Përse kemi gjithnjë e më pak para në xhep?

0
256

Artan FUGA

Artan FUGAQytetari i zakonshëm, ai masiv, ka përjetimin se ka më pak lekë sesa më përpara në xhep. Nuk është thjesht një përjetim, por e ndien se është i detyruar ta mbajë dorën për të blerë si më parë, është i detyruar të heqë dorë nga shumë shërbime dhe dëfrime dhe ndien se ka më shumë vështirësi për ta mbyllur muajin pa borxhe, pa hyrë në listat e tregtarëve si klient që nuk ka paguar mallin e marrë, pra për pasojë ka një ankth më të madh për sigurinë e jetës në planin ekonomik.

Analiza e të gjithë faktorëve që çojnë në gjendjen psikologjike kolektive të mësipërme, por edhe në atë gjendje reale objektive që njohim, do të na shpjegonte se përse përtej iluzioneve të dy a tre brezave të fundit, aktualisht kemi arritur në një pikë ku rripi duket më i shtrënguar.

Si përfundoi kështu ëndrra dhe iluzioni i fillimit të viteve `90, kur brezi i atëhershëm i ri ose i mesëm e lidhte demokratizimin me mirëqenien dhe bollëkun, hapjen drejt Evropës me bollëkun, duke arritur në një pikë ku stresi dhe pakënaqësia sociale ndaj gjendjes ekonomike kanë ardhur nga viti në vit përgjatë këtyre dy a tri dekadave duke u rritur?

Çfarë ka ndodhur në fakt?

Më së pari, ikën të gjitha iluzionet se kapitalizmi, aq më pak ai shqiptar, mund të jetë një sistem ekonomik ku fitimi personal i individëve që bëjnë pjesë në masën e gjerë të popullsisë është i lehtë, sigurohet me rrugë të lehta apo vjen vetiu me prurje e flukse të mëdha.

Në dekadën e parë kjo mendësi ekzistonte. Prova për këtë është futja e shqiptarëve në vorbullën dhe merimangën e firmave financiare piramidale ku duke vendosur një kapital të caktuar, pretendonin, dhe ranë pre e gënjeshtrës të madhe, se fitimi do të sillte interesa që në çdo tremujor do të ishin dy a tri herë më të mëdha sesa kapitali i vendosur fillimisht. Por ata muaj që zgjati ky mekanizëm mashtrimi, prodhuan shumë iluzione dhe shpresa të gënjeshtra meqë klientët e parë të piramidave nisën të kishin shumë parà në duar. Më pas dihet se çfarë ndodhi. Por, fillimisht, fitimet e lehta nuk vinin vetëm nga këto skema mashtrimi, por edhe nga trafikimet e shumta të produkteve të ndaluara. Pak tregti nafte me Serbinë, ndërkohë që Perëndimi kishte vendosur embargo, kjo bëri të lulëzonin për pak kohë disa fshatra e zona veriore nën pasojat që sillte tregtia ilegale e naftës me Serbinë. Më pas tregtia e armëve, e trafiqeve të lëndëve narkotike.

Të gjithë këta mekanizma të fitimit të lehtë dhe ilegal nuk është se janë zhdukur, faktet tregojnë të kundërtën, shpeshherë edhe rigjallërohen, por gjithsesi ato kanë një presion ndërkombëtar për t’u rrudhur dhe, mbi të gjitha, edhe nëse ekzistojnë, nuk sjellin fitime më për shtresa të gjera të popullsisë, por për qarqe të mbyllur e të zgjedhur përfituesish.

Pas piramidave financiare të mesit të viteve ’90, u ripërsërit fenomeni i parasë të fituar lehtë, në kuptimin e një paraje te fituar në rrugë të paligjshme edhe me mbjelljen e bimëve narkotike në shumë zona të vendit. Por, edhe ky burim të ardhurash nuk mund të vazhdonte më gjatë, sipas meje, pas presionit të faktorëve të jashtëm.

Sidoqoftë tri procese:

Piramidat financiare,

Kontrabanda e naftës me Serbinë,

Mbjellja e bimëve narkotike,

ishin tregues se shtresa të gjera popullore kishin dëshirën dhe ndofta pjesërisht edhe detyrimin për të hyrë në një ekonomi të zezë, të paligjshme, me fitim të shpejtë, pa pyetur as për vlera morale, ose qytetare, dhe pa pyetur se fitimet e marra do të kishin pasoja shoqërore, morale dhe politike shumë të dëmshme.

   Ndërkohë, në vitet `90 pati edhe disa faktorë të tjerë që do t’i quaja “inercialë”, të cilët vinin me prejardhje nga shoqëria e mëparshme, që u rivlerësuan në kushtet e tranzicionit demokratik dhe krijuan burime të ardhurash masive, por që tashmë janë shterur dhe rubineti është mbyllur.

