktuar me këtë formë Rrugën e Arbrit.
Qeveria ka programuar të japë rreth 65 koncesione këtë formë që nga ky vit, ndaj dokumentacioni i ri legjitimon dhënien e tyre. Sipas këtyre dokumenteve projekt koncesionari është propozimi i pakërkuar i miratuar nga Autoriteti Kontraktues. Kështu “Ftesa për Ofertë” për këtë lloj koncesioni i adresohet të gjithë subjekteve juridike ose bashkimeve të tyre, që kanë për qëllim të marrin pjesë në këtë procedurë konkurruese përzgjedhjeje.
Ofertuesi Fitues duhet të përballoje shpenzimet që lidhen me përgatitjen dhe dorëzimin ofertës së tij si dhe çdo shpenzim tjetër ashtu siç parashikohet në këto dokumente në përputhje me nenin 25 dhe nenin 29 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
Si pjesë e ofertës së tij teknike, ofertuesi duhet të paraqesë Sigurimin e Ofertës, ku kërkohet deri në vlerën 2% të vlerës së projektit të propozuar nga ofertuesi.
Kartëmonedha të reja 20-euroshe kundër falsifikimit
Banka Qendrore Evropiane ka vendosur të hedhë në treg një prerje të re të kartëmonedhës 20 euro dhe shkak është bërë falsifikimi masiv që i është kësaj prerjeje. Sipas studimeve të BQE-së bazuar në raportet e strukturave të sigurisë në Evropë, kartëmonedha 20 euro është prerja që falsifikohet më shumë dhe lehtësisht.
Duke i shtuar elementë të rinj sigurie, BQE-ja do të hedhë në treg më 15 nëntor të këtij viti prerjen e re, ndërkohë do të tërheqë atë të vjetrën. Në prerjen e re janë shtuar elementet e sigurisë, pasi hetimet e policive evropiane dhe antikrimit ekonomik kanë treguar se kjo është prerja më e falsifikuar në treg.
Prerjet prej 20 eurosh janë të tretat që u nënshtrohen ndryshimeve. Më herët ndryshime kanë pësuar prerjet 5 dhe 10, të emetuara respektivisht në maj të 2013 dhe shtator të 2014.
BQE-ja njoftoi se edhe prerjeve 50, 100, 200 dhe 500 euro do t’u shtohen elementë sigurie në të ardhmen.