Vizita në Rumani/ Marrëveshje për njohjen e pensioneve, përfitojnë 5 mijë shqiptarë. Rama: Njihni Kosovën

0
156

Gëzim Saliu

 rama me ponten konferencePonta: Ekspertizë dhe mbështetje për integrimin evropian të Shqipërisë, plane bashkëpunimi në energjetikë

Rumania dhe Shqipëria lidhin një marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen sociale nga e cila do të përfitojnë rreth 5 mijë qytetarë shqiptarë. Marrëveshja u lidh në kuadër të vizitës që Kryeministri Rama zhvilloi dje në Bukuresht ku shoqërohej nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, kreu i grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i grupit Taulant Balla. Marrëveshja e mbrojtjes sociale bën të mundur njohjen e viteve të siguruara të pensionit për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Rumani. Gjithashtu, nga zbatimi i marrëveshjes përfitojnë edhe shtetasit rumunë, të cilët vijnë në Shqipëri për të punuar. Përfitimet kanë të bëjnë me përfitimet në të holla në rast sëmundjeje apo aksidente në punë nga skema e sigurimeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor.

 

Konferenca Rama-Ponta

Pas takimit të zhvilluar, Kryeministri Rama dhe homologu i tij Ponta dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku nënvizuan rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare nuk nguroi të kërkonte nga Rumania njohjen e shtetit të Kosovës si një çështje që rrit sigurinë në rajon e më gjerë. “E fundit, jo për nga rëndësia, kërkesa ime e përsëritur dhe urimi im që Rumania ta njohë Kosovën dhe t’i japë mundësi Kosovës që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere që tanimë e kanë njohur Kosovën. Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nga Rumania dhe nga vendet e tjera evropiane nuk është më një çështje bilaterale, por është një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët evropiane dhe e fuqizimit të lidhjeve në këtë hapësirë, për të mos lejuar që të tjera forca të mund të influencojnë duke përfituar nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi”, – tha Rama. Ndonëse për këtë çështje nuk pati një përgjigje nga kryeministri Ponta, ky i fundit theksoi se Rumani do ti ofrojë Shqipërisë ekspertizën dhe mbështetjen për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Në fakt, një nga temat kryesore të diskutimeve me zotin Kryeministër të Shqipërisë është pikërisht ekspertiza dhe mbështetja që Rumania përgatit në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë. Edhe për vendet e tjera fqinje dhe mike të rajonit, të cilat ende nuk janë integruara në Bashkimin Evropian, qëndrimi i Rumanisë është ai që ka qenë, qëndrimi i duhur dhe korrekt”, – pohoi ai. Në këtë kontekst, kryeministri Rama theksoi: “I jam mirënjohës Kryeministrit për gatishmërinë, për të na mbështetur menjëherë në projektin tonë të përbashkët me Komisionin Evropian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh në ministritë dhe agjencitë tona që do të na këshillojnë dhe ndihmojnë në procesin e integrimit dhe posaçërisht në përgatitjen për procesin e negociatave në Bashkimin Evropian”. Ndërkaq kreu i qeverisë rumune bëri të ditur se dy vendet do të bashkëpunojnë edhe në fushën e energjetikës. “Përveç mbështetjes që Rumania u ofron të gjithave vendeve për aderim në Bashkimin Evropian, kemi diskutuar për probleme konkrete, sidomos në fushën e energjetikës. Rumania ka një mbishtesë të prodhimit të energjisë elektrike, shkak për të cilën Shqipëria mund të përfitojë nga kjo gjë dhe duhen gjetur mundësitë kontraktuese me Shqipërinë në fushën e energjetikës. Gjithashtu sa i takon forumit tregtar që është hapur në Tiranë, ne vendosëm intensifikimin e aktivitetit të këtij forumi”, – u shpreh Kryeministri rumun.

 

 Në Kosovë/ Bushati me krerët e shtetit për mbledhjen e përbashkët të 23 marsit në Shqipëri: Jemi në sinkron

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Kosovë ku pati takime me drejtuesit më të lartë të shtetit. Në këto takime vëmendja është përqendruar tek përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të qeverisë në 23 mars në Shqipëri, ku është nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit të thelluar mes dy vendeve. “Nga mbledhja e përbashkët e karakterit historik, siç e quajtët ju, ne po shkojmë drejt një raporti të përditshëm praktik. Së pari, në rast se do i referohemi në fushën e bashkëpunimit të politikës së jashtme çështjes së sigurisë, Shqipëria dhe Kosova janë në sinkroni të plotë, duke linjëzuar qëndrimet e tyre me ato të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, – theksoi ministri Bushati. Po ashtu kjo çështje ishte temë kryesore e diskutimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ku u diskutuan hapat që do ndërmerren drejt mbledhjes së dytë të përbashkët ndërmjet dy qeverive. “Falë edhe asaj qasjes së bashkëpunimit strategjik dhe sinkronizimit të veprimeve tona me kënaqësi konstatojmë se Kosova është më pjesëmarrëse në nismat apo platformat e rëndësishme rajonale, sikundër që Kosova ka një numër më solid njohjesh dhe pjesëmarrjesh në institucionet ndërkombëtare”, – theksoi Bushati. Në vazhdim të vizitës zyrtare, kryediplomati shqiptar,u prit në takim të veçantë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e më pas u prit nga Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga. Ndërkohë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kryeministri kosovar Mustafa kërkoi nga ministrat që të përshpejtohen përgatitjet për mbledhjen e përbashkët që qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.