Zgjedhjet / Paloka: Zgjedhjet e përgjithshme, më 21 qershor; deputetët, të lirë të vetëshpallen për bashkitë

0
166

paloka

Erneta Shevroja

“Partia Demokratike e ka edhe opsionin që cili nga deputetët ka dëshirë të kandidojë për bashkitë, mund të vetëdeklarohet”

 

Po shtohen zërat brenda Partisë Demokratike që janë të mendimit se në të njëjtën ditë me zgjedhjet vendore, të zhvillohen edhe ato të përgjithshme. Sipas demokratëve, qeveria “Rama” nuk po punon për njerëzit e vendit, por situata po shkon drejt përkeqësimit. Një arsye e dytë, që shtojnë demokratët, lidhet me faktin e shpenzimeve. Zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën datë do të ulte shpenzimet, që faktikisht janë në shuma të larta. I pyetur nga gazeta “Standard”, kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, njëherësh nënkryetar i saj, Edi Paloka, mohoi që kjo ide të jetë diskutuar nga grupi demokrat, e megjithatë ai thotë se zhvillimi i dy palë zgjedhjeve brenda një dite do të ishte alternativa më e mirë për popullin. “Në këtë gjende që e ka çuar Rama popullin, kjo është alternativa më e mirë që mund t’u ofrohet njerëzve”, – tha Paloka për gazetën “Standard”. “Do të ishte shumë mirë që zgjedhjet e parakohshme të zhvilloheshin në të njëjtën ditë me ato lokale, pasi do të ishte një shkurtim shpenzimesh, nuk do të kishim dy herë shpenzime, por brenda një dite mund të zhvilloheshin dy palë zgjedhje me të njëjtën shumë parash”, – vijoi nënkryetari i Partisë Demokratike. Ndërkaq, Paloka mohoi që mundësia e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme më 21 qershor të jetë diskutuar nga grupi parlamentar i PD-së. Ai tha se kjo ide nuk është diskutuar, por deputetët demokratë janë pro. “Jo, kjo ide nuk është diskutuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ideja qëndron dhe besoj se prandaj edhe deputetët të tjerë janë shprehur pro kësaj”, – u shpreh nënkryetari i partisë më të madhe opozitare. Ndërkohë, nuk janë të paktë deputetët që deri më tani janë shprehur në media se janë pro zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 21 qershor.

 

Deputetë drejt bashkive

Një vendim i fundit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte se deputetët mund të aspirojnë për bashkitë kryesore të vendit. Deputetët duhet të lënë mandatin për t’u bërë pjesë e garës për bashkitë. Lidhur me këtë pikë, Paloka u shpreh se deputetët janë të lirë të shprehin dëshirën e tyre për të kandiduar në zgjedhjet vendore, por ende nuk ka ardhur momenti i tillë. “Deri më tani, – tha Paloka, – asnjë deputet nuk është shprehur për të marrë pjesë në garën e zgjedhjeve të 21 qershorit. Ende është herët për këtë fazë. Jemi në fillim, kjo është faza e ngritjes së grupeve të punës që do të merren me përgatitjen e fushatës zgjedhore. Kandidatët do të propozohen nga strukturat e partisë në secilën zonë dhe më pas do të mund të flasim për kandidatura. Partia Demokratike e ka edhe opsionin që cili nga deputetët ka dëshirë të kandidojë për bashkitë, mund të vetëdeklarohet. Në vazhdim, mund të ketë deputetë që do të shprehin dëshirën për të marrë pjesë në garën për kryebashkiakë”, – tha Paloka.

 

 

 

“Pajtohen” Doshi e Tahiri

Takim kokë më kokë mes tyre. Deputeti socialist: Do të jem në mbledhjen e grupit të hënën

