Për disa orë me radhë është marrë në pyetje në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Është personi për të cilin ka folur deputeti i përjashtuar Doshi
Durim Bami pranon para prokurorëve të Krimeve të Rënda se është personi për të cilin Tom Doshi është shprehur se është paguar për të kryer ekzekutimin me pagesë ndaj deputetit të përjashtuar Tom Doshi dhe kolegut të tij Mhill Fufi. Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe oficer të Policisë Gjyqësore për disa orë kanë marrë në pyetje gjatë mbrëmjes së djeshme të dyshuarin Durim Bami. Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë bënë me dije se Bami është personi i vetëm i dyshuar për këtë ngjarje dhe personi, i cili ka marrë përsipër që kundrejt pagesës të ekzekutojë deputete. Por nëse arritëm të mësojmë këtë fakt, nuk mundëm të nxjerrim nga të dhënat e fundit se kush janë detajet e tjera, për të cilat ka folur i dyshuari.
Arrestimi
Akuzat e deputetit Tom Doshi për vrasje me pagesë kanë sjellë arrestimin e një 36-vjeçari nga Fushë Kruja. Pas akuzave të deputetit Tom Doshi se i penduari është një i ri nga Fushë-Kruja, të cilin tentuan ta vrisnin disa ditë më parë, policia ka ndaluar menjëherë të hënën në mbrëmje personin e pretenduar si autor dhe si i penduar dhe që rezulton se është shtetasi Durim Bami. Burime nga policia bënë me dije se Bami pasditen e djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes u mor në pyetje intensive nga një grup prokurorësh dhe ekspertësh të policisë, në lidhje me akuzat e bëra nga deputeti Tom Doshi, por edhe në lidhje me një shpërthim të ndodhur mbrëmjen e së hënës në Fushë Krujë, pasi sipas policisë mendohet se ai ka dijeni rreth ngjarjes. Sipas pretendimeve te deputetit socialist, Bami e lajmëroi atë se kishte një tentativë ku kërkohej eliminimi fizik i tij. Sipas deputetit Tom Doshi, Bami u pendua dhe nuk e kreu atentatin ndaj tij, por bëri një rrëfim në një video ku provohet sipas deputetit thëniet e të arrestuarit Durim Bamit dhe akuzat ndaj Ilir Metës. Emri i Durim Bamit i cli ishte i njohur vetëm për policinë lokale për disa precedentë penale, u bë i njohur të dielën e 22 shkurtit, kur forcat antieksploziv çaktivizuan një sasi prej 400 gramë tritol të vendosur në automjetin e tij.
Arrestimi
Burime nga policia kanë bërë me dije se 36-vjeçari Durim Bami është vënë në pranga mbrëmjen e së hënës në tentativë për të kaluar kufirin në Hanin e Hotit për të shkuar në Mal të Zi. Durim Bami është shoqëruar në polici si personi që dyshohet se ishte porositur për të eliminuar deputetin Tom Doshi dhe Mhill Fufi dhe ishte penduar për të kryer këtë atentat duke e lënë në tentativë. Shoqërimi i tij në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë ka ndodhur në orën 11:00 të paradites së djeshme nën masa të rrepta sigurie nga RENEA, madje të veshur edhe me antiplumb. Ditën e djeshme i arrestuari Durim Bami, është marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë nga shefi i Krimeve të Rënda Ilirjan Balla. Burime nga policia bënë me dije se Bami u kap në tentativë për të ikur në Mal të Zi, ndërsa ishte shpallur në kërkim me kartelë jeshile për shpërthimin me tritol që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Fushë Krujë ndaj biznesmenit Edmond Kadiu. Prej të paktën 10 orësh, 36-vjeçari është marrë në pyetje në dhomat e shoqërimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë. Grupi hetimor mësohet se përbëhet nga prokurorë të Krimeve të Rënda dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Në lidhje me atentatin e biznesmenit në Fushe Krujë që ndodhi ditën e hënë, Bami mësohet të jetë shprehur se nuk ka asnjë dijeni rreth kësaj ngjarje. Shoqërimi i tij në polici erdhi fill një ditë pasi deputeti Doshi bëri publike para medias se ka informuar strukturat përgjegjëse për planin mbi vrasjen e tij, duke akuzuar Metën si personin që ka paguar për zhdukjen e tij dhe të Mhill Fufit.
