Vendimi / Shpërthimet me tritol në kryeqytet, pesë në burg, dy në kërkim

0
159

makina_11Gjykata merr vendim për mediat: Të mos publikohet asnjë e dhënë që ka lidhje me hetimin. Didi për arratisjen e Gjutajt: Nuk njoftuam TIMS-in, frikë nga dekonspirimi i aksionit

 

Katër të arrestuarit e disa ditëve më parë, akuzuar për vendosjen e tritolit në biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, mbetën në arrest me burg, pas komunikimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në vendimin e saj, Gjykata shpalli të ligjshëm arrestimin dhe vlerësoi të drejtë masën e arrestit me burg, duke u bazuar tek provat paraprake të paraqitura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruka dhe Erjon Dule u njohën dje në seancën me dyer të mbyllura më masën e sigurimit, ndërsa Emirjon Gjuta, një prej personazheve kryesore të këtij grupi kriminal, mbeti në arrest me burg një ditë më parë, pas ndryshimit të vendimit nga arresti me afat 15 ditur në arrest me burg nga e njëjta Gjykatë. Dy persona janë shpallur në kërkim. Ata janë Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka. Këta të fundit ka dyshime se mund të jenë larguar nga vendi. Kjo, për faktin se sistemi TIMS nuk është njoftuar para kryerjes së operacionit për bllokimin e tyre. Këtë fakt e konfirmoi dje në një dalje për mediat drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

 

Deklarata e Policisë

Policia e Shtetit bëri me dije fakte të reja që lidhen me aktet e rënda kriminale të datës 10.2.2015, në qytetin e Tiranës, ku në orët e para të mëngjesit u vendos lëndë plasëse eksplozive në vendin e quajtur rruga “Kongresi i Manastirit” dhe pikërisht në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7, si dhe në afërsi të urës “Vasil Shanto”, tek stacioni i autobusit të Unazës. Strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Tiranë pas një pune intensive dhe profesionale, arritën në sigurimin e provave të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë. Në këto rrethana thuhet në deklaratën e policisë më datën 26.2.2015, u bë ekzekutimi i urdhrave të prokurorit të Krimeve të Rënda, lëshuar më datë 25.2,2015, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për masat e sigurisë “Arrest me burg” për të pandehurit.

 

Shpallja në kërkim

Policia e Shtetit në të njëjtën kohë ka shpallur në kërkim shtetasin Vladimir Gjuta, 35 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, person me precedent kriminal, i arrestuar disa herë nga Policia në kohë të ndryshme për “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë dhe funksionarëve që kryejnë detyra shtetërore”. Gjithashtu, ky shtetas është nën hetim për organizim dhe vendosje të lëndëve eksplozive ndaj shtetasit A. T. në Durrës, si dhe i dyshuar për “Vrasje mbetur në tentativë” në vitin 2013 të një shtetasi në qytetin e Kukësit, si dhe për një sërë veprash të tjera kriminale. I shpallur në kërkim është edhe Baftjar Bruka, 24 vjeç, lindur në Kukës banues në Tiranë,me precedent kriminal, i hetuar në vitin 2013 për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Çështje e cila me pas është pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kukës.

 

Akuzat

Bazuar në hetimet e kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar edhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e shtetasit B. T., si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusëve në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda vazhdojnë hetimet për zbulimin, dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Arrestimi dhe shpallja në kërkim e tyre u bë për veprat penale, “Vepra me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 230, 233/a dhe 234 të Kodit Penal në ngarkim të këtyre personave, në kuadër të procedimit penal nr. 42/2015. Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e motivuar për t’u përballur dhe luftuar krimin në cilën do formë që ai shfaqet. Garantojmë qytetarët se të gjitha Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke kryer detyrat funksionale, në funksion të zbatimit të ligjshmërisë, si dhe krijimit të një ambienti social sa më të sigurt.

 

Vendimi i Gjykatës

Gjykata e Krime të Rënda ka vendosur tu mbyll gojën prokurorëve dhe policisë në lidhje me publikimin e të dhënave për çështjen “Tritoli”. Në një njoftim zyrtar, kjo gjykatë paralajmëron se çdo publikimi i të dhënave apo akteve në shqyrtim gjyqësor, është i ndaluar me ligj dhe në rast të kundërt ngarkon me përgjegjësi penale atë individ dhe institucion që zbulon aktet hetimore dhe të dhënat sekrete. Gjykata shprehet se prej ditësh në shtyp, janë publikuar të dhëna dhe dëshmi në lidhje me rolin dhe aktivitetin e personave të dyshuar si autorë të 3 ngjarjeve që u shënuan në 10 shkurt në Tiranë. Në këtë reagim të saj gjykata shprehet: “Krahas ndalimit që ekziston për aktet e hetimit paraprak, përveç kur prokurori mund të lejojë publikimin me vendim të arsyetuar, ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura. Në të kundërt, kodi penal përcakton përgjegjësi penale të tij që parashikon veprën penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.

 

Didi: Zbuluam autorët, por jo motivin e krimit

 

Në një dalje për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se pas operacionit të fundit Policia arriti të zbulonte autorët e shpërthimeve në kryeqytet, por nuk është bërë i mund ende zbulimi i motiveve të këtyre krimeve të rënda. Didi vuri gishtin tek personat e arrestuar si autorë të mundshëm të këtyre ngjarjeve të rënda, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e zbulimit të bashkëpunëtorëve të tjerë. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë shtoi se një prej personave tashmë të shpallur në kërkim, Baftjar Bruka kishte arritur të dilte jashtë vendit vetëm dy ditë para operacionit. Didi shtoi se Bruka ka përfituar, pasi policia dhe prokuroria nuk ishin ende të bindura plotësisht se këta persona ishin pjesë e grupit kriminal. Ndërsa për Vladimir Gjutën Didi deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë se ku mund të jetë, pasi nga sistemi TIMS nuk rezulton të ketë dalë jashtë vendit. “Ka qenë një hetim që ka kërkuar një shkallë të lartë dekonspiracioni. Rezulton që shtetasi Bruka ka dalë 2 ditë para se ne të krijonim bindjen se vërtet ishte ky grup që ka kryer këto vepra kriminale, ndërsa për shtetasin Gjuta nuk kemi dijeni për vendndodhjen e tij”, – tha Didi.

 

Të pandehur

 

Lumjan (Emiljano) MATMUJA, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, person me preçedent kriminal, i dënuar në vitin 2010 me 3 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

 

Ernest GJUTA, 24 vjeç,lindur në Kukës e banues në Tiranë.

 

Kamber BRUKA, 31 vjeç,lindur në Kukës e banues në Tiranë.

 

Erjon DULE, 33 vjeç, banues në Tiranë.

 

Të shpallur në kërkim

 

Vladimir GJUTA, 35 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, person me precedent kriminal, i arrestuar disa herë nga Policia në kohë të ndryshme për “Kundërshtim me dhunë të Punonjësve të Policisë,dhe Funksionarëve që kryejnë detyra shtetërore”. Gjithashtu, ky shtetas është nën hetim për organizim dhe vendosje të lëndëve eksplozive ndaj shtetasit A. T. në Durrës, si dhe i dyshuar për “Vrasje mbetur në tentativë” në vitin 2013 të një shtetasi në qytetin e Kukësit, si dhe për një sërë veprash të tjera kriminale.

 

Baftjar BRUKA, 24 vjeç, lindur në Kukës banues në Tiranë,me precedent kriminal, i hetuar në vitin 2013 për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Çështje e cila me pas është pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kukës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency