Erneta Shevroja
Ristani: Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të Partisë Socialiste që e drejtojnë sot Policinë
Partia Demokratike i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të heqë Saimir Tahirin nga Ministria e Brendshme, me arsyetimin se ministri nuk ushtron detyrën siç duhet dhe gënjen publikisht për një sërë çështjesh. Ky ishte reagimi pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i bëri në një prej kanaleve televizive, ku u shpreh se sot Shqipëria është më e sigurt krahasuar me vitet e kaluara. Një pikë tjetër, të cilën e theksoi sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ishte edhe deklarata e Tahirit lidhur me anëtarësimin e vendit në Europol, rrjet që merret me investigime të krimeve. “Është e mjaftueshme, besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i partisë demokratike.
Ristani
Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që i bëri gjatë në një interviste në një prej televizioneve mbrëmjen e së enjtes. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, nga selia blu deklaroi se Tahiri gënjeu në disa pika, ku njëra prej të cilave ishte se vendi sot është më i sigurt se në të kaluarën. “Ministri i Brendshëm u shfaq para publikut, ndërkohë që Shqipëria është sot, më e pasigurtë se asnjëherë më parë. Bilancit të rënduar të krimeve, grabitjeve e tritolit, ministri i shtoi edhe një seri gënjeshtrash skandaloze”, – tha Ristani duke i përmendur, sipas tij, gënjeshtrat një nga një. Sekretari i përgjithshëm i PD-së tha se Tahiri gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, se nuk ka lidhje me Shullazin dhe fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së kokainës në Elbasan. “Gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet po bëjnë kërdinë. Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin. Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë”, – u shpreh Ristani nga selia blu, ndërsa citoi raportin e progresit të Bashkimit Evropian dhe atë të Departamentit të Shtetit. “Është e qartë si drita e diellit, në progres-raportin e Bashkimit Evropian dhe atë të Departamentit të Shtetit, se këto aksione janë sot më të pakta se më parë”, – u shpreh sekretari i përgjithshëm i PD-së.
Europoli
Një tjetër gënjeshtër që renditi Ristani ishte deklarata e ministrit të Brendshëm se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në rrjetin për investigimin e krimeve të Europol. Ristani saktësoi se vendet që mund të anëtarësohen në Europol, janë vetëm vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian. “Gënjeu publikisht kur tha se ai paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol. ‘Gënjeshtër me bisht’, thotë populli. Anëtarë me të drejta të plota në Europol janë vetëm vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Mes fantazisë e mashtrimit përgjatë 3 orëve intervistë, kjo ishte e pavërteta më lapidare e Tahirit, anëtarësimi i Shqipërisë në Europol, prej atij vetë”, – vijoi numri dy i Partisë Demokratike.
Dorëheqja
Nisur nga sa tha më sipër, Ristani tha se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duhet të japë dorëheqje për gënjeshtrat që tha. “Tahiri përsëriti shpesh një shprehje: se ai mban përgjegjësi për atë që thotë, por mashtroi publikisht me deklarata të rreme”, – tha Ristani. “Kjo shkallë mashtrimi tregon se për Tahirin dhe qeverinë kjo është kthyer në normë dhe ata janë tashmë tërësisht të pabesueshëm”, – vijoi sekretari i përgjithshëm i PD-së. Ristani tha se Tahiri duhet të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit që “do të thotë të japësh dorëheqjen”. “Nëse i ka mbetur pak dinjitet, le ta nisë, duke mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit. Të mbash përgjegjësi, do të thotë të japësh dorëheqjen. Partia Demokratike i kërkon ministrit ta mbajë dhe ta ushtrojë këtë përgjegjësi. Kjo është e mjaftueshme besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë Ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë”, – deklaroi Ristani. Numri dy i PD-së përmendi edhe pyetjet, të cilave ministri i Brendshëm nuk u dha përgjigje. “Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të Partisë Socialiste që e drejtojnë sot Policinë”, – u shpreh arben Ristani.
PD: Kokëdhima të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private
Partia Demokratike i kërkoi deputetit socialist, Koço Kokëdhima, që të heqë dorë nga aksionet e tij në kompani private që i mundësojnë përfitime monetare nga fonde nga buxheti i shtetit. “Koço Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet, duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private. Pra, Kushtetuta e detyronte të mos përfitonte më asnjë qindarkë”, – u shpreh dje deputeti i PD-së, Gent Strazimiri nga Kryesia e Kuvendit. Ai vijoi duke cituar Kushtetutën që nuk lejon që një deputet të përfitojnë nga buxheti i shtetit. “Neni 70 i Kushtetutës qartësisht e detyron deputetin Koço Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionerit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën. Pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”, – tha Strazimiri. PD-ja edhe një herë i kërkoi kryetarit të Kuvendit që ta shqyrtojë kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima për vijimin e hapit tjetër: dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.