Kush është i arrestuari Durim Bami
Durim Bami, 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë, rezulton me një të kaluar kriminale. Durim Bami ka qenë i dyshuar për një tentativë vrasje të ndodhur në vitin 2004, ndaj dy personave nga Fushë Kruja, Erzen Haka dhe Hasan Karaj. Dami njihet si një nga të fortët e Fushë-Krujës dhe për këtë qëllim mban nën ruajtje disa kazinotë në këtë zonë si tip bodiguardi. 36-vjeçari mësohet se është shpallur mbrëmjen e së hënës në kërkim si person i implikuar në shpërthimin e eksplozivit në makinë e Edmond Kadiu, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Fushë Krujës. Policia bën me dije se shpallja e tij në kërkim ishte bërë me kartelë jeshile. Kjo në gjuhën policore do të thotë se nuk ka prova për të si autor, por si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Dështon atentati me tritol ndaj Durim Banit
Durim Bani, pronari i një pike bastesh në Fushë-Krujë, i ka shpëtuar një atentati me eksploziv më 22 shkurt të këtij viti. Burime zyrtare nga Policia e Fushë Krujës kanë bërë me dije se në makinën tip “BMW X5”, me targë AA 858 IS, në pronësi të Durim Bamit, tashmë i arrestuar, është vendosur rreth 400 gram tritol, ku fatmirësisht nuk është aktivizuar. Mësohet se makina e Bamit ishte parkuar para pallatit të tij, në lagjen “Grumbullimi” të Fushë-Krujës. Në gomën e përparme, Durim Bami ka parë disa fije të holla teli. Menjëherë ai ka njoftuar policinë dhe një ekip i specializuar antieksploziv zbuloi se fijet lidhnin lëndën shpërthyese. Sipas ekspertëve, eksplozivi do të shpërthente sapo makina të lëvizte. Policia atë ditë ka nisur menjëherë hetimet, duke shoqëruar edhe një numat të konsiderueshëm personash në polic. Durim Bani rezulton person me precedentë penalë. Ai ka thënë se nuk ka pasur probleme me persona të tjerë, por e shkuara e tij është një prej pistave ku po heton policia lidhur me këtë ngjarje, pasi ai rezulton të jetë person me precedentë penalë.
36-vjeçari me precedentë penalë të mëparshëm
I arrestuari Durim Bami nuk është një emër i panjohur për strukturat e Policisë së Shtetit. Burime nga policia kanë bërë me dije se 36-vjeçari, lindur dhe banues në Fushë-Krujë, në viti 2004 ka qenë i dyshuar për një tentativë vrasje. Mësohet se Bami atë kohë ka qenë i dyshuar për tentativën e vrasjes së Erzen H., dhe Hasan K. Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se Durim Bami dyshohet se ka informacion edhe për shpërthimin me tritol që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Fushë-Krujë ndaj biznesmenit E. Kadiu. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Policisë së Tiranës, 36-vjeçari mësohet të ketë thënë se nuk ka asnjë dijeni rreth atentatit me tritol të ndodhur mbrëmjen e së hënës në automjetin e E. Kadiut. Po ashtu, Durim Bami sipas policisë mësohet se ka qenë personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafuka, i zhdukur që prej një muaji. Sakaq, 36-vjeçari rezulton i dënuar më parë me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.
Naim Stafuka: Vëllai im në kafe me Durim Bamin para se të rrëmbehej
Naim Stafuka vëllai i Enver Stafukës tregon se para se vëllai i tij të rrëmbehej, personi i fundit që ka takuar vëllai i tij, ka qenë pikërisht Durim Bami, emri i të cilit është i përfshirë në ngjarjen e atentatit të mundshëm ndaj Tom Doshit dhe deputetit tjetër, Mhill Fufit. Stafuka konfirmon se vëllai i tij ishte në kafe bashkë me Durim Bamin disa momente para se ta rrëmbenin dhe se kur ai ka dalë e ka lënë në kafe Bamin dhe shokët e tjerë. “Po vëllai im ka qenë duke pirë kafe me 2-3 shokë, aty ishte edhe Durimi. Pas kafes vëllai ka dalë nga lokali, aty e kanë pritur personat që e rrëmbyen. Siç dallohet edhe në video”, – shprehet Naim Stafuka. Naim Stafuka shton se me Durim Bamin kanë njohje fëminore dhe nuk ka asnjë lloj dyshimi te ai apo familja e tij. Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës duket 48vjeçari Enver Stafuka, që del në orën 19:46, dhe tenton të hipë në makinën e vet, por ndalohet dhe futet me forcë në një mjet tjetër nga tre persona që ishin të veshur me uniformë policie.