Mund të numërohen shumë prej tyre dhe efekti i tyre është shpallur si burim mirëqenieje. Ndërkohë, po ta shohësh nga afër nuk është aspak se është një burim i ri mirëqenieje që krijon nga e para, jo, është një parà që vjen për “inerci”. Kjo parà, edhe ajo, ka mbaruar pothuajse dhe është shterur.

Këtu numërojmë dyqanet që përvetësuan shitësit apo pasuritë e ndërmarrjeve që u privatizuan pa asnjë kriter, duke shkuar në duart e disa personave. Shtresa të caktuara kujtuan se ashtu si u ra kjo pasuri në duar ashtu do të vazhdonte jeta e tyre, kapitalizmi do t’u bënte dhurata. Në po atë mënyrë ish-kooperativisti mori tokën bujqësore që sot mezi e ushqen. Por, atëherë iu duk se u pasurua. Qytetari privatizoi apartamentin dhe iu duke se u pasurua pavarësisht se tani pas 25 vitesh e sheh të vjetruar, nuk ka lekë ta mirëmbajë fasadat pallatit në rrënim dhe me një brez të ri në kurriz që nuk ka se ku gjen mundësi të blejë shtëpi, në kushtet e çmimeve shumë të larta të tregut. Të ardhurit zaptuan tokat dhe u ndien të pasuruar e matën se e përmirësuan mirëqenien e tyre duke ndërtuar shtëpitë në tokat e marra. Ishte e vërtetë, por tani, ky hap pasi u bë, nuk gjeneron më pasuri. Janë pasuri që nuk gjenerojnë pasuri dhe një pasuri që nuk gjeneron pasuri të tjera e fut vendin në një shterim burimesh financiare.

Në këtë vorbull nuk hyri vetë individi, por edhe shteti, vetë fuqia publike. Duke privatizuar banka, toka, ndërtesa, ndërmarrje, sektorë të ekonomisë, shteti ushqente buxhetin e tij dhe shpërndante një pjesë të tij për rroga dhe shërbime sociale publike. Sa më nevojtar ishte për burime financiare, aq më shumë ishte i detyruar të privatizonte, dhe sa më shumë privatizonte aq më pak kishte burime të tija për të prodhuar parà. Derisa ku arrijmë në ditët tona, ku shteti nuk ka më mundësi manovrimi për privatizime ose ka shumë pak.

Një tjetër element që meriton të përmendet është fakti që edhe burimet e jashtme të financimit të ekonomisë shqiptare kanë ardhur duke u rrudhur.

Kjo, edhe sepse burimet e financimit të saj në kohë të ndryshme nuk u panë si mundësi për të krijuar burime autonome rigjenerimi të masës financiare të monedhës shqiptare, por u trajtuan si miniera floriri që duhesh konsumuar aty për aty pa menduar më gjatë.

U duk se rruga e marrjes së borxheve nga jashtë do të ishte një proces i lehtë. Tani ka ardhur puna që duhen paguar interesat e borxheve dhe kjo bën që situata ekonomike të rëndohet, që buxheti i shtetit të kërkojë të mbledhë sa më shumë taksa, që shërbimet sociale të shkurtohen gjithnjë e më tepër. Paraja me bollëk që hynte si hua, jo vetëm është e pamundur tanimë, me krizën financiare planetare, por edhe duhen paguar borxhet, pra duhet shlyer “mëkati” i bërë më parë. Nuk ka ndonjë vështirësi për të kuptuar që ardhja e brezit të dytë të emigrantëve në vendet ku kishin emigruar prindërit shqiptarë, i uli shumë remitancat. Emigranti ka nevojë për parà atje ku është dhe nuk ka më mundësi, tani që ka familjen e tij, në kushtet e vështirësive financiare aktuale, të dërgojë si më parë parà në atdhe.

Pa folur për ndihmat ekonomike që vinin nga burime financiare për shoqata e fondacione të cilat janë rrudhur shumê.

Ndërkohë, jeta ka ardhur duke u shtrenjtësuar dhe tanimë për shërbimet bazë duhen shumë më tepër parà sesa më parë.

Kjo vjen për disa arsye. Është rritur pabarazia në të ardhura dhe kushte jetese. Krahas popullsisë me të ardhura të pakta ose shumë të pakta, ekziston edhe një shtresë njerëzish që ka grumbulluar pasuri dhe që e manifeston këtë me vila, vetura, veshje, mënyra sjelljeje e mundësi të tëra. Sidomos brezi i ri përballë këtyre shtresave të fundit ndihet jo fort mirë dhe i privuar nga të mira, sidomos kur dihet se ndër shqiptarët ideja e barazisë është e theksuar. Virtualisht, duke parë ata që kanë, shtresat e gjera të popullsisë kërkojnë diçka më shumë, nevojat rriten edhe artificialisht, pra jo në përputhje me mundësitë financiare, dhe mungesa e të ardhurave bëhet më e ndjeshme.

