Operacioni i policisë, pas vendimit të gjykatës. Pranga familjarëve të familjes Gjuta. Vladimir Gjuta njihet si person me precedent penal
Një operacion i befasishëm i Policisë së Shtetit vuri në pranga 7 persona, të dyshuar për ngjarjet e fundit të vendosjes së tritolit në kryeqytet. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtatë persona, të cilët dyshohen se kanë lidhje me shpërthimet me tritol. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se masa e arrestit ndaj këtyre personave është ekzekutuar ditën e djeshme nga ana e Policisë së Shtetit. Në pranga e policisë, prokuroria bën me dije se kanë rënë Lumjan Matmuja, 27 vjeç; Ernest Gjuta, 24 vjeç; Kamber Bruka, 31 vjeç; Erjon Dule, 33 vjeç dhe Emirjon Gjuta, 24 vjeç (ky person gjendej deri ditën e mërkurë nën masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat, i dyshuar fillimisht për veprën penale të “veprimeve që pengojnë hetimin). Ndërsa, burime të prokurorisë bën me dije se janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka. Ndërkohë, burime nga policia kanë bërë me dije se njëkohësisht janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, dy prej tyre edhe të afërmit e Emirjon Gjutës. Dy të shoqëruarit Pajtim dhe Muhedin Gjuta pas disa orësh mësohet se janë lënë të lirë nga policia.
Hetimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije se nga hetimet e deritanishme rezulton se këta persona tashmë të arrestuar, në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusëve në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Burime zyrtare nga prokuroria kanë bërë me dije se në vijim të hetimeve të nisura në bazë të materialit të referuar dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol ose të mbetura në tentativë, ngjarje të ndodhura në datë 10 shkurt 2015 në Tiranë. Në bazë të akteve procedurale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar se të paktën 7 persona, dyshohet se kanë rol në këto veprime, të cilësuara në Kodin Penal Shqiptar si “Veprime me qëllime terroriste”. Prokuroria Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë kryer veprime intensive që në momentin e ndodhjes së ngjarjeve për të zbuluar autorët. Pak ditë më parë, edhe Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, u shpreh gjatë një takimi në Shkodër se “Prokuroria, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese po punojnë dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete”. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se më datë 25 shkurt 2015 (e mërkurë), Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 230, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal, për 7 personat, pesë të arrestuar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim policor.
Shoqërohen e më pas lirohen 2 të dyshuar nga familja Gjuta, familja: Policia na terrorizoi
Teksa janë arrestuar 5 persona si të dyshuar për përfshirjen e shpërthimeve me tritol në kryeqytet, mësohet se janë shoqëruar për llogari të prokurorisë edhe Pajtim dhe Muhedin Gjuta. Ata janë të afërm të Emirjon Gjutës, i arrestuar nga policia për pengimin e zbulimit të vërtetës në lidhje me shpërthimet me tritol. Ndërkohë, pas rreth 12 orëve Pajtim dhe Muhamed Gjuta janë lënë të lirë. Sakaq, babai i Pajtim Gjutës dhe vëllai i Muhamed Gjutës pohon për media se në momentin e ndalimit të tyre policia terrorizoi të gjithë familjen. Ai thotë se policia është sjellë në mënyrë barbare dhe se nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyen e arrestimit të tyre. “Arrestimi është bërë në mënyrë barbare, na terrorizuan. Kishin hedhur ilaç në shtëpi, erdhën me qen. Kanë marrë aparate celulare. Më thanë se kemi urdhër nga Prokuroria, por nuk dhanë asnjë sqarim. Erdhën në mënyrë barbare, i thashë pse kështu se as serbi nuk e bën këtë. Nga terrori m’u sëmur nëna dhe e çova në urgjencë. E gjithë familja u terrorizua”, – është shprehur Selam Gjuta.
“Banda e tritolit”, shtyhet dëshmia e ish-prefektit Besnik Dervishi
Ish-prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, nuk ka mundur të japë dëshminë e tij ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj “bandës së tritolit”, pasi është bërë pengesë mungesa e avokatit të një prej të pandehurve për të shtyrë procesin gjyqësor. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se ish-prefekti i qytetit bregdetar të Vlorës, Besnik Dervishi, ishte thirrur prej tyre si dëshmitar, ndërsa në gjyq ai do të ishte për herë të parë përballë me Julian Sinanajn që dyshohet se vendosi tritolin në automjetin e tij vitin e shkuar dhe Andon Mëhillajt e Marjon Mitros, të cilët janë të dyshuar si porositës të atentatit ndaj tij. Sipas burimeve mësohet se në seancën e 13-të ndaj bandës së tritolit ka munguar avokati Ardian Leka, avokati i biznesmenit Ilir Karçini, i cili këtë të enjte ka mbrojtur në Gjykatën e Vlorës kryebashkiakun Shpëtim Gjika e për këtë shkak gjykata vendosi shtyrjen e seancës tek Krimet e Rënda, duke bërë që të mos merren dëshmitë e personave që ishin thirrur nga ana e organit të akuzës.
Vlorë, arrestohet 20-vjeçari, tentoi të korruptonte policin e rrugores
Policia e qytetit bregdetar të Vlorës ka arrestuar një 20-vjeçar nën akuzën e korrupsionit aktiv, pasi i ka premtuar një shumë parash një oficeri të Policisë Rrugore në këtë qytet. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se në pranga ka rënë 20-vjeçari Alfred Dushku, pasi ka rezultuar se i ka premtuar t’i japë një sasi të konsiderueshme parash punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative, pasi është kapur duke drejtuar mjetin tip motor “Dayang” me targa CAA155, pa dokumentacionin ligjor dhe pa kaskën mbrojtëse. Menjëherë pas këtyre veprimeve uniformat blu e kanë vënë në pranga të riun në akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Çështja i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Vlorës e cila do të ngrejë ndaj 20-vjeçarit Alfred Dushku akuzën për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa vijon operacioni i policisë për parandalimin e rasteve të tilla.
Motori përplaset me bordurën, plagoset rëndë i riu
Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik me motor në qendër të Tiranës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të djeshëm në sheshin “Nënë Tereza”, ku si pasojë e shpejtësisë motori ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën, duke lënë të plagosur drejtuesin Avdjon A., 22 vjeç. Menjëherë i riu është dërguar me urgjencë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, për të marrë shërbimin e menjëhershëm mjekësor. Sipas mjekëve, mësohet se i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por me dëmtime të shumta trupore. Forca të shumta të Policisë së Tiranës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit të rëndë automobilistik. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja është njoftuar nga kalimtarët e rastit. Materialet për këtë ngjarje iu referuar Prokurorisë së Tiranës për vazhdime të mëtejshme procedurale.