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti socialist Tom Doshi zhvilluan një takim kokë më kokë mes tyre, dy ditë pasi deputeti i shpalli luftë të hapur qeverisë dhe vetë Kryeministrit Rama. Lajmin e bëri të ditur dje “ABC News”, pas një komunikimi telefonik me deputetin Doshi. Ai pranoi që janë takuar me ministrin e kritikuar ashpër herë pas here prej tij dhe saktësoi se në qendër të bashkëbisedimit, që ka zgjatur jo pak, ka qenë situata e kriminalitetit në zonën e Shkodrës. Doshi nuk preferoi të saktësonte nëse në qendër të shqetësimit të tij ka qenë kriminaliteti apo emërimet në rrethin e drejtuesve të policisë. Të enjten, Tahiri komentoi për Doshin se “nuk është e shëndoshë të biesh në nivelin e akuzave banale dhe shpifjeve të Sali Berishës. Për më tepër kur këto akuza vijnë nga mazhoranca”. Ndërkohë, deputeti i zonës së Shkodrës, Tom Doshi, po ashtu bëri të ditur se do të jetë i pranishëm në mbledhjen e grupit të PS-së ditën e hënë, kur edhe është e pritshme të diskutohet për kritikat shumë ta ashpra që ka shprehur Doshi për qeverinë dhe vetë Kryeministrin Edi Rama. Nuk kanë munguar edhe zërat se Doshi do të mund të përjashtohet nga grupi i PS-së. Për këtë Doshi komentoi duke thënë se është herët të flasë dhe se duhet pritur vendimi. Qëndrimin e tij të mëtejshëm Doshi ia la vendimit të së hënës. Ndërkaq, socialistët e Shkodrës mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me kritikat e hapura që kolegu i tyre socialist mbajti ndaj qeverisë dhe Ramës, duke e cilësuar bukëshkalë, që nuk mban premtimet. Deputeti Paulin Stërkaj mendon se qeveria mirëpret angazhimin e çdo deputeti në ngritjen e problemeve të zonave të tyre zgjedhore. “Unë personalisht dhe shumë deputetë e kemi mundësinë me ministrat dhe me Kryeministrin të takohemi sa herë që kemi dëshirë”, – ka theksuar Stërkaj. Ndërsa, deputeti i Shkodrës, Namik Kopliku, mendon se Doshi duhet t’i kërkojë ndjesë grupit parlamentar të PS-së për deklaratat e bëra. Ai thotë se Doshi duhet të kishte gjetur rrugë të tjera për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë dhe personalisht ndaj kreut të të majtëve. “Zoti Doshi duhet të kërkojë ndjesë para grupit parlamentar dhe grupi parlamentar duhet medoemos të pranojë ndjesën eventuale të zotit Doshi. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste duhet të jetë tolerant nga momente të tilla nervozizmi, por edhe zoti Doshi duhet të reflektojë se me gjuhën e Sali Berishës nuk rregullohen punët e grupit tonë parlamentar”, – ka thënë për mediat Kopliku, duke theksuar se Doshi ka folur me një gjuhë të papërshtatshme, gati ekstreme për drejtuesit e PS-së.

 

 

Fondi zviceran për punësimin

Ministria e Veliajt çon 75 mijë euro tek mediat pranë qeverisë

 

Ministria e Mirëqenies Sociale, që drejtohet nga Erion Veliaj, është vënë sërish nën dyshime mbi përdorimin e një fondi për punësimin. Erion Veliaj duket se qëndron edhe pas përdorimit të fondeve të një projekti të Ambasadës Zvicerane në Tiranë. Fondi për një projekt që synon të ndihmojë në punësimin e 11 mijë të rinjve shqiptarë kap vlerën e 3.3 milionë eurove. Pjesë e këtij financimi është edhe projekti “Risi Albania”. Ai synon informimin e të rinjve nëpërmjet mediave për mundësitë e punësimit. Ky projekt po zbatohet nga “Partners Albania”, një OJF që drejtohet nga Juliana Hoxha, ish-nënkryetare e G99-ës në kohën kur kjo parti, e klonuar nga Edi Rama, kishte për kryetar ministrin aktual të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Fondi i “Risi Albania”-s për mediat arrin në shumën e 75 mijë eurove. Ky fond që përdoret për informim dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi mundësitë e tregut të punës, u është shpërndarë mediave pranë qeverisë, televizionit “Top Channel” dhe gazetës “Shqiptarja.com”. Në projekt është përfshirë edhe radioja lokale “Club FM” sa për t’u dukur se këto para janë ndarë në mënyrë “të drejtë”. “Club FM” ka marrë rreth 15 mijë euro nga projekti, ndonëse ka transmetuar çdo javë nga dy orë program me informacione për punësimin e të rinjve. Dy mediat e tjera kanë ndarë mes tyre pjesën prej 60 mijë euro, secili nga 30. “Top Channel” transmeton 10 seri prej 45 minutash të programit “Ti mundesh” dhe gazeta “Shqiptarja.com” me suplementin “Drejt punës“ që e boton çdo të enjte.