Disa shërbime që më parë as mund të hamendësoheshin, sot janë bërë pjesë e jetës dhe vendosin edhe më shumë në dukje mungesën e të ardhurave. Dikur mund të jetoje edhe pa telefon fiks në familje, kurse sot shqiptari e ka të pamundur ta imagjinojë veten e tij pa një telefon celular. Dikur nuk ishte e domosdoshme të mendohej për të pasur akses në informacionin planetar, kurse sot familja kërkon të jetë e lidhur në internet. Një fjalë goje, por kjo lidhje kërkon investime për kompjuter, abonime etj.

Janë dobësuar lidhjet sociale dhe kjo e ka bërë jetën më të shtrenjtë. Dikur, sidomos në zonat rurale ose qytetet e vogla shumë shërbime bëheshin edhe brenda rrethit shoqëror. Ndofta edhe pa pagesë. Por, sot, mbledhur në disa qytete kryesore, është vështirë që solidariteti shoqëror të zëvendësojë paranë në mjaft shërbime jetësore ose shumë të rëndësishme. Nuk e njeh më njeriu njeriun. Fëmija që shkon në qytet për studime kërkon parà për qiranë e dhomës dhe nuk mund të qëndrojë më te halla a te daja si më parë. Duhen parà për avokatin sa herë njeriu ka një hall prone a një gjyq. Kush i mat sa parà duan për një intervenim kirurgjikal a një kurim? Jeta është bërë më e shtrenjtë, sepse është paraja tanimë që duhet të zëvendësojë lidhjet sociale që dikur mbështesnin individin.

Ndërkaq, me përqendrimin e pasurive, hapja e një vendi pune në një sipërmarrje apo në një biznes të vogël familjar është bërë gjithnjë e më e kushtueshme.

Kjo rrit papunësinë, ndërkohë që biznesi i vogël e ka gjithnjë e më të pamundur të qëndrojë në këmbë përballë atij të mesëm ose të madh. Çfarë mund të bëjnë, për shembull, shitoret e vogla, disa në një rrugë, përballë marketit të madh përballë?

 

Cili është përfundimi?

Rritjet ekonomike në këto dy dekada më shumë kanë pasur si burim faktorë që nuk lidhen me funksionimin krijues të sistemit ekonomik të vendit sesa me faktorë jashtëligjorë, ilegalë, atipikë ose të ardhur nga mekanizma inercialë të trashëguar nga e kaluara apo si rezultat i disa politikave shpërndarëse të aseteve ekonomike të dikurshme, pa strategji afatgjatë zhvillimi, ose si rezultat i faktorëve socialë.

Nga koha në kohë ekonomia shqiptare ka marrë spunto nga këta faktorë, por jo nga zhvillimi i saj i brendshëm dhe nga gjenerimi i brendshëm i burimeve të mjaftueshme materiale.

Në këtë mënyrë ajo ka arritur edhe të menaxhojë politikisht opinionit publik që është luhatur në funksion të prurjeve në burime financiare, gjithmonë të panatyrshme dhe jo të qëndrueshme dhe të tharjes të këtyre burimeve, duke e lëkundur balancën politike sa nga njëra anë e peshores politike në tjetrën.

Dhe sa më shumë kohë ka kaluar aq më shumë janë tharë këto burime financiare me veprim afatshkurtër, janë degraduar ato, pa arritur dot të krijojë mekanizma të mjaftueshëm zhvillmi. Politikat elektoraliste janë shkatërrimtare për zhvillimin e gjatë të ekonomisë. Ato janë gjithmonë afatshkurtra, çka e dëmton rëndë zhvillimin strategjik të ekonomisë dhe mbi të gjitha kanë prirjen për të qenë gjithmonë politika shpërndarëse dh jo akumuluese në funksion të marrjes ose të blerjes të votës të elektoratit.

Ne sot ndodhemi në një pikë të ulët prurjesh financiare, edhe si rezultat i shterimit të burimeve financiare me veprim të shkurtër, edhe sepse disa prirje normativizimi dhe rregullarizimi, paradoksalisht, duke mbyllur aktivitete ilegale, e përkeqësojnë gjendjen ekonomike, sa kohë që ekonomia nuk arrin të krijojë burime të reja.

Është koha ta mendojmë ekonominë shqiptare se ka qenë si një shpellë Alibabai që e kemi plaçkitur me gjithçka kemi pasur mundësi, ndërkohë që duhet ta kthejmë në një vresht a një arë që prodhon me djersën tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency