Basha, akuza Metës dhe Ramës: Nuk dihet kush është autori dhe kush bashkëpunëtori

0
123

Erneta Shevroja

 grupi parlamentar i pdMeta të vihet në dispozicion të Prokurorisë, Rama binomi tjetër kriminal

Kryeopozitari Lulzim Basha reagoi edhe një herë dje lidhur me ngjarjen e fundit që ka përfshirë politikën shqiptare. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Basha foli edhe një herë për zhvillimet që pasuan deklaratën e rëndë e të përjashtuarit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, se kreu i Kuvendit kishte dhënë porosi për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat të zonës së Lezhës, Mhill Fufi. Basha deklaroi edhe një herë se kreu i Kuvendit duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe t’i ishte dorëzuar Prokurorisë për hetim. “Po aq me faj është dhe kreu i qeverisë, Edi Rama, – tha Basha, – se nuk foli për 5 muaj, edhe pse e dinte që kreu i Kuvendit, bazuar deklaratës së Doshit, kishte porositur vrasjen e dy deputetëve. Por, – vijon Basha, – në vend që të ndërmerrej ky veprim, kreu i Kuvendit “bëri deklaratë për të mjegulluar të vërtetën dhe duke drejtuar akuza ndaj opozitës”.

 

Rasti “Doshi”

“Sot, – tha Basha, – vendi ndodhet në një nga ditët më të këqija të tij në 25 vjet demokraci”. Ai tha që meta duhet të kishte dhënë dorëheqjen që ditën e hënë në orët e mesditës. “Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Kryeministri është nën akuzë se ka dijeni prej 5 muajsh për këtë skenar”, – tha Basha dhe që e ripërsëriti disa herë në deklaratën e tij para deputetëve të grupit parlamentar të PD-së dhe aleatëve. “Në vitin 2015, 25 vjet pas hapjes së Shqipërisë, pas nisjes së rrugëtimit evropian, gjendemi para realitetit tronditës, të kthyer mbrapsht në parametrat e republikave të dështuara kriminale, ku dy personat që qeverisin vendin janë të zhytur në bëmat më të errëta, në skenarë vrasjesh që vijnë pas pazareve të prishura, nga trafiqet e paligjshme tek ushtrimi i influencës për përfitim financiar”, – vijoi Basha duke ritheksuar kërkesën: “Ai duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, të vihet në dispozicion të prokurorisë, aty ku e ka vendin nga dje në orën 2”. Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje”, – vazhdoi Basha.

 

Për Ramën

Ndërkohë, po aq i përfshirë në këtë ngjarje, sipas Bashës, është edhe vetë Kryeministri Edi Rama. Ai e cilësoi Ramën si “binom” në ngjarjen dhe nuk dihet kufiri ndarës mes autorit që porositi vrasjen dhe bashkëpunëtorit. Basha tha se Rama duhet të shkonte vetë në Prokurori dhe të dëshmonte për çfarë i kishte thënë deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi. “kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Kryeministri është nën akuzë se ka dijeni prej 5 muajsh për këtë skenar. Nuk dihet më ku është kufiri ndarës në këtë binom-kriminal, kush është autori e kush është bashkëpunëtori, kush është porositësi e kush është dëshmitari”, – deklaroi Basha duke vijuar: “Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në Prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret prokurorin në zyrë. Është ai që duhej të shkonte në zyrën e prokurorit e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eliminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”. Duke iu referuar negociatave të disa deputetëve me të përjashtuarin Tom Doshi, Basha tha se qëllimi i Kryeministrit Edi Rama ishte fabrikimi i disa tezave që fshehin të vërtetën. “Alibia e Edi Ramës nisi që dje, në fabrikimin e disa tezave përmes medias, sikur gjoja paska nisur dekriminalizimi në partinë e tij, me përjashtimin e deputetit akuzues. Por të gjithë e pamë se ajo çfarë deshi Edi Rama të bënte, ishte një pajtim, një pakt i ri, një mbyllje e hesapeve, pra bash e kundërta e dekriminalizimit. Ai dërgoi emisarin Kokëdhima për negociata dhe dështoi. Ai dërgoi më pas emisarin Tahiri për negociata dhe sërish dështoi. Asgjë tjetër përveçse lojë kumbarësh që përplasen me njëri-tjetrin se kujt do t’ia puthin dorën: don Ramës apo don Metës. Asgjë tjetër nuk është kjo dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit”, – akuzoi kryedemokrati.

 

Dekriminalizimi

Basha foli edhe për nismën e dekriminalizimit. Ai tha se zbatimi i kësaj nisme është i domosdoshëm dhe duhet të nisë që nga drejtuesit më të lartë të mazhorancës (referuar Metës). “Këto ngjarje e kanë bërë urgjencë kombëtare, dekriminalizimin. Nuk mund të ketë gjysmë-dekriminalizim. Ai duhet të bëhet i plotë pa kursyer askënd, sidomos themeluesit e tij. Ishin pikërisht Edi Rama dhe ILir Meta që e ngjizën paktin me krimin përpara zgjedhjeve të fundit dhe ftuan në aleancën e tyre të gjithë qelbësirat, thjesht e vetëm për të ardhur në pushtet”, – deklaroi kreu i opozitës para deputetëve. Në përfundim të deklaratës, Basha u shpreh se Partia Demokratike inkurajon drejtësinë të bëjë hetimet deri në fund pa u ndikuar nga presione që janë të pritshme. E dimë që ai vetë dhe prokurorët janë nën një kërcënim mafioz, por i japim fuqinë e plotë të zemrave dhe shpirtrave të bashkuar të shqiptarëve që presin sot nga ai dhe prokuroria e përgjithshme të bëjë detyrën më të lartë përpara sfidës më të rrezikshme me të cilën është përballur ndonjëherë vendi”, – mbylli deklaratën kryedemokrati.

 

Mhill Fufi mungon në mbledhjen e grupit

 Ndërkohë, deputeti demokrat Mhill Fufi, për të cilin Doshi deklaroi se është kërkuar vrasja e tij, mungoi në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar i PD-së. Ky ishte ndër të paktat raste që deputeti i qarkut të Lezhës nuk mori pjesë në mbledhjen e grupit të djathtë. Vetë deputeti nuk ka preferuar aspak të flasë për ngjarjen e tij. I kontaktuar para dy ditësh nga gazeta, deputeti demokrat Fufi, u shpreh se nuk dëshiron të jap asnjë deklaratë lidhur me ngjarjen ku është i përfshirë edhe ai.

 

 Dëshmitari kyç/ PD: Durim Bami, nën presion dhe torturë që të manipulojë dëshminë

Partia Demokratike në orët e mbrëmjes bëri akuza të tjera lidhur me të dyshuarin si porositës për vrasjen e dy deputetëve. PD-ja deklaroi se dëshmitari kyç që do të mund të zbardhte të vërtetën e ngjarjes, po mbahet në ambiente sekrete të Policisë së Shtetit dhe ndaj tij po ushtrohet presion dhe tortura për të manipuluar dëshminë. “Partia Demokratike denoncon metodat e Sigurimit të Shtetit dhe shkeljen e procedurave ligjore që po përdoren ndaj dëshmitarit Durim Bami, personit kyç në skenarin e akuzave për vrasje që rëndojnë ndaj Kryetarit të Parlamentit. Deputeti Doshi ka akuzuar Kryetarin e kuvendit se ka porositur pikërisht të ndaluarin e sotëm për ekzekutimin e tij dhe të Deputetit Fufi”, – tha zëdhënësja e selisë blu, Oriela Nebiaj. “Prej mëngjesit kur Bami është ndaluar, po mbahet në ambientet sekrete të Policisë së Shtetit, pa avokat dhe nën presion e torturë, vetëm me një qëllim, që të manipulojnë dëshminë e tij”, – deklaroi zëdhënësja. Edhe një herë PD-ja bëri thirrje për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. “Nxisim Prokurorinë të marrë menjëherë situatën në dorë, të hetojë në mënyrë ligjore e të pavarur, ta nxjerrë çështjen më të rëndësishme të vendit nga bodrumet e errëta e me tortura të policisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës”, – mbylli deklaratën zëdhënësja e PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency