Erneta Shevroja
“Ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit”
Kryeministri Edi Rama, i ndodhur në Bukuresht të Rumanisë, deklaroi se bashkimi Evropian duhet të marrë në mbrojtje vendet e Ballkanit, pasi as këto nuk janë përjashtuar nga rreziku i sulmeve terroriste të ISIS-it. “Ballkani ka një diversitet fetar dhe futja e ekstremistëve është rrezik i madh për vendet e Ballkanit”. Me këtë arsyetim, Rama u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit për të qenë të mbrojtura nga rreziku i shfaqjes së ekstremizmit fetar. Kryeministri nuk ka përjashtuar edhe faktin se ekstremizmi islam mund të kthehet edhe në një lëvizje nacionaliste fetare brenda Ballkanit.
Ekstremizmi
Në Bukuresht, Rama ka paraqitur edhe pikëpamjet e tij për Evropën dhe rëndësinë e saj. Ai propozoi që BE të mos jetë shumë teknike sa i përket anëtarësimit brenda saj, por të tregohet më shumë strategjike, duke parë edhe zhvillimet negative në botë. Ekstremizmi është një fenomen që kërcënon shtetet që nuk janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian që mund të shërbente si mbrojtëse që vendet të mos preken nga ai që e quajti Shtet Islamik. “Sfida jonë ka qenë dhe mbetet që ta jetojmë këtë realitet jo si një problem, por si një mundësi për të bashkëjetuar me të tjerët, pa i ndier kufijtë si pengesë. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga ajo që po ndodh në zonat ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik, që përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam”, – u shpreh Rama në Bukuresht. “Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Evropën dhe për Bashkimin Evropian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marrë në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit”, – vijoi ai. Sipas Ramës, ekstremizmi islam mund të gjejë rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit. “Sepse, nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot. Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE-së për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda”, – tha Rama.
“Kurban” përkthehet në rumanisht
Në Bukuresht, gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama, u prezantua për publikun rumun libri “Kurban”, i përkthyer në rumanisht. Ceremonia e promovimit u zhvillua në praninë e Kryeministrit Victor Ponta dhe personaliteteve rumune të fushës së letrave.
Bukureshti nderon Ramën me titullin “Doctor Honoris Causa”
Kryeministri Edi Rama u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Akademia e Arteve e Bukureshtit. Një ngjarje e veçantë, e nënvizoi Kryeministri në fjalën e tij, jo aq për privilegjin e titullit, sesa për domethënien e tij. “Kuptimplotë është të flasësh për këtë në një vend pjesë e BE-së dhe që ka kaluar me sukses shumë aspekte, të cilat në Shqipëri, qeveria është e angazhuar t’i përmbushë. Por euroskepticizmi në rritje përbën një sfidë reale për Evropën e Bashkuar”, – është shprehur Rama në fjalën e rastit.
Kryebashkiaku i Fierit
Zeqaj tërhiqet nga gara: Nuk do të kandidoj për Fierin për një mandat të katërt
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, ka deklaruar se nuk do të kandidojë sërish në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me kryetarin e Bashkisë së Janinës për binjakëzimin e dy bashkive, Zeqaj tha se kandidimi nuk është aspiratë e tij. Ai gjithashtu ka deklaruar se do të jetë në krye të detyrës deri në fund të mandatit të tij, duke u dhënë përgjigje kështu hamendësimeve për dorëheqje nga posti që ka për të ndjekur rastin e kryebashkiakut të Pogradecit, Artan Shkëmbi. Baftjar Zeqaj është në përfundim të mandatit të tretë si kryebashkiak i qytetit të Fierit.
Tavo: S’kandidoj për Bashkinë e Gjirokastrës, vazhdoj mandatin
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka shuar zërat se ai mund të jetë një kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Gjirokastrës. Ai tha se është i vendosur të çojë deri në fund mandatin e deputetit. “Unë kam marrë një mandat në qarkun e Gjirokastrës dhe këtë mandat do ta çoj deri në fund. Nuk do ta ndërpres mandatin e deputetit, për t’u kthyer në garë për Bashkinë. Unë do të përfaqësoj elektoratin tim në Kuvend”, – deklaroi Tavo. Sipas tij, edhe Flamur Bime mund të jetë një nga kandidaturat që po diskutohet për Bashkinë e Gjirokastrës. “Edhe zoti Bime mund të jetë një nga kandidaturat. Është tryeza, takimet që do të vendosin se kush do të jetë kandidati”, – theksoi Tavo për “A1 Report”. I pyetur për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, deputeti i LSI-së tha se dy kryetarët e partive do të zgjedhin kandidatët më të mirë që do të përfaqësojnë koalicionin e majtë në zgjedhjet e 21 qershorit.
Lame, takim me homologët e rajonit: Shqipëria, numrin më të lartë të ndërtimeve pa leje
Ndërtimet në zonat informale kanë mbledhur dje në Tiranë në një tryezë rajonale për legalizimin katër shtete të rajonit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi se në këto katër shtete janë mbi një milion ndërtime pa leje, prej tyre 427 mijë në Shqipëri. Duke e vlerësuar shembullin pozitiv të Maqedonisë, Lame deklaroi se edhe Shqipëria duhet të përpiqet të dixhitalizojë sistemin. “Do të marrim veçanërisht nga eksperienca maqedonase, e cila është e respektueshme. Është dixhitalizimi sa më shumë i sistemit. Sistemi online siguron dy elemente shumë të forta, shpejtësinë në operim dhe pakësimin në ekstrem të korrupsionit”. Lame shtoi se politizimi i problemit e shkatërron zgjidhjen e tij dhe se legalizimet duhet të rrinë jashtë politikës.