Superliga Shqiptare/ Skënderbeu mund minimalisht Tiranën, Partizani përmbys Flamurtarin

0
182

Partizani përmbys FlamurtarinKorçarët kanë marrë një fitore falë kapitenit Shkëmbi ndaj bardhebluve

Të kuqtë e Duros kanë përmbysur gjithçka në sfidën me Flamurtarin, duke marrë një fitore që ka hapur polemika te vlonjatët

Dje janë luajtur ndeshjet e mesjavës, të vlefshme për javën e 25-të të Superligës Shqiptare. Sfida që spikati ishte ajo midis Skënderbeut dhe Tiranës. Goli i Shkëmbit vendosi supersfidën e javës së 25-të mes Tiranës dhe Skënderbeut në Superiore, me korçarët që jo vetëm mundën për herë të parë Tiranën në këtë sezon, por gjithashtu fituan dhe një 90-minutësh emocionesh dhe rivaliteti, ku nuk munguan si penalltitë, ashtu dhe kartonët e kuq dhe lojtarët e fashuar, për një ndeshje të luftuar në çdo sekondë të saj. Në fund 3 pikët i mori Skënderbeu, që la akoma më mbrapa në renditje kryeqytetasit. Në Korçë, nën një interesim të jashtëzakonshëm të tifozerisë, Skënderbeu kërkonte të thyente “tabunë” Tirana në këtë sezon, së cilës në dy sfidat e dy fazave të para nuk i kishte shënuar asnjëherë. Fillimi ishte me ritëm nga ana e të dyja formacioneve, me Tiranën megjithatë që ishte më këmbëngulëse sidomos në të djathtë ku qëndronte Gjergji Muzaka. Një harkim i këtij të fundit madje në të 23-ën krijoi rastin më të mirë në pjesën e parë për bardheblutë, me Kahatën që goditi fortë me kokë por Shehi ndërhyri në mënyrë fantastike duke larguar. Korçarët u vonuan disi në përgjigje, por kur e dhanë një të tillë në të 40-tën për pak sa nuk gjetën epërsinë, me Nimagën që nga dy hapa e flaku topin mbi traversë. Pjesa e parë u mbyll pa gola por me Arapin e fashuar pas një përplasje me Currin. Ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me zëvendësim te Tirana, me Bakajn që ja la vendin Busic. Pjesa e dytë nisi ndërkohë me disa incidente nga ana e tifozerisë korçare, që hodhi drejt fushës shishe dhe kanaçe birre, njëra prej të cilave goditi madje dhe Kërçikun duke detyruar kapitenin Shkëmbi t’i kërkojë tifozerisë së tij që të qetësohej. Në të 51-ën dhe Vangjeli përfundoi i fashuar pas një përplasje me Ndikumanën, ndërsa në të 56-ën Progni kishte mundësinë për të zhbllokuar më në fund rezultatin por me kokë goditi jashtë duke humbur një rast të shkëlqyer. Gjithsesi atë që nuk bëri Progni e bëri Berisha, që në të 65-ën arriti të marrë një 11-metërsh Kërçikut, duke festuar në këtë mënyrë për vendimin e kryesorit, pasi nga pik e bardhë tashmë Shkëmbi nuk mund të gabonte dhe pse Jorgji nuk vërshëlleu. 6 minuta më pas Skënderbeu për pak sa nuk dyfishoi me Nimagën, por Frashëri këtë herë ndali goditjen e tij. Ndërkohë që në të 84-ën, Progni mori mirë krahun por aksioni u ndal në momentin e fundit. Ndeshja e Tiranës u quajt e mbyllur në momentin kur Sefa u ndëshkua me të kuq në të 88-ën duke lënë bardheblutë në fund dhe në inferioritet numerik, që me kohën e mbetur në dispozicion nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i dorëzoheshin fitores së Skënderbeut.

 

Laçianët vazhdojnë serinë e fitores ndaj Vllaznisë

4 fitore radhazi dhe 20 pikë të grumbulluara në 8 ndeshjet e fundit të kampionatit, futbollistët e Laçit as në ëndrrat e tyre më të çmendura nuk do ta kishin imagjinuar një ecuri kaq fantastike. Përballë Vllaznisë përfundoi gjithçka me rezultatin 1-0 në favor të skuadrës së Armando Cungut, me Laçin që këtë herë duhet të falënderojë edhe portierin e shkodranëve Erind Selimaj, i cili me gafën e tij i dha tre pikë kurbinasve. Një sukses ky që e ngjiti Laçin në kuotën e 41 pikëve ndërkohë që nga ana tjetër nisi me një humbje aventura e Luan Zmijanit në stolin e Vllaznisë.

 

Kukësi fiton me goleadë ndaj Teutës

Plot 7 gola në Kukës. Verilindorët e drejtuar nga Artim Shaqiri janë rikthyer sot te fitorja pasi kanë mposhtur në shtëpi 5-2 Teutën në një ndeshje të mbushur me gola. Të parët që shënuan ishin vendasit me Malotën në minutën e 33’ duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-2. Ndërkohë në pjesën e dytë ka nisur edhe goleada e kësaj ndeshjeje. Fillimisht barazon Teuta me Kastratin por barazimi i durrsakëve zgjat shumë pak pasi Kukësi kalon sërish në avantazh duke shënuar 2 fola të shpejtë me Pit dhe me Pejiç. Teuta reagon sërish dhe ngushton diferencat me Nikën i cili shënon për 3-2 para se dyshja Pejiç-Pit të realizonte edhe dy gola të tjerë për të vulosur përfundimisht takimin e sotëm në shifrat 5-2. Me fitoren e arritur sot, Kukësi e sheh veten në kuotën e 52 pikëve 4 pikë më shumë se Skënderbeu që duhet të luajë ndeshjen në orën 17:00. Ndërkohë Teuta vijon me rezultate negative edhe pas javës së 25-të dhe e sheh veten në kuotën e 19 pikëve

 

Partizani përmbys Flamurtarin

Partizani ka arritur të kë marrë një fitore mjaft të rëndësishme dje përballë vlonjatëve e cila e ndihmon që të qëndrojë sa më afër kreut të renditjes. Të kuqtë e drejtuar nga Duro kanë arritur të përmbysin rezultatin e pjesës së parë duke shënuar 2 gola në pjesën e dytë dhe duke arritur suksesin e radhës. Një Flamurtar i çuditshëm në pjesën e dytë ku ka lëshuar shumë terren ndaj kundërshtarit. Edhe pse shënuan të parët me Bruno Telushin në pjesën e parë dhe e mbyllen këtë fraksion të lojës në avantazh, djemtë e Ramelës nuk kanë arritur dot të administrojnë rezultatin dhe i kanë lejuar Partizanit të shënojë dy herë me Rrahmanin dhe Raçiç. Me fitoren e sotme, Partizani ngjitet në kuotën e 47 pikëve duke barazuar përkohësisht Tiranën e cila ka një ndeshje me pak. Ndërkohë Flamurtari me humbjen e sotme vijon të mbetet në kuotën e 34 pikëve. Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi reagoi pas humbjes së vlonjatëve me Partizanin në “Niko Dovana” duke e cilësuar një turp ndeshjen e futbollistëve të tij, që në pjesën e dytë ishin pasivë në fushë duke lejuar përmbysjen e Partizanit. Nëpërmjet rrjeteve sociale numri 1 i klubit kuqezi theksoi se turpin e ka bërë Flamurtari dhe lojtarët e tij. Sipas Idrizit, fanella e Flamurtarit është poshtëruar dhe mbi të gjitha ja dolën të na marrin trofeun që me aq mund e fituam, trofeun e dinjitetit. Marrëdhënia jonë si drejtues ndaj çdo individi në klubin Flamurtari do të rishikohet dhe nga sot të gjithë lojtarët e klubit do të sanksionohen. Idrizi ka kërkuar një mbledhje urgjente të bordit këtë të enjte dhe nga kjo e enjte do të zhduken njëherë e përgjithmonë nga Flamurtari kolonat e pesta. Reagimi i Idrizit, vjen pas reagimit dhe të tifozerisë vlonjate, e cila kontestoi skuadrën në përfundim të transfertës me Partizanin, ndërkohë që zyra për shtyp e Flamurtarit ka kërkuar që të hetohet dhe kjo ndeshje për trukim duke ofruar dhe koeficentët e sfidës, teksa shkruan: “Pas minutës së 35 kompanitë e basteve në Azi kane pranuar shuma parash marramendëse për këtë ndeshje dhe fakt janë koficentet më poshtë, me fitoren e Partizanit që në minutën e 73-të, kuotohej me koeficent 1.16 jo normal për një ndeshje futbolli në këtë minutë të lojës”.

 

Murinjo: Zouma mund të zëvendësojë Terrin

Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, mendon se Kurt Zouma do ta zërë vendin e Xhon Territ si kapiten i skuadrës në të ardhmen. Që pas transferimit nga Sent-Etieni, 20-vjeçari është duke lënë mbresa të mira me fanellën blu dhe kjo është vlerësuar nga trajneri. “Terri dhe Zouma janë lojtarë të ndryshëm. Nganjëherë merrni kopje të lojtarëve. Tjetër herë nuk ndodh kjo. Zouma është 20 vjeç, por një ditë ai do të jetë 23 ose 24 vjeç dhe do të jetë një lojtar i pjekur dhe ndoshta lider po ashtu, duke e zënë vendin e Xhonit. Zouma po luan shumë më tepër sa që kam pritur, më shumë sesa ai ka pritur, më shumë se kushdo që ka pritur. Prandaj po përfiton përvojë shumë të rëndësishme”, – ka deklaruar Murinjo.

 

 Alegri: Pirlo i gatshëm për Dortmundin

Masimiliano Alegri shpreson se Andrea Pirlo do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit ndaj Borusia Dortmundit. Mesfushori pësoi një lëndim në ndeshjen e parë mes dy skuadrave në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe mungoi në barazimin ndaj Romës. Ai po ashtu do të mungojë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë përballë Fiorentinës, si dhe në ndeshjet në ligë ndaj Sasuolo dhe Palermo. Por Alegri mendon se Pirlo do të jetë i gatshëm për sfidën e 18 marsit, kur Juventusi udhëton në “Signal Iduna Park” për të mbrojtur rezultatin 2-1 nga ndeshja e parë. “Shpresoj ta kem Pirlon në dispozicion për ndeshjen kundër Borusia Dortmund”, – ka thënë Alegri. “Ne duam të kalojmë në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve”, – ka shtuar italiani.

 

 Kavani drejt Atletiko Madridit

Sulmuesi uruguaian, Edinson Kavani, pritet t’i japë fund aventurës së tij te kampionët e Francës, PSG. Paraqitjet e sulmuesit uruguaian, Edinson Kavanit, në fanellën e Paris Sent-Zhermenit, ka bërë që mediat franceze të raportojnë se ky i fundit mund të transferohet te kampioni spanjoll Atletiko Madrid. E përditshmja franceze “L’Equipe”, raporton se argjentinasi ka nisur bisedimet me sulmuesin uruguaian dhe ka biseduar me të duke përdorur si ndërmjetës Diego Godin, kapitenin e Atletikos që është shok skuadre i Kavanit në përfaqësuesen e Uruguait. Tekniku i “Los Colchoneros” është i bindur se profili i sulmuesit të PSG është ai i duhuri për skuadrën e tij ndaj kërkon ta marrë këtë verë, duke pranuar të shesë edhe njërin prej Mandzukiç, Arda Turan apo Koke.

 

 Federata Shqiptare nxjerr në shitje online biletat për sfidën me Armeninë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar edhe çmimet e biletave për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Armenisë. Lajmin për nxjerrjen e biletave në shitje e ka dhënë vetë FSHF në faqen e tyre zyrtare, ku biletat kanë dalë në shitje edhe në versionin online. Në këtë publikim FSHF njofton se ndryshe nga shume ndeshje te tjera, këtë herë janë ndërmarrë masa “të personalizuara” për kategoritë e ndryshme të publikut, pasi shpesh ka pasur pakënaqësi lidhur me çmimin e biletave. Blerja e biletave online do të ndihmojë të gjithë sportdashësit dhe mbështetësit të cilët jetojnë jashtë vendit dhe duan një biletë për të ndjekur nga afër Kombëtaren por gjithashtu edhe të planifikojnë shumë gjëra të tjera përveç ndeshjes: një biletë avioni, rezervim hoteli, etj. Çmimi i biletës në tribunën F do të kushtojë 2000 lekë (rreth 15 euro), në tribunën G1 çmimi do të jetë 1500 lekë (rreth 11 euro), dhe në tribunën G2 çmimi është 1000 lekë (rreth 7 euro). Këto çmime të biletave janë më lirë se kurrë, për ta përkrahur kombëtaren drejt Kampionatit Evropian Francë 2016.